Pushka trimërore e Adem Jasharit dhe penda mençurore e Ibrahim Rugovës janë liria që gëzojmë sot

Politika

Pushka trimërore e Adem Jasharit dhe penda mençurore e Ibrahim Rugovës janë liria që gëzojmë sot

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 7 mars 2024 Në ora: 15:11
Komandanti legjendar Adem Jashari dhe Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova

Këto ditë po shënohet 26 vjetori i rrethimit të familjes Jashari nga ushtarakët serbë.

59 persona, përfshirë gra e fëmijë si dhe vetë komandantin legjendar Adem Jashari, u vranë në një sulm nga forcat serbe nga 5-7 mars 1998.

Adem Jashari, pjesëtar themelues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pas tri ditësh rezistencë, u bë simbol i rezistencës së Kosovës.

Sot, e çdo ditë, bëhen homazhe dhe nderim të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe heroizmit të komandantit Adem Jashari dhe familjes së tij.

Qytetarët u janë mirënjohës përjetë çdo anëtari të familjes Jashari, të cilët janë bërë themeltarë të lirisë dhe demokracisë që e gëzojmë sot.

Lidhur me atë se cila është vlera historike e Epopesë së UÇK-së, e cila po shënohet këto ditë dhe si vlerësohet heroizmi i Komandantit legjendar Adem Jashari dhe flijimi i familjes së tij për liri, për “Bota sot” kanë folur njohës të historisë dhe fushës së politikës.

Imeraj: Epopeja e UҪK-së, lufta çlirimtare dhe përballja e madhe ushtarake mes shqiptarëve dhe serbëve

Image
Prof. asoc. Dr. Shkodran Imeraj

Kështu, Prof. asoc. Dr. Shkodran Imeraj bashkëpunëtor i lartë shkencorë në Departamentin e Historisë Bashkëkohore të Institutit të Historisë në Prishtinë, thekson se Epopeja e UҪK-së, ka rëndësi të madhe, pasi aty nisi lufta çlirimtare dhe përballja e madhe ushtarake mes shqiptarëve dhe serbëve.

“Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e datave 5, 6 dhe 7 mars ka një rëndësi të madhe për historinë me të re të Kosovës, ngase me 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, nisi lufta çlirimtare në Kosovë, ku me sulmin që kreu shteti serb ndaj shtëpisë së komandantit Adem Jashari, do të nisë përballja e madhe ushtarake mes shqiptarëve dhe serbëve e cila do të kulmoj me hyrjen e NATO-së në Kosovë”, thotë Imeraj.

Ai thotë tutje se, mes datave 5, 6  dhe 7 mars të vitit 1998, në Prekaz u zhvilluan luftime të ashpra, ku forcat serbe hasen në një rezistencë të jashtëzakonshme të Ademit, Hamzës, Shabanit dhe gjithë anëtarëve të familjes se tyre.

“Lufta e Jasharëve dhe sakrifica e tyre sublime, është rasti me unik në historinë e njerëzimit që një familje bënë për liri, çlirim dhe pavarësie. Për këtë arsye dhe shume arsye të tjera, akti i familjes Jashari është akt themeltar i shtetësisë së Kosovës, i cili gëzon respekt dhe mirënjohje të veçantë”, vlerëson ai.

Zogaj: Epopeja e UÇK-së më 5,6 dhe 7 mars është festa gjithë shqiptare

Po ashtu për këtë temë, ka folur edhe njohësi i çështjeve politike, Skender Zogaj. Ai thotë se, Epopeja luftarake e Familjes së Adem Jasharit, është unike në historinë Evropiane e më gjerë, prandaj, shënon ngjarjen e krye-vlerës për sensibilizimin e botës që ta kuptonte se, shqiptarët e Kosovës e meritonim çlirimin, lirinë dhe pavarësinë.

Image
Skender Zogaj

“Adem Jashari në frymën e porosisë së strategut Ibrahim Rugova e ka mbrojtur pragun është flijuar duke e mbrojtur pragun e shtëpisë, prandaj është kryetrimi legjendar i vënies së themeleve institucionale të rezistencës për jetësimin e shtetësisë të Kosovës! Adem Jashari është heroi i vërtetë dhe vigjilent që institucionalisht është përgatitur ushtarakisht në Shqipëri dhe, e ka pasur të fiksuar saktë detyrën ndaj atdheut, prandaj, nuk ka bërë eksperimente me krisma pushkallash vend e pavend sipas tekave të individuale, por e ka bërë shtëpinë istikam dhe ka qëndruar legalisht përballë armikut, për t'ia treguar se, sakrifica është heroizëm, e jo arsenali i armëve të  sofistikuara”, thekson Zogaj.

 Ai thotë më tutje se, ‘gishtin armës ia ngreh edhe fëmija, ndërsa heroizmi matet me sakrificën për atdhe’.

“Kjo është e veçanta e heroizmit legjendar të Jasharëve që janë vlerë konkrete historike e Kosovës por edhe e historisë botërore, që nuk ka pasur një shembull të këtillë asnjëherë!  Prandaj pushka trimërore e Adem Jasharit dhe penda mençurore e Ibrahim Rugovës janë liria që gëzojmë sot! Kush mendon ndryshe unë mendoj se ose është vërtetë i paditur, ose shtihet i tillë për qëllime të panjohura! Epopeja e UÇK-së më 5,6 dhe 7 mars është festa gjithë shqiptare”, thekson analisti Zogaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat