“Përrenjtë e gjakut po vërshojnë”, profesori akuzon opozitën dhe perëndimin për dinarin: Kurti nuk guxon ta bëjë këtë gabim fatal!

Politika

“Përrenjtë e gjakut po vërshojnë”, profesori akuzon opozitën dhe perëndimin për dinarin: Kurti nuk guxon ta bëjë këtë gabim fatal!

Nga: Nehat Shaqiri Më: 7 mars 2024 Në ora: 21:35
Albin Kurti

Vendimi i BQK-së për dinarin ka trazuar edhe ndërkombëtarët.

Tashmë po kërkohet prej tyre që dinari të bëhet pjesë e dialogut dhe në Bruksel, Kosova e Serbia të gjejnë një zgjidhje për këtë çështje.

Madje për dinarin është diskutuar edhe në Këshillin e Sigurimit.

Në lidhje me dinarin dhe trajtimin në KS të OKB-së, ka reaguar analisti politik, prof. Binak Maxharraj.

Ai thotë se kjo temë nuk i bën nder KS të OKB-së, pasi trajtimi i dinarit me aq urgjencë është një nënçmim për vet Këshillin e Sigurimit.

“Kjo trajtesë e rrejshme dhe mashtruese e Serbisë është nënçmuese dhe nën nivelin e temave që duhet të merret zakonisht KS, e posaçërisht në këtë kohë kur bota është në flakë nga të gjitha anët dhe përrenjtë e gjakut po vërshojë pa ndërprerë. Pra, është ky një skandal sui generis duke e dëmtuar autoritetin pa presedan të këtij organi të lartë botëror. Kurse nga ana tjetër po ky KS i OKB nuk e pa të arsyeshme të diskutojë kur nga Serbia me ideologji profashiste përems kriminelëve dhe bandave kriminele terroriste të Vuçiqit drejtpërdrejtë e atakuan sovranitetin e Kosovës me një arsenal armësh të sofistikuara në nivel të një ushtrie fortë të armatosur duke e fajësuar për këtë kriminelin dhe banditin e Vuçiqit, Milan Radoiçiq”, thotë Maxharraj.

Ai shton se, ndërkombëtarët dhe KS i OKB-së, për këta rast terrorist nuk po flasin dhe nuk e sanksionuan Serbinë.

“Është debat tëpër i ulët në nivel të një cirkusi që dinari i Serbisë të jetë “temë e rëndesishme ne KS”, sikur KS nuk paska punë më të mençur botërore të merret me to siç janë luftërat dhe shkëndiat tjera potenciale për luftë, që kanë shpërthyer në të katër anët e botës. Megjithatë paraqitja e Kurtit në këtë Keshill ishte brilant, i mrekullueshëm i cili të gjithë anëtarëve të KS ua përplasi në fytyrë të vërtetën për Kosovën karshi rrenave dhe mashtrimeve të Vuçiqit”, potencon profesori.

Ai pyet se, deri kur ndërkombëtarët do t’i kuptojnë rrenat e Vuçiqit se e vërteta serbe për veriun e Kosovës nuk janë serbët dhe pozita e tyre nacionale dhe sociale, por pushtimi i veriut nga Serbia?!

“Unë nuk e di se deri kur bashkësia ndërkombëtare do ta mësojë të vertetën për Kosovën, apo i kanë më në qejf t’i dëgjojnë rrenat dhe mashtrimet e Vuçiqit të cilat Kurti ia qiti për lëndinë në diskutimin e tij. Kuptojeni o ndërkombëtarë të gjorë se këtu ka të bëjë me interesin nacional të Serbisë për të gllabëruar veriun e Kosovës më të pasur në tërë Evropën, dhe se kjo nuk ka lidhje që të dialogohet me Serbinë gjoja për përmirësimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë. Por nuk ka përmërism të marrëdhënieve me Serbinë kur ajo këtë nuk e do, por e do veriun e pavaruar në florinj. Vetëm veriu i Kosovës po ta qesim në pazar vlen me shumë se tri Serbia, prandaj edhe vazhdimi i dialogut është i pakuptimtë përderisa Serbia ende e mban në Kushtetutën e saj Kosovën si pjesë përbërëse të saj që askush nga ndërkombëtarët nuk guxon të ia kërkojë që atë të heq”, thekson ai.

E këtë, sipas profesorit, Vuçiqi ua bëri me dije në KS të OKB-së, se me sulmin terrorist në Banjskë është shkelur integriteti i Serbisë, e që nënkuptoi se Kosova vazhdon të jetë pjesë e Serbisë.

“Këte ua tha Vuçiq anëtarëve të KS, e përmes kësaj tërë botës i tha se problem midis Kosovës dhe Serbisë është territori, ndarja e Kosovës, e jo paraqitja false e pozitës së serbëve në Kosovë. Pozita e serbëve të Kosovës, të gjitha turbulencat rreth rebelimit të serbëve, janë gjenerator i vetë Vuçiqit. Në këtë vazhdë është edhe “afera e kesaj paçavre monetare serbe-dinar” si pretekst i kësaj që e çoi botën deri në KS të OKB pa asnjë arsye dhe ndonjë fakt të veçantë”, thekson Maxharraj.

Sipas tij, Kurti ka thënë se dinari nuk është ndaluar, por së pari duhet të konvertohet në euro.

“Kurti shumë fuqishëm e demantoi Vuçiqin për rrenat e tij, për mashtrimet e shumta për shqiptarët, të bëra para ndërkombëtarëve, të cilat i bënte me ndihmën e ndërmjetësuesve të BE-së si me Borellin e Lajçakun që vijnë qëllimshëm nga vendet që nuk e kanë njohur Kosovën. Këta të dy janë fatkeqësia e BE-së, por më mirë se këta nuk janë as opozita e Kosovës, që për dy dekada në pushtet e shkatërruan Kosovën duke e vjedhur dhe plaçkitur”, thotë ai.

Sipas tij, qëllimi i opozitës është lufta për pushtet dhe rrëzimi i Kurtit.

“Edhe Vuçiqi po kërkon këtë. Thjesht kësaj opozite Kurti ua ka zënë rrugën, duke mos harruar se Kurti është një stuhi, është një murlan, është një zerzele që i bën rrafsh të gjithë ata që i dalin përpara sepse e ka forcën, jo atë të Grenellit, por të popullit”, potencon profesori.

“Në dialog Qeveria e Kosovës nuk guxon të bëjë gabimin katastrofal duke e përfshirë dinarin serb. Qeveria e Kosovës jo që s'duhet t’i fusë në dialog dinarin dhe komunat ilegale, por këtë as nuk guxon, as nuk ka të drejtë të bëjë sepse ky do të ishte fundi dhe fataliteti i tij, sepse Serbia përmes tyre tenton të zgjerohet në krejt Kosovën si një shtet në hije për të cilën gjë edhe po çon pluhur që kjo të ndodhë. Por, kjo nuk duhet t’i ndodhë dhe nuk guxon t’i ndodhë Albin Kurtit lider i pakontestuar i Kosovës, por mund të bëhet vetëm me servilët e opozitës të cilëve nuk u intereson shteti por pushteti”, përfundon profesori Binak Maxharraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat