“Nëse Hashim Thaçi...”, Bytyçi: Në ditën kur Thaçi po udhëtonte për t’i vënë thikën Kosovës, Gjykata Speciale shpalli akuzën ndaj tij!

Politika

“Nëse Hashim Thaçi...”, Bytyçi: Në ditën kur Thaçi po udhëtonte për t’i vënë thikën Kosovës, Gjykata Speciale shpalli akuzën ndaj tij!

Nga: Nehat Shaqiri Më: 8 mars 2024 Në ora: 13:59
Hashim Thaçi

Gjykata Speciale gjatë ditës së djeshme ka bastisur shtëpinë e ish-komandantit të përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimit.

Lidhur me këtë Artan Qerkini, avokat i Selimit, tha se bastisja u krye nën dyshimin se ka prova për pengim të administrimit të drejtësisë, porse klienti i tij nuk është i dyshuar.

Qerkini u ankua për shkelje të të drejtave kushtetuese të Selimit, ndërkaq, ai paralajmëroi ankesë për urdhrin e Gjykatës.

Në lidhje me këtë çështje, profesori dhe analisti politik, Enver Bytyçi, thotë se, nga ajo çfarë u tha në media ky kontroll u bë për të kapur ndonjë provë që u duhet prokurorëve specialë për presione ndaj dëshmitarëve, sidomos atyre anonimë.

Në fakt, sipas tij, presioni ndaj dëshmitarëve të Gjykatës Speciale është një problem shumë i madh për prokurorinë speciale, sepse përmes presionit ata mund të dështojnë në hetimet dhe për pasojë në nxjerrjen e përgjegjësisë.

“Është çështje jo vetëm integriteti, por edhe ndëshkimi për profesionalizmin e tyre”, thotë ai.

Bytyçi shton se, në Kosovë ndodhin presione ndaj dëshmitarëve të kësaj gjykate, dhe kjo gjë dihet.

Image
Enver Bytyçi

“Madje kjo ishte arsyeja kryesore pse Gjykata Speciale e Kosovës u vendos në Hagë, jashtë territorit të Kosovës. Besoj se e kuptoni se çdo të thotë edhe Gjykatë e Kosovës, edhe me seli 2500 km larg Kosovës! Është vërtetë një absurd i paparë ky. Por shkatarë ishin pikërisht ata që sot janë në Hagë e para së gjithash, Hashim Thaçi, i cili fillimisht iu hakërrua Dick Marty-it se “do ta masakronte në një proces gjyqësor” dhe nuk e bëri. Edhe sot e kësaj dite jam i paqartë pse nuk veproi. Edhe 100 gjyqe speciale të krijohen, asnjëra prej tyre nuk mund të provonte se UÇK paska bërë tregti me organet e viktimave serbe. Se nuk është e vërtetë. E vërteta është se Serbia e Milosheviçit dhe e Vuçiqit ka bërë tregti me spitalet e Moskës me së paku rreth 400 organe të brendshme të shqiptarëve të plagosur në Kosovë e të ngarkuar e dërguar në brigjet e Danubit ose të Savës!”, thotë Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Profesori shton se, nëse Thaçi do të padiste Martyn, atëherë KE nuk do ta kërkonte krijimin e Gjykatës Speciale.

“Nëse Hashim Thaçi do ta padiste Dick Marty-in, ndoshta situata nuk do ishte kjo e sotmja. Nëse ai do të provonte në gjyq zviceran se Dicku shpifte, atëherë as KE nuk do ta kërkonte krijimin e Gjykatës Speciale të Kosovës. Tani Sulejman Selimi përballet me kontrolle arbirtrare të kësaj gjykate. Ishte për mua një shfaqje e shëmtuar në ditën e shenjtë të Kosovës të përkujtimit të sakrificës së Adem Jasharit dhe familjes së tij. Unë nuk besoj se është bërë kjo pa qëllim. Prej sot nuk i besoj më përrallave se Prokuroria dhe Gjykata Speciale nuk po gjykojnë Luftën Çlirimtare të shqiptarëve të Kosovës. Dhe kjo ndodh për të bërë militantin besnik të Serbisë. Pra, sot unë besoj se Prokuroria Speciale në Hagë është mashë në duart e Beogradit”, thekson profesori.

Sipas tij, fakti që ky kontroll në banesën apo shtëpinë e Sulejman Selimit u zhvillua me shtatë mars 2024, në ditët kur Kosova është e gjitha me mendje e shpirt në përkujtim të sakrificave dhe vuan e vajton humbjet e saj nga genocidi serb në Kosovë, e kompromenton Prokurorinë dhe vetë Gjykatën.

“Unë prej sot nuk i besoj më kësaj gjykate. Kisha shpresë se kjo gjykatë dhe prokuroria e saj do të zbulonin së paku disa krime që kanë ndodhur me vrasjen e likuidimin e kundërshtarëve politikë, aktivistëve të Lidhjes Demokratike në Kosovë. Kjo ishte arsyeja kryesore pse e kam mbështetur aksionin dhe akuzën kundër Thaçit sidomos. Por e them hapur. Kam mbështetur akuzën kundër Thaçit kryesisht për shkak të aktivitetit të tij për ndarjen e Kosovës. Dhe duhet ta pranojmë. Nëse nuk do të shpallej akt-akuza kundër tij në atë fillim qershori 2020, ai mund ta arrinte firmosjen e marrëveshjes me Serbinë për ndryshimin e kufijve. Prandaj e kam mbështetur. Por nëse këta prokurorët e Speciales bëjnë gjueti për llogari të Serbisë, atëherë ata po vazhdojnë me metoda tjera genocidin e Millosheviçit kundër shqiptarëve në Kosovë”, thekson ai, duke shtuar se rasti i djeshëm i kontrollit të Sulejman Selimit duhet të lexohet kësisoj.

“Ndërsa po dje u dha edhe një lajm tjetër se këta prokurorët paskan shkuar edhe te shtëpia e Hajredin Kuçit. Po këtu çfarë kërkuan? Pse duhet të shkonin te dikush që lidhje nuk kishte as me luftën, as me akuzat që këta prokurorë kanë ngritur? Kushdo të ishte arsyeja, akti mbetet arrogancë. Gjyktatat e prokuroritë janë arrogante si institucione. Por ato i bën të tilla fakti se zbatojnë ligjin. Çfarë ligji parashikon që t’i shkosh në shtëpi për kontroll ose për ta pyetur dikë, kur ndaj tij nuk ka asnjë akuzë?! Nëse donin të sqaronin diçka, kjo mund të ndodhte ose duke i thirrur në selinë e Prokurosisë përkatëse, ose duke u instaluar në një ambjent neutral”, thotë tutje profesori.

Bytyçi më tej shprehet se, sjellja arrogante dëshmon se prokurorët specialë të Hagës e kanë një hall të madh.

“Janë në ankth se po dështojnë në provën që paraqesin për të mbrojtur akuzat e tyre! Nëse ndodh kjo, atëherë faji nuk është as i Sulejman Selimit, as i Hajredin Kuçit. Faji është i vetë kësaj prokurorie. Megjithatë unë i falënderoj këta që në ditën kur Thaçi po udhëtonte për t’i vënë gërshërët e thikën Kosovës, ata shpallën akuzën ndaj tij! Edhe për kaq ia ka vlejtur ajo që u bë!”, përfundon profesori Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat