Incidenti në Zveçan, analisti: Ja pse nuk ka ende reagim nga ambasadorët e QUINT-it, ky është synimi i Serbisë

Politika

Incidenti në Zveçan, analisti: Ja pse nuk ka ende reagim nga ambasadorët e QUINT-it, ky është synimi i Serbisë

Nga: A.Zh Më: 9 mars 2024 Në ora: 12:04
Pamje nga incidenti i fundit në Zveçan

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë dje vendosi që në komunat e veriut zgjedhjet lokale të përsëriten me 21 prill 2024.

Sipas profesorit universitar dhe analistit politik, Enver Bytyçi, ky vendim u mor në momentin kur diskutimet dhe debatet për lejimin e përdorimit të dinarit në këto komuna po shterohej.

Ai ka lavdëruar vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për dinarin, duke thënë se BQK qëndroi besnike deri në fund, në respekt të sovranitetit të vendit.

“Nëse një vendim i tillë do të merrej në ditët e fillimit të zbatimit të vendimit të BQK-së për dinarin, atëherë do të thuhej se vendimi për zgjedhjet ishte një masë për të paralizuar pikërisht diskutimin për dinarin. Por, BQK i qëndroi besnike vendimit të saj deri në fund. Shkoi në Bruksel dhe nuk mund të mos shkonte. Por, mbrojti vendimin që dinari të përdoret në Kosovë njësoj si çdo valutë tjetër dhe euro të përdoret si monedhë këmbimi. Madje nuk u pranua as edhe ajo periudha e tranzicionit, të cilën e kërkuan me ngulm vendet e Quint-it dhe Brukseli. E gjitha ndodhi në respekt të sovranitetit të Kosovës”, është shprehur profesor doktor Enver Bytyçi.

Ai vlerëson se edhe shpallja e zgjedhjeve të parakohshme në veri të Kosovës, është akt i respektimit të sovranitetit të vendit. Bytyçi ka kujtuar se si krerët e shtetit nuk bënë lëshime as kur Kosovës iu kërkua t’i nënshtrohej kërkesave anti-kushtetuese të serbëve dhe të Serbisë.

“Tani jemi në fazën kur Lajçak duhet ta revokojë kërkesën për të rikthyer 1244-ën në administrimin e Kosovës! Edhe shpallja e zgjedhjeve të parakohshme më 21 prill është akt i respektimit të sovranitetit të Kosovës. Më kujtohet kur presidentja Vjosa Osmani në kulmin e debatit të nxehtë për përsëritjen e atyre zgjedhjeve, pati kërkuar gjatë një samiti në Moldavi që të respektohet ligji e kushtetuta dhe serbët e Kosovës ta kërkojnë vetë përsëritjen e zgjedhjeve me 20 përqind të firmave të tyre. U ngritën asokohe të paguarit e Beogradit dhe çfarë nuk thanë! Thanë se “Kosova nuk është në situatë kur të imponojë bashkësinë ndërkombëtare që serbët ta kërkojnë zgjedhjen e re të kryetarëve në katër komuna me nënshkrimet e tyre”! Bënë presion që Kosova t’i nënshtrohej kërkesave anti-kushtetuese të serbëve dhe të Serbisë. Qeveria dhe kryeministri Kurti nuk u tërhoqën, nuk bënë lëshime”, ka thënë më tej analisti.

Ndërsa, duke komentuar incidentin e fundit në Zveçan, ku nënkryetares së komunës Natasha Tomaniq, iu dogjën dy biznese nga terroristët serbë, Bytyçi ka kritikuar ambasadorët e huaj. Ai ka thënë se ata nuk kanë dënuar ende terrorin e serbëve, pasi frikësohen se do të zemërohet presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

“Të gjitha institucionet kërkuan zbatimin e ligjit dhe kushtetutës në veri me qëllim që sovraniteti të shtrihet edhe në këtë pjesë të vendit. Por, terroristët serbë vazhduan presionin me metoda gjithashtu terroriste. Para tri-katër ditësh ata hodhën në erën dy biznese të nënkryetares me kombësi serbe të Komunës së Zveçanit, me mendësinë e ndëshkimit të njerëzve lojalë që bashkëpunojnë dhe njohin institucionet e Kosovës. Albin Kurti pas kësaj kërkoi që vendet e QUINT-it të reagojnë kundër këtij akti jo civilizues. Megjithatë, asnjë prej ambasadorëve ose vendeve të pesëshes (SHBA-Britani e Madhe-Gjermani-Francë dhe Itali) nuk kanë reaguar. Nuk bënë asnjë deklaratë dënimi të terrorit të serbëve që drejtohet po kundër serbëve në Kosovë. Kanë frikë se zemërohet presidenti Vuçiq. Dhe prej këtyre frikacakëve evropianët e amerikanët presin ta fitojnë luftën në Ukrainë! Nga frika e Vuçiq nuk guxojnë ta dënojnë Serbinë për terrorizmin e saj të përsëritur në shkallë të rrezikshme për stabilitetin në rajon e në Evropë”, ka nënvizuar Enver Bytyçi.

Sipas tij, pesëshja e QUINT-it nuk ka frikë të kërcënojë të dobëtën – Kosovën.

“Vendet e QUINT-it nuk kanë aspak frikë të kërcënojnë të dobëtit, ata që kanë të drejtën legjitime të mbrohen prej terrorit serb. Në rastin konkret Kosovën dhe qeverinë e saj! Por, t’i frikësohesh të fortit e ta përdorësh për mbrojtje të dobëtin, është dobësi e kaluar dobësisë! Përveçse është padrejtësi dhe pjesë e intrigës! Po të më pyesje në dekadën e fundit të shekullit të kaluar se a mund të vinte ndonjëherë kjo ditë, kurrë nuk do ta kisha besuar! Vendet më të fuqishme e më të industrializuara të botës kanë frikë nga Serbia?! Kanë frikë ta dënojnë presidentin e këtij vendi edhe pse ai është zënë me presh në duar si organizator i akteve terroriste në Kosovë?! Madje në vend që të ndëshkojnë terroristët, kërcënojnë për ndëshkim dhe vendosin masa ndëshkuese viktimave të terrorit serb, në rastin konkret Kosovës?”, ka vlerësuar ai.

Në fund, analisti ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës, që të kompensojë dëmet e biznesit të nënkryetares së komunës së Zveçanit dhe të ruajë me ligj serbët që kërcënohen nga terroristët serbë.

“Qeveria e Kosovës duhet ta kompensojë ose të financojë të gjitha dëmet e nënkryetares së Komunës së Zveçanit dhe të ruajë me ligj të veçantë ata serbë në Kosovë që kërcënohen po nga terroristët serbë. Kjo nuk është vetëm interes serb, por edhe interes i Kosovës. Në vitin 2007, në librin tim “E drejta e Vetëvendosjes: Rasti i kosovës”, kam rekomanduar që qeveritë e Kosovës duhet t’i ruajnë serbët e Kosovës nga aktet e terrorit të Beogradit kundër tyre, sepse me këto akte Serbia synon të fajësojë shqiptarët e të zhbëjë shtetin e Kosovës! Sot, pas 17 vitesh koha po më jep të drejtë! Fatkeqësisht!”, ka shtuar Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat