Në pritje të një drafti të ri për Asociacionin – rikujtohet deklarata e kryeministrit Kurti, ja synimi i tij!

Politika

Në pritje të një drafti të ri për Asociacionin – rikujtohet deklarata e kryeministrit Kurti, ja synimi i tij!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 10 mars 2024 Në ora: 16:05
Foto ilustrim

Tema e Asociacionit mbetet një nga temat më të rëndësishme për Kosovën.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha para deputetëve të Kuvendit muaj më parë se draft-statuti për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i prezantuar nga diplomatët ndërkombëtarë, ka qartësi sa i përket njohjes së Kosovës.

Sipas tij, kjo qartësi nuk paraqet “Zajednicën” (v.j. që në gjuhën serbe do të thotë Asociacion) të paraparë në marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015, sepse "asisoi do të ishte i padiskutueshëm".

Ai megjithatë tha se draft-statutin zyrtarisht ende nuk e ka pranuar. “Ta pranosh nënkupton të pajtohesh që të ndërmarrësh obligime për zbatimin e draftit", tha ai, duke shtuar se ai ka ofruar që ta nënshkruajë atë dhe "si rrjedhojë ta pranoj".

E më tutje Kurti ishte shprehur që në fillim të këtij viti pala e Kosovës do ta hartojë vet një draft për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. 

Mirëpo ani pse është deklaruar kështu, nuk kemi ende asgjë sa i përket këtij drafti.

Kujtojmë që Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Sipas marrëveshjeve, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të këtyre komunave, veçmas në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.

Marrëveshja e vitit 2013 për Asociacionin thekson se ai do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të komunave të Kosovës.

Po ashtu thuhet se Asociacioni do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore dhe që do të ketë një rol përfaqësimi tek autoritetet qendrore.

Kelmendi: Marrëveshjet e pranuara nga Kosova dhe Serbia do të zbatohen

Image
Muhamet Kelmendi

Në lidhje me këtë temë në një  prononcim për “Bota sot”, ka folur juristi Muhamet Kelmendi.

Ai thotë se Kosova dhe Serbia kanë bërë marrëveshje për Asociacion dhe se e njëjta duhet zbatuar.

“Kosova dhe Serbia kanë bërë shumë marrëveshje. Edhe në vitin e kaluar u bënë dy. Asociacioni del edhe nga Marrëveshja e fundit e Brukselit dhe Aneks-marrëveshja e Ohrit. Këto dy marrëveshje janë pranuar nga pala e Kosovës.  Po ashtu po kërkohet nga z Kurti nënshkrimi i tyre për të u zbatuar. A do të nënshkruhen?  Kjo nuk dihet! Temat tjera, si dinari etj , janë futur pa analizë të qartë paraprake në tema konfliktuoze me palën serbe. Tash  gjendet Republika e Kosovës para dilemave të thella dhe kërkohet syçeltësi në zhvillimet tjera”, u shpreh ai.

Më tej, juristi shprehet se zgjedhjet në Evropë dhe SHBA kanë larguar vëmendjen e dialogut Kosovë – Serbi.

“Natyrisht se për shkak të zgjedhjeve në Evropë dhe në SHBA nuk priten zhvillime intensive. Pas zgjedhjeve do të intensifikohen angazhimet. Kosova e ka lidhur veten me marrëveshje dhe ato duhet të zbatohen. Në pyetje është vetëm koha”, foli Kelmendi për “Bota sot”.

Mehmeti: Albini po luan shumë mençur

Image
Faton Mehmeti

Ndërsa analisti politik, Faton Mehmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që deklarata e Kurtit është të i ikë presionit ndërkombëtar.

“Mendoj se kryeministri Kurti ka synim ta shtyjë në pambarim çështjen e Asociacionit, po bën lojëra politike ama nuk besoj asnjëherë që do e bëjë Asociacionin. Kjo deklaratë është vetëm se ai ik nga presioni, edhe hartimin që do e bëjë në mandatin tjetër do jetë me defekte kushtetuese çka do bëjë që vet Gjykata ta rrëzojë, kështu e shoh unë këtë çështje”, thekson analisti.

Në fund, ai shton që Kurti po luan mençur.

“Albini po luan shumë mençur, në njërën anë mos të bie në kundërshtim me veten që Asociacioni s’duhet të ndodhë dhe në anën tjetër po amortizon presionin ndërkombëtar, kështu që edhe nuk po e bën Asociaconin dhe në anën tjetër po e gjuan topin te Serbia”, përfundoi Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat