Sondazhi e nxori fituese, por LDK merr kritika të forta nga ish-bashkëpunëtori i Presidentit Rugova - rezultati i pabesueshëm

Politika

Sondazhi e nxori fituese, por LDK merr kritika të forta nga ish-bashkëpunëtori i Presidentit Rugova - rezultati i pabesueshëm

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 10 mars 2024 Në ora: 18:06
Kryesia Qendrore e LDK-së

Një sondazh i fundit i prezantuar në rrjetet sociale, ka nxitur reagime të shumta. Kjo për shkakun e rezultateve që jep ky sondazh.

Sipas rezultateve, si parti e parë doli Lidhja Demokratike e Kosovës me 48%, e pasuar nga Lëvizja Vetëvendosje, që aktualisht është në pushtet, me 44%. Pastaj vjen Partia Demokratike e Kosovës me 6%, ndërkaq koalicioni AAK-Nisma vetëm 1%.

Pas këtij sondazhi ka pasur komente nga më të ndryshmet, disa duke pranuar rezultatin e Vetëvendosjes si shkak i qeverisjes prej tash e tre vjet, dhe të tjerët që janë habitur me rezultatin e LDK-së, pasi nuk ka bërë ndryshime në udhëheqjen e saj, tash e tre vjet.

Zogaj: LDK-ja është plot me "mish të egër" që po e sjell në komë LDK-në e Ibrahim Rugovës

Njëri nga bashkëpunëtorët më të afërt të Presidentit historik, Ibrahim Rugova, Skender Zogaj, ka komentuar rezultatin e këtij sondazhi. Ai në një përgjigje për ‘Bota sot’, thotë se për disa arsye, sondazhet janë pjesë e lojës propagandistike për partitë politike.

Image
Skender Zogaj

“Sondazhet janë pjesë e lojës propagandistike që partitë politike e luajnë për tri arsye kryesore: Një - për vetëkënaqësi partiake me shpresën se e forcojnë optimizmin dhe ndikimin në mobilizimin e radhëve partiake për të qenë anëtarësia sa më aktive dhe për t'u sjellë si fituese; dy - për të zgjuar kërshërinë hutuese të pjesës "pa kurrizore" elektorale, e cila gjithmonë tenton të jetë në anën e partisë fituese, dhe kjo pjesë në Kosovë përbën rreth 25 përqind të votuesve, gjë që ka ndikim të madh në rezultatin votues; dhe tre - për të provokuar partitë rivale që të shqetësohen dhe të ndërmarrin veprime, nga të cilat mund të krijohen strategjitë e gabuara paraelektorale të partive”, vlerëson ai.

Sa i përket rezultatit të LDK-së, Zogaj thotë se,  si i tillë, ai del i pabesueshëm, sepse LDK-ja nuk ka bërë reformën e premtuar.

Zogaj tutje tregohet shumë kritik ndaj përfaqësuesve të kësaj partie, duke thënë se ata që janë pjesë e LDK-së, ‘janë figura që e kanë shkallmuar LDK-në’.

“Sondazhi i LDK-së që e nxjerr veten si parti e parë, në kushtet aktuale të veprimtarisë së përditshme, del i pabesueshëm sepse, niveli i funksionimit të degëve të LDK-së në Kosovë është nën çdo nivel, sepse, LDK-ja nuk e ka bërë reformën e premtuar, sepse në shumicën e kryesive (duke u nisur nga kryesia qendrore) është me përbërje hardallësh, që nuk kanë të bëjnë asgjë me LDK-në, por janë aty sepse kanë merita të forta anti-LDK-iste! Janë figura që e kanë shkallmuar LDK-në, që i kanë irituar dhe ua kanë pamundësuar militantëve të devotshëm partiakë që të japin kontributin e tyre; LDK-ja është plot me "mish të egër" që po e sjell në komë LDK-në e Ibrahim Rugovës. Prandaj, sondazhin e konsideroj të pasaktë, sepse, nga prizmi im, prej militanti të përbetuar, unë them se, nëse LDK-ja nuk kthjellet dhe të ndalojë eksperimentimin duke kërkuar rrugë të reja, do ta ketë keq! LDK-ja është në çastin ekstrem kur duhet të përqendrohet te bërthama amë, të bëjë sa më parë spastrimet nga "maskat dhe maskarenjtë" dhe pastaj edhe pa sondazhe, mund të shpresohet fitorja”, vlerëson Zogaj.

Mehazi: LDK-ja, jo që nuk mund ta mposht LVV-në, por as PDK-në e Memli Krasniqit

Po ashtu, për këtë ҫështje ka folur edhe analisti politik, Sulejman Mehazi. Ai thekson se, ky sondazh është i pabesueshëm dhe është i qëllimshëm nga militantët, pasi LDK-ja nuk mund të dilte si parti e parë, para LVV-së.

Image
Sulejman Mehazi

“Është e pabesueshme sondazhi i dalë nga "Debat plus" që favorizon LDK-në para LVV-së, me siguri nga 10 mijë e më tepër persona në bashkëpunim me "Debat plus" votuesit qëllimshëm kanë qenë anëtarë, militantë apo simpatizantë të LDK-së duke anashkaluar shumicën e votuesve të LVV-së, sondazhi nuk është i saktë, real dhe i arsyeshëm pasi dhe zogjtë e malit sikur t'i pyesnim me gjuhën e vet do votonin për LVV-në”, vlerëson profesor Mehazi.

Ai thotë po ashtu se, e vërteta është se LVV-ja është në rritje e kurrsesi të jetë pas LDK-së, e cila jo vetëm të përballet, por së bashku me PDK-në e AAK-në në koalicion nuk do mund ta fitonin LVV-në.

“Shumica e sondazheve si në Kosovë, Shqipëri dhe RMV janë të varura nga partitë politike, grupet e sondazheve kurrsesi nuk janë të pavarura, por shkojnë sipas dëshirave të partive politike. Kjo vërehet dhe tek analistët e ftuar në "Debat plus" të cilët çdoherë kundërshtojnë e kritikojnë partinë e LVV-së të Albin Kurtit në pushtet. Është e pamundur që në sondazhin e bërë nga "Debat plus" të del e para LDK-ja, e cila jo që nuk mund ta mposht LVV-në, por as PDK-në e Memli Krasniqit”, thekson Mehazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat