Ngritet alarmi: Në komunat në veri ka baza të ndryshme ushtarake ilegale serbe - do të përdoren sikur në Banjskë

Politika

Ngritet alarmi: Në komunat në veri ka baza të ndryshme ushtarake ilegale serbe - do të përdoren sikur në Banjskë

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 11 mars 2024 Në ora: 10:52
Zollat e gjetura në afërsi të Manastririt të Banjskës

Ekipi për asgjësimin e mjeteve shpërthyese i KFOR-it ekzaminoi pesë granata raketore të zbuluara nga Policia e Kosovës gjatë ditës së mërkurë në një depo në komunën e Leposaviqit në afërsi të Manastirit të Banjskës

Kurse sipas raportit të policisë mjetet dyshohet si i përkasin ngjarjeve të shtatorit të vitit të kaluar ku grupi terrorist i drejtuar nga Milan Radoiçiq ka sulmuar një patrullë të Policisë së Kosovës ku humbi jetën polici Afrim Bunjaku.

Çfarë flet ky rast për sigurinë në veri? A mund të ketë edhe më shumë armë atje, që janë sjellë nga Serbia për qëllime destabilizuese?

Lidhur me këtë ҫështje, në një prononcim për ‘Bota sot’, ka folur eksperti i sigurisë, Bedri Elezi. Ai ka treguar në detaje këtë aksion të policisë.

“Në një aksion të Policisë së Kosovës, aksion që u zhvillua në pjesën veriore të Kosovës, përkatësisht në zonën ku dyshohej se ishte organizuar agresioni apo sulmi terrorist në Banjska, në afërsi të saj janë gjetur edhe pesë raketahedhës apo zolla ndryshe që thirren në aspektin ushtarak. Të gjitha këto mjete janë gjetur në afërsi të vendit ku është organizuar aktiviteti i dhunshëm, përkatësisht agresioni ndaj Republikës së Kosovës, nga grupet terroriste, të cilat tanimë janë edhe në fletërreshte ndërkombëtare dhe vetë udhëheqësi i tyre ka deklaruar për këtë veprim’, theksoi Elezi.

Image
Bedri Elezi

Elezi: Dyshohet se të njëjtit nuk kanë arritur që t’i marrin të gjitha mjetet e tyre

Sipas tij, grupi terrorist në momentin që kanë marr urdhër për t’u tërhequr nga Banjska i kanë lënë të gjitha mjetet që i kishin me vete.

“Sa i përket faktit se a mund të jenë këto predha të aktivitetit të Banjskës, realisht ne mund të themi se po, këto raketahedhës janë mbetje apo mjete të cilat kanë mbetur gjatë aksionit dhe të cilat janë munduar që serbët dhe pjesëtarët e grupit terrorist t’i lënë në vendet që janë në minimum që të mos kapen nga Policia e Kosovës. Siҫ dihet në kohën kur ka pasur marrëveshje, që të njëjtit të tërhiqen, ata duhet që të lënë të gjitha mjetet që kishin me vete dhe të nisen pa asgjë me vete dhe të largohen në atë drejtim të kufirit me Serbinë”, vlerëson eksperti Elezi.

Ai thekson po ashtu se, në atë rast dyshohet se të njëjtit nuk kanë arritur që t’i marrin të gjitha mjetet e tyre, qofshin pajisje ushtarake, qofshin edhe pajisje tjera të cilat do të ishin të dobishme për institucionet e zbatimit të ligjit, të Republikës së Kosovës.

“Sa i përket asaj se a mund të kemi mjetet të tjera në zonën në fjalë, ne sigurisht që shprehim dyshimet tona se realisht mund të ketë sërish mjete të tjera, të cilat janë në atë zonë dhe kanë mbetur si rezultat i aktivitetit të 24 shtatorit të vitit të kaluar dhe kjo ka të bëjë me faktin që Policia e Kosovës ka kontrolluar gjithë zonën bashkë me autoritetet tjera, edhe me KFOR-in edhe EULEX-in, sepse kanë arritur që të kontrollojnë të gjithë zonën dhe të njëjtit kanë larguar nga vendi i ngjarjes apo vendet përreth, të gjitha mjetet luftarake, në këtë rast edhe armët e rënda, siҫ janë predhat”, vlerëson ai.

Tutje, eksperti thotë se, ky aksion i Policisë së Kosovës i demanton vetëm ato deklarime të institucioneve të zbatimit të ligjit, që konfirmon se ekziston rreziku që mjete të tjera të kemi në atë zonë.

“Unë duhet të ngris alarmin se jo vetëm në zonën e Banjskës, ne kemi dyshimet se në të gjitha enklavat serbe, në mos në enklavat serbe, në komunën e veriut të Mitrovicës, ka baza të ndryshme ushtarake, të cilat janë me pajisje të ndryshme luftarake, dhe pritet që të njëjtat mund të shfrytëzohen në rast se serbët edhe njëherë organizojnë aktivitete të dhunshme, siҫ ka ndodhur më 24 shtator dhe aktivitete që janë mbështetur nga Beogradi dhe Moska zyrtare. Prandaj, mund të themi se ky rast është një dëshmi e fuqishme se institucionet e zbatimit të ligjit duhet të punojnë fuqishëm për të kërkuar të gjitha lokacionet ku mendohet se mund të ketë armë të ndryshme dhe të bindin faktorin ndërkombëtarë dhe të sjellin argumente para prokurorisë dhe gjykatës që të bastisin të gjitha pronat e kulteve, siҫ janë kishat apo manastiret, në mënyrë që të kontrollojmë bunkerët e ndryshme, ku janë vendosur armatime të shumta e të cilat përbëjnë rrezik për sigurinë e Kosovës”, thotë ai.

Është obligim i institucioneve të Kosovës që të bashkëpunojnë me faktorin ndërkombëtarë, thotë eksperti Elezi, që të sjellin sa më shumë informacione dhe të ofrohet siguri për banorët serbë të atyre zonave e më pas edhe gjithë territorin e Kosovës.

“Prandaj mund të them se, obligim i institucioneve të Kosovës, të punojnë ngushtë me faktorin ndërkombëtarë, për të sjellë gjithë ato informacione, sepse lokacionet e ndryshme të komunitetit serbë, përfshirë ato katër komunat më shumicë serbe, të bëhet një operacion apo ndonjë gjë për demilitarizimin e zonave, fillimisht që të ofrohet siguri për serbët në atë pjesë, por më pas edhe për gjithë territorin e Republikës së Kosovës, sepse armatime të tillë mund të jenë në dispozicion të grupeve terroriste apo të qytetarëve me rrezikshmëri të lartë”, nënvizoi Elezi.

Burjani: Nuk duhet të lejohen më struktura të dikurshme dhe mendime e ide shkatërruese në veri

Image
Blerim Burjani

Po ashtu edhe njohësi i ҫështjeve juridike, Blerim Burjani thotë se atje nuk ka siguri përderisa nuk do të ketë zgjidhje për qytetarët serbë, por jo për Serbinë.

“Pra mendoj në integrimin e serbëve veriorë në sistemin legal të shtetit të Kosovës, tentativa për të shkaktuar pasiguri do të ketë edhe tani. Tash ideja që të krijohen strukturat edhe legale edhe ilegale pas zgjedhjeve ka gjasa të mëdha. Kthimi i gjithë strukturave ilegale si më herët është problem nga fillimi, pra duhet të ketë zgjidhje të përhershme, ku nuk do të lejohen që të funksionojë Lista Serbe me benefit të njëjtë apo me ndonjë Radoiҫiq tjetër. Nëse ndodh kjo, do të ishte e kotë tërë politika e Kurtit. Pra nëse nuk ka destabilizim të një politike të re serbe, atëherë veriu do të shkurorëzohet  nga ndikimi i Beogradit, kjo nuk duhet më kurrë të ndodhë në veri, pra nuk duhet të lejohen më struktura të dikurshme dhe mendime e ide shkatërruese në veri”, vlerëson profesor Burjani.

Ai thotë se për vite të tëra është bartur armatim nga Serbia dhe atje vetëm tanket ilegale mungojnë.

“Normal se tërë kohën apo për vite është bartur armatim nga Serbia dhe tek tash ka filluar të mblidhen armë të lehta, të rënda, atje vetëm tanke që nuk kanë ilegalisht nga Serbia”, vlerëson Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat