Në pritje të mesazheve të Escobar-it, ekspertët flasin mbi qëllimet e vizitës së zyrtarit amerikan - ja çfarë pritet të ndodhë

Politika

Në pritje të mesazheve të Escobar-it, ekspertët flasin mbi qëllimet e vizitës së zyrtarit amerikan - ja çfarë pritet të ndodhë

Arife Morina Nga Arife Morina Më 12 mars 2024 Në ora: 12:01
Gabriel Escobar

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pritet të qëndrojë gjatë kësaj jave në Prishtinë për të biseduar me udhëheqësit e Kosovës për dialogun me Serbinë dhe çështjen e dinarit serb.

Vizita e të dërguarit amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar në Kosovë po ndodh në një kohë mospajtimesh mes qeverisë së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara lidhur me çështjen e përdorimit të dinarit serb në Kosovë.

Përmes një komunikate, Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi se përveç Kosovës, zoti Escobar do të vizitojë edhe Malin e Zi, Brukselin dhe Austrinë në kuadër të rikonfirmimit të angazhimit të Shteteve të Bashkuara ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Në Kosovë, ai do të takohet me udhëheqësit e qeverisë së Kosovës, shoqërinë civile dhe komunitetin serb, për të nënvizuar mbështetjen e vazhdueshme dhe të fuqishme të Shteteve të Bashkuara për dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në njoftim, në të cilin nënvizohet se në kuadër të kësaj vizitë do të diskutohet edhe për çështjen e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës.

“I dërguari i posaçëm do të zhvillojë takime mbi ndikimin e rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës në operacionet me para të gatshme dhe do të nxisë hapa për të siguruar që nevojat e qytetarëve të Kosovës të përmbushen plotësisht dhe pa ndërprerje”, thuhet në njoftim.

Kurse, sot (e martë) Gabriel Escobar në Bruksel do të mbajë një konferencë ku do të flasë për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe hapat e ardhshëm në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

Ai në një konferencë do të ndajë perspektivat nga takimet e tij në Bruksel dhe se si Shtetet e Bashkuara po punojnë me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe partnerët evropianë për të thelluar integrimin euroatlantik dhe bashkëpunimin rajonal.

Këtë të martë Zëvendës-ndihmës Sekretari për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike i SHBA-së, Gabriel Escobar, do të mbajë një konferencë për media ku do të flasë për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi.

“Zëvendës-ndihmës Sekretari Escobar do të diskutojë qëllimet e Departamentit në Ballkanin Perëndimor, me vëmendje të veçantë për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe hapat e ardhshëm në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Ai do të ndajë perspektivat nga takimet e tij në Bruksel dhe se si Shtetet e Bashkuara po punojnë me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe partnerët evropianë për të thelluar integrimin euroatlantik dhe bashkëpunimin rajonal”, thuhet në njoftim.

Konferenca nis nga ora 15:00 me orën lokale. 

Ky deklarim për media i Escobarit i paraprin vizitës së tij në Kosovë këtë javë. Nga data 10-18, përveç Kosovës, ai do të qëndrojë edhe në Belgjikë, Austri dhe Mal të Zi.

Këtë vizitë të Escobarit e komentuan ekspertët për gazetën “Bota sot”, derisa folën mbi rëndësinë dhe ndikimin e kësaj vizite.

Shabani: Kosova nuk ka pasur qeverisje të mirëfilltë dhe kaq të suksesshme siç e ka tani me kryeministrin Albin Kurti

Mbi vizitën e Escobar në Kosovë, në një prononcim për “Bota sot” foli njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Amir Shabani.

Image
Amir Shabani

Së pari, ai potencoi faktin se Escobar po vjen në Kosovë, në një kohë kur raportet e Qeverisë së Kosovës me disa zyrtarë amerikan janë të tensionuara.

“Vizita e të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar vjen në një kohë kur marrëdhëniet e zyrtarëve amerikanë me Qeverinë e Kosovës duken të tensionuara për shkak të çështjes së dinarit serb, të cilin Banka Qendrore e Kosovës e ndaloi përmes një rregulloreje muajin e kaluar.

Sipas Departamentit amerikan të shtetit, ata mendojnë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk po e përfill kërkesën e SHBA-së për çështjen e dinarit dhe se një vendim i tillë nuk është marrë në kohën e duhur”.

Krahas kësaj, Shabani tha se presionet që po i bëhen Kosovës janë të padrejta.

“Mendoj se presioni që i bëhet Kosovës për vendimet e marra si qeveri, janë të padrejta dhe duket paradoksale se pse të parandalohet një vendim ligjor i një shteti i cili insiston në zbatimin e shtetit të së drejtës dhe kushtetutës.

Shtetet e Ballkanit Perëndimor, përveç Serbisë, të gjitha janë në partneritet të ngushtë me SHBA-të dhe ndërmarrja e disa vendimeve të caktuara të këtyre shteteve me qëllim të funksionalitetit të mirëfilltë, e që konsiderohet e papranuar nga aleatët perëndimorë, nuk do të thotë se i prish apo zbeh marrëdhëniet mes tyre, përkundrazi kjo duhet të jetë një përkrahje ndaj atij shteti që angazhohet në shtetndërtim”, theksoi ai.

Më tej, kërkoi që të rritet trysnia ndaj Serbisë, marrë parasysh veprimet që po i bënë ndaj shtetit tonë.

Kurse, sa i përket Kosovës, tha se nuk ka pasur asnjëherë qeverisje të mirëfilltë si kjo e Kurtit.

“Perëndimi, në vend që ta shtojnë trysninë tek Serbia për çdo padrejtësi dhe destabilizim që ka krijuar në rajon, ata këtë po ia bëjnë Kosovës. Pse në Serbi nuk përdoret valutë tjetër përveç dinarit?! Pse ne shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk përdorim valutë të caktuar por e përdorim vetëm denarin si valutë e vetme e shtetit?! Andaj, edhe Kosova, si valutë të vetme që e ka euron, është normale të merr një vendim të tillë.

Kosova nuk ka pasur qeverisje të mirëfilltë dhe kaq të suksesshme siç e ka tani me kryeministrin Albin Kurti dhe si duket një mbarëvajtje e tillë ka qenë e pa pritshme edhe për aleatët perëndimorë, meqenëse kryeministri Kurti ata i konsideron si aleatë të Kosovës dhe përkrahës të denjë, mirëpo jo çdo e thënë nga përkrahësi është e patjetërsueshme të zbatohet”, përfundoi Amir Shabani për “Bota sot”.

Burjani: Escobar duhet plotësisht të orientohet në mënyrën se si të lehtësohet tranzicioni

Kurse, juristi Blerim Burjani nuk beson se do kthehet prapa vendimi i BQK-së, pavarësish presioneve dhe vizitës së Escobarit.

Image
Blerim Burjani

“Nuk besoj se BQK do ta kthej prapa temën e dinarit, e as Kurti, mendoj që duhet të orientohet se si më lehtë të bëhen pagesat me konvertim, kjo punë më së lehti zgjidhet me zyret mikro-financiare, pra dërgohen dhe konvertohen pastaj në banka, apo përmes një banke të kryhet e gjithë puna”, u shpreh ai në një bashkëbisedim me “Bota sot”.

Gjithashtu, tha se Escobar duhet të mundohet ta gjejë formulën e lehtësimit të tranzicionit dhe jo të insistojë në përdorimin e dinarit.

“Tentativa për të shpëtuar përdorimin e dinarit është reduktuar plotësisht, pra fokusimi duhet të jetë në mënyra tjera por jo për të insistuar ndryshe me çdo kusht që të përdoret dinari edhe më keq të imponohet plotësisht përdorimi i dinarit.

Mendoj me këtë rrethanë që ka krijuar Kurti nuk ka kthim prapa. Ndoshta Escobar duhet plotësisht të orientohet në mënyrën se si të lehtësohet tranzicioni por të mos insistohet në shpëtimin e dinarit dhe përdorimin e tij në Kosovë”, përmbylli Blerim Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat