Kritikohet ashpër deklarata e ish-diplomatit të lartë amerikan për Jugosllavinë: Kthim në “ferr”

Politika

Kritikohet ashpër deklarata e ish-diplomatit të lartë amerikan për Jugosllavinë: Kthim në “ferr”

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 12 mars 2024 Në ora: 13:59
Ish-diplomati i lartë amerikan, James Hooper

Jugosllavia u shpërbë njëherë e përgjithmonë në vitin 1992.

Beogradi që i konsideronte disa shtete ballkanike pjesë të saj nuk i ka më dhe nuk do t’i ketë asnjëherë.

Pjesë e kësaj ishte edhe Kosova, madje si krahinë.

Por, ish-diplomati i lartë amerikan, James Hooper, në një intervistë për një nga mediat në Kosovë, duke folur mbi dialogun mes Kosovës dhe Serbisë ka rikthyer në vëmendje modelin jugosllav të Marshall Titos.

Sipas tij, nëse Serbia nuk do të pranohej në Bashkimin Evropian, Vuçiq mund të bëjë një kthesë historike ku do të duhet të formulojë një rrugë të re  – “një rrugë që mund ta rikthejë atë në një model të identitetit jugosllav të epokës së Marshal Tito-s”.

Kelmendi: Vetëm në Bashkimin Evropian mund të ketë lidhje Kosova me shtetin serb

Profesori Muhamet Kelmendi në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se koha e titizmit ka përfunduar dhe nuk do të ketë më kthim prapa.

Image
Muhamet Kelmendi

Tutje, thotë se Serbia është dhe mbetet shtet fashist-racist.

“Koha e Titizmit ka mbaruar. Z.Hooper i SHBA-ve e dinë këtë. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Nuk ka perspektivë në lidhje federative e konfederative me Serbinë. Ky shtet është dhe mbetet fashisto-racist me ideologji serbomadhe të botës serbe të bashkuar. E kaluara historike tregon këtë.

Dhuna, terrori dhe gjenocidi serb ka qenë i ashpër dhe intenziv, i  pandërprerë, një shekull ndaj shqiptarëve. Ajo nuk është ndalur kurrë. Kosovës dhe shqiptarëve i kanë kushtuar shumë. Shqiptarët kanë humbur një Kosovë të tërë. Me qindra e mijëra vetë janë zhdukur nga shteti serb”, thotë ai.

Sipas tij, Kosova e ka përjetuar këtë njëherë, andaj më nuk do të krijohet asnjë lidhje me shtetin serb.

“Kosova e njeh Jugosllavinë titiste. Asnjë lidhje nuk mund të krijohet me shtetin serb dhe kurrë Kosova nuk do të bëhet pjesë e Jugosllavisë. Vetëm në BE mund të krijohen lidhjet me këtë shtet serbomadh. S’ka lidhje tjera”, thekson ai.

Maraj: Kthimi i Shqiptarëve në Jugosllavinë e Titos- Kthimi i Shqiptarëve në Ferr!

Image
Milazim Maraj

Edhe analisti Milazim Maraj thotë se ky do të ishte një ferr për shqiptarët.

Sipas tij, ky propozim do të thotë Serbi e Madhe dhe do të ishte pikërisht realizimi i projektit të Putinit dhe thjesht do të ishte investim në luftëra të ardhshme dhe jo në paqe për të cilën lufton SHBA”.

“Ide për kthimin e shqiptarëve në ferr. Ish diplomati i lartë amerikan James Hooper në këtë intervistë për mediat në Kosovës, së Serbia dhe Kosova mund të kthehet në modelin Jugosllav të epokës së Marshal Titos, është propozim dëshpërues dhe shqetësues për shqiptarë dhe dhuratë për krimet që ka bërë Serbia në kundër popullit të pafajshëm shqiptarë dhe të tjerë në të gjitha luftërat në Gadishullin Ilirik.

Ky propozim është Serbia e madhe. Ky propozim është themeli i botës ruse në BE. Ndarja e Bosnjës, kthimi Malit të zi dhe Maqedonisë në këtë federatë famëkeqe është fundi i shqiptarëve në Gadishullin Ilirik. Pikërisht është realizimi i projektit i Putinit, Sllobodan Millosheviqit, Millorad Dodikut për të cilin po punon Vuçiq dhe kishat serbe (lexo kishat shqiptare të okupuara, dikur më ndihmën e Turqisë); vazhdimisht, e më intensitet të lartë.

Këtë ferr shqiptarët e kanë provuar në të gjitha variantet: në kohën e Turqisë, SKS, Jugosllavia e parë, Jugosllavia e Titos dhe në këtë të Millosheviqit. Të gjitha këto forma shtetërore kanë qenë fatkeqe për popullin shqiptarë, kjo ka rezultuar me kalbje të shqiptarëve në burgje jugosllave, vrasje masive pa gjyq, largime dhe shpërngulje masive të milionave shqiptarëve, ( 22 milion shqiptarë vetëm në Turqi shih; analizë gjermane IZZ 1 mars 2015) shpronësime, kolonizime dhe rikolonizime, dhunë të paparë dhe të pa arsye, inskenime si rasti “Panda” dhe forma e raste tjera të njohura publikisht që shumë shpejt u harruan.

Ky propozim tani do të ishte triumfi i të keqes mbi të drejtën dhe të mirën. Do të ishte investim në luftëra të ardhshme dhe jo në paqe për të cilën lufton SHBA”, deklaron ai.

Më tej, ai thotë se kjo po tregon se Serbia po e bën planin diplomatik dhe arritjet e saj në forma jo njerëzore.

Më tej, thotë se edhe shteti i Kosovës duhet të veprojë dhe se jemi në kohën e fundit për të rënë në binarët e ish-presidentit Ibrahim Rugova.

“Kjo deklaratë tregon punën që po e bënë Serbia në planin diplomatik dhe arritjet e saja në këtë plan në forma jo njerëzore, por korruptive. Po jo vetëm kaq;  Këtu duhet të vlerësohen njëkohësisht edhe defektet e diplomacisë së Kosovës që po ndodhin, pas dr. Ibrahim Rugovës. Koha e fundit është për të rënë në binarë të Dr. Ibrahim Rugovës. Të kërkohet ndihmë nga SHBA për projekte të Kosovës dhe jo të sillet SHBA në fund të aktit të fundit. Opozita e Kosovës ta kuptoj se më shumë se interesi i pushtetit është shteti i Kosovës.

Ta analizojmë për çdo ditë veprimin tonë që e bëmë një ditë më parë. I madhi Azem Shkreli thoshte: “Çdo ditë shoh vetën në pasqyrë dhe mendohem; për atë që bëra dje; ta puthi apo ta pështyj në fytyrë”. Kjo do të ishte e rëndësishme të bëhej në vend të lutjeve të mëngjesit. Për këtë që po ndodhë, Shtetit të Kosovës po i kushton shumë dhe pa të drejt. Të sqarohemi miqësisht me mikun dhe adekuat me armikun.

Nuk po dënohet sulmi në veri të Kosovës nga Serbia, nuk po dalin në shesh hetimet që i ka bërë KFOR-i dhe inteligjenca ndërkombëtare për këtë rast, Kosova po humbë qindra miliona euro nga BE me sanksione të quajtura masa. Nuk ka reagime cilësore për bashkëpunimin e Vuçiqit dhe ambasadorit Gjuriq me kriminelin e vet deklaruar Radojçiq. Ndërkaq Serbia po vazhdon shantazhin dhe provokimet me kisha serbe të mbuluara më pelerina kleriku, e që faktikisht janë paramilitare ruse dhe punojnë më projekte për interesin e botës ruse”, nënvizon ai.

Në fund, përmend edhe dinarin duke thënë edhe pse është plotësisht e drejtë duhet të shikojmë se ku gabuam në hapa.

Ai thekson se kërkohet strategji shkencore e analizuar mirë, që do ta përkrahin të gjithë shqiptarët në Kosovë dhe jashtë Kosove për të dalë nga situata në të cilat Kosova ka ngec, siç është dinari.

“Dinari në Kosovë nuk është monedhë; kjo është plotësisht e drejt. Por ta analizojmë një herë, ku gabuam në hapa, apo në stil mbetët domosdoshmërish të analizohet nga Qeveria e Kosovës? Pse SHBA po na kritikon dhe nuk po na përkrah, përsëri duhet të analizojmë pse SHBA nuk po ndjehet partner i konsideruar nga Kosova dhe kush është Kosova që ta kundërshtoj partneritetin më SHBA. Rruga në diplomaci është sikur rruga në zonat e minuara (nëse harrojmë rrugën ka kemi hyrë në këtë zonë nuk do të dalim por do të bimë ne mina serbe dhe ruse.)

Tani pritet që çështja e dinarit të vihet në bisedime ndërkombëtare!?. Pse? Ta analizojmë një herë dhe mirë a patëm rrugë tjetër që ta realizojmë këtë çështje? Të zgjidhët rruga që mbrojnë pavarësinë tonë dhe të shqiptarëve jashtë kufjeve të Shqipërisë. Ndërsa, situata e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc heshtët dhe nuk arrin të dal në tavolinën e bisedimeve si shkelje e të drejtave elementare të njeriut që po ndodhë tash e dyqind vite më parë. Atje po ashtu shqiptarët lakmojnë në pushtetin dhe protagonizmin se sa zgjedhjen e çështjes së ndjeshme dhe  të dhimbshme dhe të shqiptarëve që po i përtyp pa dhimbje njerëzore, nga politika serbe-ruse. Pra kërkohet strategji shkencore e analizuar mirë, që do ta përkrahin të gjithë shqiptarët në Kosovë dhe jashtë Kosove. Kërkohet që kjo analizë dhe strategjia të hartohet bashkë më aleatët tonë të natyrshëm të i përshtatët gjeopolitikës së SHBA dhe të aleatëve tonë më përfitime të shqiptarëve dhe as së si në dëme të tyre. Për këtë Qeveria  Kosovës  dhe e Shqipërisë kanë obligime kombëtare dhe njerëzore dhe përgjegjësi”, përfundon Maraj për “Bot sot”.

Ndryshe, ish-diplomati i lartë amerikan, James Hooper ka thënë se kryeministri Albin Kurti, e sheh Serbinë si armike të përhershme të Kosovës dhe kështu idenë e kompromisit me Beogradin e konsideron si ‘tradhti virtuale’.

Kurse, për Serbinë Cooper thotë se besimi i Serbisë në seriozitetin e BE-së ka pësuar lëkundje, e cila e sjell Vuçiqin në një qendër të pasigurt.

“Dialogu, vijon si një lloj diplomacie ‘zombie’ ku asnjëra palë nuk luan kartat e saj të plota dhe ku liderët e BE-së shfajësojnë veprimet e tyre nga angazhimet afatgjata sesa të adresojnë çështjet thelbësore”, deklaroi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat