“Mjedisi i sigurisë është vënë në rrezik të madh”/ Komentohet deklarata e Hooper – analistët kanë këtë paralajmërim!

Politika

“Mjedisi i sigurisë është vënë në rrezik të madh”/ Komentohet deklarata e Hooper – analistët kanë këtë paralajmërim!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 13 mars 2024 Në ora: 08:05
Ish zyrtari i Departamentit amerikan të Shtetit dhe njohës i Ballkanit, James Hooper

Ish zyrtari i Departamentit amerikan të Shtetit dhe njohës i Ballkanit, James Hooper ka ngritur shqetësimin se momenti diplomatik ndërkombëtar i Kosovës po shkon drejt një ngërçi.

Në një intervistë, Hooper tha se procesi i njohjes së Kosovës duket se ka mbetur pa ajër, ndërsa dialogu me Serbinë është bërë një rrugë pa dalje.

Ai vë në dukje se disa prej aleatëve më të rëndësishëm të Kosovës po fajësojnë Prishtinën për qasje jo konstruktive që nuk po sjellin përparime në proces.

Koha po mbaron. Në këto kohë të turbulencave, mjedisi i sigurisë është vënë në rrezik të madh, ku nuk ka më vend për gabime”,  thotë Hooper dhe shton se kjo situatë kërkon mençuri në udhëheqje dhe një perspektivë të re nga Prishtina.

Hooper argumenton se liderët e Kosovës nuk guxojnë të qasen në trajtimin e kësaj sfide me një ritëm të ngadaltë, pasi Perëndimi mund të zbehë procesin e dialogut, dhe kjo gjë të zvarritet edhe më tej.

Ai argumenton se Dialogu i shumëpërfolur, në vend që të jetë një proces zgjidhjeje, po bëhet një shpërqendrim nga synimi për të ndërtuar marrëdhënie të forta midis Kosovës dhe Serbisë.

Mirëpo duke u bazuar në këtë deklaratë, për çfarë rreziku ka fjalën Hooper?

Elezaj: Hooper ka të drejtë kur thotë, se Prishtina duhet të dalë me një perspektivë të re në planin e sigurisë

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bot a sot”, ka folur analisti politik, Rexhep Elezaj.

Image
Rexhep Elezaj

Ai thotë se udhëheqësit shtetëror të Kosovës duhet të i marrin seriozisht deklaratën e Hooper.

Sipas analistit, Serbia si dorë e zgjatur e Rusisë, po e shfrytëzon me mjeshtri angazhimin dhe koncentrimin e SHBA-ve dhe të Evropës perëndimore për t’i dalë në ndihmë Ukrainës për ta fituar luftën ndaj kriminelit Putin.

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për Shqetësimet e ish diplomatit amerikan, James Hooper, lidhur me rrjedhat politike në Kosovë dhe pozitën e saj në arenën ndërkombëtare, e cila po shkon drejt një ngërçi, ose thënë ndryshe, drejt një izolimi, dhe se koha po mbaron për Kosovën, madje duke paralajmëruar se siguria e Kosovës është vënë në rrezik të madh. Mendoj se udhëheqësit shtetëror të Kosovës këto shqetësime duhet t’i marrin shumë seriozisht, ngase edhe vrojtuesit e thjeshtë të ngjarjeve, e kanë të qartë se situata e sigurisë në Ballkanin perëndimor, pranë luftës në Ukrainë, është duke shkuar drejt eskalimit dhe mundësisë së shpërthimit të një lufte të re në Ballkan.

Natyrisht, kjo jo për shkak të Kosovës, veçse kryekëput për shkak të hegjemonisë ruse dhe politikës fashiste serbe në Ballkan,  ku Serbia si dorë e zgjatur e Rusisë, po e shfrytëzon me mjeshtri angazhimin dhe koncentrimin e SHBA-ve dhe të Evropës perëndimore për t’i dalë në ndihmë Ukrainës për ta fituar luftën ndaj kriminelit Putin. Duke ndërmarrë çdo ditë veprime politike, diplomatike dhe ushtarake kundër Kosovës, me prapavijë të qartë për destabilizim të situatës së sigurisë në Ballkanin perëndimor, me theks të veçantë në Bosnje përmes Republika Srpskas si dhe në Mal të Zi, e që një ditë me diell me ndihmën e Rusisë ta shpallin Serbinë e madhe në emër të Botës serbe” , u shpreh analisti.

Më tej, ai thekson që  Serbia dhe Rusia po kërkojnë që Ballkanin perëndimor ta shndërrojnë në një Serbi të madhe.

 “Prandaj, diplomati amerikan, James Hooper, si mik i Kosovës, kërkon me të drejtë nga krerët politik dhe shtetëror të Kosovës, që në këtë situatë të rrezikshme në Ballkan dhe jo vetëm, të jenë më të kujdesshëm në veprimet e tyre në dialogun me Serbinë, por edhe dëgjues ndaj kërkesave të BE-së dhe SHBA-ve, duke ndërmarrë veprime konkrete, qoftë në planin e brendshëm, qoftë atë ndërkombëtar, kur dihet se veriu i Kosovës është vetëm një pretekst i vogël brenda politikës hegjemoniste serbo-ruse në planet dhe synimet e tyre hegjemoniste ndaj dhe në Ballkanin perëndimor.

E gjithë kjo, sepse qëllim kryesor kanë, së pari, krijimin e Serbisë e madhe, dhe së dyti, rikthimin edhe njëherë në këtë pjesë të Evropës të Boshtit dhe aleancës lindore sllavo-ortodokse, siç ishte dikur hegjemonia komuniste dhe cariste ruse në pjesën lindore të Evropës”, shpjegon  më tej.

Nga ana tjetër, analisti nënvizon që  Kosova duhet të mbajë raportet e ngushta me SHBA, pasi janë partnerët tonë të përjetshëm.

Po ashtu, ambasadori Hooper ka të drejtë kur thotë, se Prishtina duhet të dalë me një perspektivë të re në planin e sigurisë si dhe atë ndërkombëtar, ngase ai ka parasysh veprimet e BE-së dhe SHBA-ve ndaj Kosovës, e cila ka kohë të gjatë që gjendet nën sanksione të BE-së, ndërsa partneri kryesor i saj, amerikanët, ia kanë kthyer shpinën Prishtinës zyrtare, duke e shtyrë atë drejt një izolimi si dhe duke e zhvendosur rolin dhe ekuilibrin strategjik amerikan në Ballkan nga Kosova në Shqipëri, gjë të cilën e dëshmon qartë deklarata publike e ndihmës Sekretarit të shtetit, z. Jmes O’Brian, “se nëse Prishtina zyrtare nuk na konsideron partner, as ne nuk do ta trajtojmë atë si partner tonin”, dhe kjo u dëshmua gjatë vizitës së Sekretarit të shtetit amerikan, z. A. Blinken në Tiranë, i cili në asnjë fjalim të tij nuk e përmendi Kosovën, përveç një pyetje të një gazetareje lidhur me dialogun Kosovë-Serbi”, foli Elezaj për “Bota sot”.

Mehazi: Gjithë  filozofia e zgjidhje së ngërçit është te presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiqi

Image
Sulejman  Mehazi

Ndërsa profesori Sulejman  Mehazi në një bashkëbisedim me “Bota sot”,  thotë që e gjith kjo situatë ka ardhur nga Serbia, duke shtuar që edhe Hooper është ish-zyrtar, që nuk mund të ketë të drejtë në të gjitha situatat.

“Deklarata e zotëriut, James Hooper, do ishte shumë e kapshme dhe serioze sikur të ishte zyrtar aktiv në Departamentin Amerikan, pasi është ish zyrtar i Departamentit Amerikan fjalët e James Hooperit duhet kapur teorike jo reale sepse flet jashtë Departamentit Amerikan e jo brenda administratës amerikane. Deklarata e ish-zyrtarit amerikan se "diplomacia ndërkombëtare e Kosovës shkon drejt ngërçit" s'është e vërtetë, përkundrazi, diplomacia pasive e BE-së ndaj Kosovës ka lidhur nyje dialogun e Kosovës me Serbinë dhe se në këtë rast fajtore e ngërçit ndaj dialogut me Serbinë janë ndërmjetësuesit e BE-së të cilët më shumë janë duke reaguar kundër dinarit serb në Kosovë sesa ndaj sulmeve terroriste serbe në Banjskë. Ndërmjetësuesit e BE-së në lidhje me dinarin janë çuar në këmbë si asnjëherë më parë, kurse në anën tjetër BE-ja është e shtangur, e  gjumosur me rastin e dialogut Kosovë-Serbi. Ngërçin diplomatik e ka vënë Serbia me mosnëshkrimin e marrëveshjes paqësore në Ohër dhe Bruksel e jo Kosova”, foli profesori.

Në fund, ai përmbyllë që nëse Serbia nënshkruan  marrëveshjet atëhere paqe do të ketë në Kosovë dhe në gjith Ballkanin.

Ia bëjmë me dije ish-zyrtarit të Departamentit Amerikan, James Hooper, se e gjithë  filozofia e zgjidhje së ngërçit është te presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiqi, e kurrsesi te kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Vuçiqi vetëm të nëshkruajë Marrëveshjen franko-gjermane, Kosovë-Serbi, dhe do të ketë paqe jo vetëm  në Kosovë, por në të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. Qartê e saktë, ngërçin diplomatik të luftës e ka Serbia e jo Kosova”, përfundoi Mehazi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat