Ngrihet alarmi për veriun e Kosovës/ Ky mund të jetë rreziku nëse nuk ndëshkohen grupet terroriste serbe!

Politika

Ngrihet alarmi për veriun e Kosovës/ Ky mund të jetë rreziku nëse nuk ndëshkohen grupet terroriste serbe!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 29 mars 2024 Në ora: 20:21
Foto ilustrim

Sulmi terrorist në Banjskë ka arritur t’i tregoj edhe një herë Serbisë që territori i Kosovës është i paprekshëm.

Ani pse planet djallëzore të serbëve nuk shkuan në vend, provokimet si dhe deklaratat e shumta nuk po ndalen. E natyrisht, ajo për të cilën po preokupohen liderët e vendit dhe qytetarët duke mos përjashtuar as ndërkombëtarët, është veri i vendit.

Ky shqetësim vjen nga grupet terroriste të cilat ende po mundohen të sjellin destabilizim në atë pjesë të Kosovës.

E së fundmi është drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, i cili gjatë raportimit në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, lidhur me raportin vjetor të punës për vitin 2023, tha se situata në veri të vendit vazhdon të mbetet e brishtë.

Megjithatë, ai tha se në përgjithësi, situata në Kosovë vlerësohet e qetë.

“Situata e përgjithshme e sigurisë në Republikën e Kosovës bazuar në zhvillimet aktuale në vend, rajon dhe më gjerë, vlerësohet të jetë e qetë. Megjithatë, në pjesën veriore të Kosovës situata mbetet e brishtë, me mundësi të tensionimit si rezultat i aktivitetit të strukturave ilegale dhe grupeve kriminale dhe terroriste”, tha Hoxha.

Ai tha se Policia gjatë vitit të kaluar është ballafaquar me një ambient kompleks të sigurisë, duke përmendur sulmet terroriste dhe protestat.

Mirëpo, sa serioze duhet të merret kjo deklaratë e drejtorit Hoxha?

Dugolli: “Policia e Kosovës dhe institucionet e sigurisë po përcjellin me vëmendje lëvizjet e serbëve

Image
Deputeti Enver Dugolli

Deputeti Enver Dugolli në një prononcim për “Bota sot”, për këtë temë u shpreh se pasi grupi terrorist që mori pjesë në sulmin në Banjskë janë të lirë ende, dyshimi për një sulm tjetër qëndron ende.

“Derisa pjesëtarët e grupit terrorist të identifikuar që kanë marr pjesë në sulmin terrorist në Banjska që kryen edhe agresion ndaj shtetit tonë e ku për pasojë u vra rreshteri i policisë së Kosovës, heroi Afrim Bunjaku, shëtisin lirshëm në Serbi, ekziston dyshim i bazuar për ndonjë ri-grupim të tyre me qëllim të kryerjes së ndonjë sulmi tjetër”, foli deputeti.

Ai ndër të tjera dhe se institucionet e sigurisë janë duke përcjellë më vëmendje çdo lëvizje të tyre andej kufirit.

“Policia e Kosovës dhe institucionet e sigurisë po përcjellin me vëmendje lëvizjet e tyre andej kufirit, lëvizje këto të dyshimta që kanë qëllim riorganizimin, stërvitjen dhe përgatitjen e tyre për të përsëritur sulme të ngjashme kundër sovranitetit dhe integritetit të vendit tonë”, nënvizoi deputeti Dugolli për “Bota sot”.

Shala: Në rast ballafaqimit brenda territorit në kemi mundësi të neutralizojmë sulmet

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

Image
Drizan Shala.

Ai tha se deklarata e Hoxhës tregon që Policia e Kosovës është e gatshme dhe ka kapacitete për kundërpërgjigje efikase.

“Drejtori i Policisë së Kosovës Gazmend Hoxha, ka deklaruar se janë në dijeni se grupet kriminale serbe po përgatiten dhe trajnohen në kazerma ushtarake serbe për një sulm tjetër ndaj policisë, por që sipas tij, Policia e Kosovës është e gatshme dhe ka kapacitete për kundërpërgjigje efikase”, u shpreh ai.

Më tej, eksperti i sigurisë shton që në një moment mund të kemi ndonjë sulm të radhës mirëpo nëse sulmi merr përmasa të mëdha atëherë FSK duhet të involvohet në përmbushje të mandatit që ka.

“Pra mund të konstatojmë që ballafaqimi sipas kësaj do të jetë e pashmangshme në një moment në bazë zhvillimeve që janë duke ndodhur në brezin kufitar. Në rast ballafaqimit brenda territorit në kemi mundësi të neutralizojmë sulmet por që në rast përmasave më të mëdha atëherë padyshim FSK duhet të involvohet në përmbushjen e mandatit që ka”, nënvizoi eksperti i sigurisë, Drizan Shala për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat