Çfarë po ndodh brenda mbledhjes së “fshehtë” në PS

Shqipëria

Çfarë po ndodh brenda mbledhjes së “fshehtë” në PS

Më: 24 dhjetor 2018 Në ora: 13:07
Edi Rama

Kryetari i Partisë Socialiste ka mbledhur sot kryesinë e partisë, gjatë së cilës do të bëhet një analizë e funksionimit të partisë gjatë këtij viti.

Edhe pse nuk është komunikuar një axhendë e mbledhjes së sotme, mësohet se në qendër të saj do të jenë vendimet e marra në Asamblenë Kombëtare të mbledhur në shtator, ku u morën vendime me afate të përcaktuara për riorganizimin e Partisë Socialiste.

Por mësohet se një pikë e nxehtë e mbledhjes së sotme të kryesisë socialiste do të jetë dhe funksionimi i dobët i forumit eurosocialist FRESSH në funksion të protestës së studentëve, të cilët protestuan për 17 ditë para Ministrisë së Arsimit, Parlamentit dhe Kryeministrisë.

Burime nga Partia Socialiste thanë dje se FRESSH-i nuk ka bërë asnjë sqarim apo diskutim brenda fakulteteve për ligjin e arsimit të lartë, tarifave të kërkuara nga rektorët dhe dekanët për t’u paguar menjëherë dhe përcjelljen e shqetësimeve të studentëve pranë strukturave drejtuese të PS-së dhe Ministrisë së Arsimit.

Ishte vetë Kryeministri Rama, i cili gjatë një takimi me studentë në një nga studiot televizive u shpreh se FRESSH-i jo vetëm nuk ka ndikuar në protestën e studentëve, por është inekzistent si forum. Pak ditë më parë, përmes një postimi në Facebook” u lajmërua dorëheqja e kreut të FRESSH-it, Eljo Hysko, i cili më vonë e përgënjeshtroi atë.

Por analiza e PS-së në kryesi do të përfshijë dhe riorganizimin e partisë, sipas kalendarit të miratuar në asamblenë e muajit shtator. Asambleja kishte vendosur ngritjen e shtabeve elektorale në qarqe dhe emërimin e koordinatorëve elektoralë. Koordinatorë elektoralë, dixhitalë, të emigracionit të FRESH-it dhe Forumit të Gruas Socialiste duhet të jenë ngritur në të gjitha bashkitë dhe qarqet e vendit.

Mbledhja e Asamblesë Kombëtare do të ishte zhvilluar disa javë më parë, por për shkak të mos përfundimit të komandimit dhe emërimit të disa kryetarëve të PS-së në disa bashki, kjo mbledhje u shty për më vonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat