Rama: Qeveria nuk mund të bëj vetting akademik, i takon Universiteteve

Shqipëria

Rama: Qeveria nuk mund të bëj vetting akademik, i takon Universiteteve

Më: 18 janar 2019 Në ora: 13:00
Edi Rama

“Pedagogët nuk mund të marrin peng qeverinë duke bërë presione dhe duke mos shkuar në mësim”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, ndërsa u kujtoi universiteteve se transparenca me titujt akademik është kompetencë e tyre.

Gjatë diskutimit mbi Paktin për Universitetin, Kryeministri Edi Rama u shpreh se “qeveria është përqendruar me të gjithë kapacitetin e vetë për t’i dëgjuar studentët, por edhe  pedagogët dhe universitetet duhet ta bëjnë këtë”.

Lidhur me çështjen e plagjiaturave, Kryeministri theksoi se “universitetet nuk mund ta lënë këtë si një top mes studentëve dhe qeverisë”.

Kryeministri ritheksoi se me plagjiaturat duhet të merret universiteti. “Ju peng qeverinë nuk mund ta merrni dot duke bërë presione dhe duke mos shkuar në mësim. Nuk ka kuptim që qeveria të bëj vetting akademik për titujt, duhet ta bëni ju”, tha Rama.

“Ju nuk mund të refuzoni t’u jepni mësim studentëve për të bërë presion, që qeveria dhe studentët të tërhiqen nga transparenca e titujve. Si do të bëhet transparenca kjo është një çështje e hapur, por qeveria po dëgjon sot ato që ju duhet t’i kishit dëgjuar gjithë këto vite, sepse ligji i Arsimit të Lartë ju ngarkon ju me të gjitha ato, që sot po i merr përsipër qeveria. Ne po e bëjmë këtë, sepse këta së pari janë fëmijët tanë dhe nuk mund t’i bëjmë top ping-pongu, duke e kthyer çështjen e tyre në një betejë publike kompetencash, por ligji i Arsimit të Lartë ju detyron dhe sot ju duhet ta kishit bërë transparencën për të gjithë titujt”, tha Rama, duke iu drejtuar pedagogëve dhe universiteteve.

Ne nuk duam të bëjmë detyra përtej atyre që kemi për të bërë, tha Kryeministri, duke shtuar se, “transparenca e titujve është detyrë e universiteteve”.

“Universitetet kanë kërkuar liri, por liria vjen bashkë me përgjegjësinë”, shtoi Rama.  “Mos prisni ditën kur të bashkohem unë me studentët dhe të vij përballë jush dhe t’u thoni studentëve çfarë ju nuk doni. Do të mbaroj historia e Doktorëve të Shkencave që vetëm me shkencën nuk kanë lidhje. Ju e dini shumë mirë sot se çfarë po ndodh, problem janë pedagogët që nuk shkojnë t’u japin mësim, jo studentët e ngujuar”, tha Rama.

Sipas tij, “studentët e bënë detyrën e tyre duke ngritur zërin dhe ne e dëgjuam, por unë edne nuk kam kuptuar sa kanë dëgjuar universitetet nga kjo”.

“Ne jemi gati të kalojmë edhe përtej mundësive tona, por nuk mund të marrim përsipër që të bëjmë detyrat që ligji ia ngarkon universitetit. Kush e ka ndaluar universitetin në gjithë këto vite t’i drejtohet qeverisë apo ministrisë dhe të kërkojë të marri pjesë në proces dhe të përfitoj të ardhura. Ne duam që universiteti të hyjë në treg, pasi universitetet në gjithë botën gjenerojnë të ardhura, ndërsa këtu  këto të ardhurat gjenerohen nga prindërit që paguajnë tarifat dhe nga buxheti i shtetit”, tha Rama. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat