Misteri! Ardit Gjoklaj mund të ketë humbur jetën jashtë landfillit të Sharrës

Shqipëria

Misteri! Ardit Gjoklaj mund të ketë humbur jetën jashtë landfillit të Sharrës

Më: 9 shkurt 2019 Në ora: 12:17
Ardit Gjoklaj

Ardit Gjoklaj, i riu që humbi jetën në 2016-n mund të jetë vrarë jashtë landfillit të Sharrës dhe trupi i tij mund të jetë transportuar aty për të fshehur gjurmët. Në vendimin nr. 1170, datë 17.04.2018 të gjykatës së rrethit gjyqësor Tiranës jepen fakte që vërtetojnë se viktima mund të jetë vrarë jashtë zonës së landfillit, provuar kjo edhe nga aktet e ekspertimit, që janë prova të pakundërshtueshme në këtë proces penal.

Vendimi i arsyetuar i gjykatës, i cili mbështetur mbi fakte e prova, por edhe nga ekspertiza e mjekëve ligjorë, vërteton faktin se Ardit Gjoklaj mund të jetë vrarë jashtë landfillit të Sharrës. Sipas ekspertëve, këtë e provojnë edhe analizat e ADN-së, ku rezultojnë se nuk ka asnjë provë që Gjoklaj të jetë goditur nga mjeti që ka punuar atë ditë në landfill.

“Në lidhje me aktin e ekspertimit janë pyetur edhe mjekët ligjorë, të cilët kanë shpjeguar se nga gjetja e trupit e përzier me mbeturinat mundet që ngjarja/dëmtimet e para të kenë ndodhur edhe në vend tjetër dhe jo në vendin e gjetjes përfundimisht të trupit”, thuhet në ekspertizën e mjekëve ligjorë.

Por, fakti që hedh dritë më shumë në zbardhjen e kësaj ngjarjeje është ekzistenca e një makine të dyshimtë. Në vendimin e zbardhur të Gjykatës theksohet se sipas aktit të ekspertimit të pamjeve me nr.33, dt.16.01.2018 rezulton se, në orën 4:17:53 të datës 07.08.2017 duket në pamje nga drita që hedh një mjet i dyshimtë që vjen në drejtim të kapanonit dhe nuk dallohet çfarë mjeti është. Ky mjet, sipas ekspertëve, qëndron afërsisht 4 minuta dhe largohet po në drejtim të ardhjes ndërsa, fadroma punon në krahun e majtë duke marrë mbeturinat dhe i dërgon tek punëtorët, që në pamje filmike punëtoret nuk dallohen. Kjo i bën hetuesit të dyshojnë se i riu mund të jetë vrarë jashtë landfillit dhe është sjellë qëllimisht aty.

“Nga akti i ekspertimit del se, mjeti fadromë gjatë këqyrjes së pamjeve filmike nuk u konstatua që të punojë tek vendi, ku është gjetur trupi i të ndjerit nga ora 02:52:20 deri në orën 14:17:21 të dt.07.08.2018, për pamjet që janë vendosur në dispozicion”, shprehen ekspertët. Gjykata ka pyetur ekspertët edhe në lidhje me mekanizmin e funksionimit të mjetit fadromë dhe mekanizmit të lëvizjes së tij me zinxhirë, si dhe dëmtimeve që janë konstatuar te viktima të evidentuar nga ekspertët mjeko-ligjore. Ata janë shprehur se nëse viktima do të ishte dëmtuar nga mjeti fadromë, dëmtimet nuk do të ishin të kësaj natyre periferike, por të një kategorie shumë të rëndë, shkruan Shqiptarja.

Ekspertët kanë shpjeguar se “probabiliteti më i madh është që trupi i viktimës të të ndjerit të jetë transportuar bashkë me këto mbetje me të cilat është gjetur i përzier. Ky fakt shikohet dhe te mungesa e mbetjeve kockore, indit trunor dhe gjakut në vendngjarje, të cilat mungojnë në trupin e viktimës, flasin për faktin se ngjarja ka ndodhur në një vend tjetër dhe jo në vendin e gjetjes së trupit. “Në trupin e viktimës nuk kishte sasi gjaku, kur një trup normal ka 5 litra gjak, ku kjo sasi gjaku ka humbur në vendin ku janë shkaktuar dëmtimet e para të viktimës”, thonë ekspertët, të cilët arrijnë në përfundimin se në këto rrethana bie çdo dyshim apo pretendim i organit të akuzës se mjeti i fadromës është futur në vendin ku është gjetur trupi i viktimës dhe se këto dëmtime janë shkaktuar pikërisht nga ky mjet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat