Promovimi dhe paraqitja e arritjeve të Shqipërisë, veçanërisht për reformën në drejtësi, ishin fokusi kryesor i vizitës në Austri, të Ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj. Në kuadër të kësaj vizite, Gjonaj zhvilloi një takim me Kryetaren e Gjykatës së Lartë, Elisabeth Lovrek dhe Kryetaren e Gjykatës Kushtetuese të Austrisë, Birgitte Bierlein.
Gjonaj e informoi kryetaren e Gjykatës së Lartë, Elisabeth Lovrek me rëndësinë e Ministrit të Drejtësisë në Shqipëri, si një rol monitorues dhe koordinues i të gjitha institucioneve që po punojnë për zbatimin e reformës në drejtësi.
Ndërkohë, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Birgitte Bierlein propozoi që Shqipëria të ndjekë të njëjtën rrugë si Austria për të ulur numrin e lartë të dosjeve që gjenden në gjykata. Temë e takimit ishte edhe drejtësia penale për të miturit, ku u theksua mbështetja e ekspertëve austriak për hartimin dhe implementimin e disa ligjeve.
Gjatë takimit, Gjonaj falënderoi krerët e dy gjykatave austriake për mbështetjen e vazhdueshme që po i japin Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Europian.