KED hap aplikimet për pozicionin vakant “Inspektor i Lartë i Drejtësisë”

Shqipëria

KED hap aplikimet për pozicionin vakant “Inspektor i Lartë i Drejtësisë”

Më: 1 mars 2019 Në ora: 17:37
Foto ilustrim

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, me qëllim plotësimin e pozicionit vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe të dërgimit në Kuvend, për ta zgjedhur atë, të një listë prej 5 kandidatësh, të përzgjedhur dhe renditur mbi bazën e meritave nga ky Këshill sipas një procedure transparente dhe publike, shpall hapjen e procedurës së aplikimit në pozicionin vakant “Inspektor i Lartë i Drejtësisë” dhe fton, çdo person të interesuar, që plotëson kushtet dhe kriteret e parashikuara në Kushtetutë

Kandidatët që duan të marrin pjesë në këtë procedurë konkurrimi publik, duhet të paraqesë pranë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, shprehjen e vullnetit për të kandiduar në pozicionin vakant për “Inspektor i Lartë i Drejtësisë”.

Së bashku me kërkesën me shkrim për shprehjen e interesit për kandidimin në pozicionin vakant për “Inspektor i Lartë i Drejtësisë”, kandidati duhet të paraqesë: jetëshkrimin e përditësuar, përfshirë adresën postare dhe elektronike, si dhe numër telefoni;  fotokopje të kartës së identitetit;deklaratë personale motivimi, ku shpjegon arsyen e kandidimit dhe objektivat që synon të ndjekë nëse emërohet; dokumentacionin shoqërues nëpërmjet të cilit vërteton përmbushjen e kushteve dhe kritereve të përcaktuara në nenin 147/d të Kushtetutës dhe në nenin 199 të ligjit nr. 115/2016;  formularin e aplikimit të plotësuar “Për informim përpara emërimit/zgjedhjes në poste të larta”, në përputhje me parashikimet ligjore të nenit 29, të ligjit nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e Ish-sigurimit të shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”. Ky formular gjendet i publikuar në faqen elektronike të Gjykatës së Lartë, në pjesën e posaçme për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi; formularin e vetëdeklarimit të plotësuar dhe nënshkruar sipas përcaktimeve të ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”. Ky formular gjendet i publikuar në faqen elektronike të Gjykatës së Lartë, në pjesën e posaçme për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi;

Kërkesa për shprehjen e interesit, e shoqëruar me dokumentacionin e mësipërm, duhet të paraqitet brenda datës 20 Mars 2019 dhe të dorëzohen në Gjykatën e Lartë, pranë zyrës së posaçme të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, adresa “Rruga Ibrahim Rugova, Ndërtesa nr. 20, Kodi Postar 1001,Tiranë, Shqipëri”.

Kandidatët e deritanishëm, që kanë aplikuar sipas procedurave kalimtare kushtetuese dhe ligjore, duhet të paraqesin dokumentacionin e sipërcituar, të përditësuar. Lista e kandidatëve do të publikohet në faqen elektronike të Gjykatës së Lartë, në pjesën e posaçme për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat