LETRA/ Prokurorja Sevdari: Investigoni vendimin që më shkarkoi! Venttingu në duar të kriminelëve dhe politikës?!

Shqipëria

LETRA/ Prokurorja Sevdari: Investigoni vendimin që më shkarkoi! Venttingu në duar të kriminelëve dhe politikës?!

Më: 4 mars 2019 Në ora: 16:39
Antoneta Sevdari

Prokurorja e Tiranës, Antoneta Sevdari e cila u shkarkua nga detyra me një vendim të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i ka dërguar një letër të hapur ndërkombëtarëve dhe gjithë aktorëve politikë në vend, nga presidenti, kryeministri, kryeprokurorja e ministrja e drejtësisë, ku kërkon të investigohet ky vendim që sipas saj është i padrejtë.

Prokurorja thotë se e ka bërë detyrën e saj duke i shërbyer qytetarëve, por ngre dyshimet e saj përse mund të jetë marrë vendimi i shkarkimit. Thotë se mund të jetë mungesë profesionalismi e trupës gjykuese të Kolegjit të Apelimit, nuk përjashton mundësinë e një shkarkimi të urdhëruar. Do t’i vinte keq që Vettingu që ajo thotë se i besoi në fillim, mund të jetë kthyer një vegël në shërbim të kriminelëve që prokurorë e gjyqtarë i kanë çuar para drejtësisë.

Letër e hapur

E nderuar  znj. Ambasadore në detyrë e  SHBA  në Shqipëri!

I nderuar z. Ambasador i Bashkimit Europian  në Shqipëri!

Të nderuar Anëtarë të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit!

Të nderuar Anëtarë të Komisionit  të  Pavarur për Koordinimin, Monitorimin dhe Ndjekjen e Zbatimit të ligjit nr. 115/2016, “Për Organet e Qeverisjes të Sistemit të Drejtësisë”

I nderuar z. President i Republikës së Shqipërisë!

I nderuar z. Kryeministër i Republikës së Shqipërisë!

E nderuar  znj. Prokurore e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë!

E  nderuar znj. Ministre e  Drejtësisë e Republikës së Shqipërisë!

Të nderuar Qytetarë të Republikës së Shqipërisë!

Ju drejtohem sot të gjithëve Ju, forcave dhe aktorëve të përfshirë e të interesuar për zhvillimin e një sistemi drejtësie transparent, të fuqishëm e të drejtë në Shqipëri, në një gjendje dhimbjeje e indinjimi të thellë e, për më tepër, shqetësimi në rritje për të ardhmen e kësaj drejtësie që procesi i Vettingut kërkon të vendosë.

Vetëm disa ditë më parë, më 28 Shkurt 2019, unë, Antoneta Sevdari, deri atë ditë një prokurore prej mbi 16 vitesh në detyrë, anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, u shkarkova nga detyra e prokurores, me vendim të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Më duhet qysh në fillim të pohoj se shpallja e vendimit më shkaktoi të tillë gjendje tronditjeje, pështjellimi dhe zemërimi mbytës, sa që m’u desh të  lija të kalonin disa ditë,  përpara se të bëja këtë deklaratë.

E gjej të nevojshme të bëj publike, e jo për interesat e mija personale, ndjenjën e pamundësisë për të kuptuar, kur dëgjova shprehjen “Shkarkohet për shkak të humbjes së besimit të publikut”.

Të publikut!

Të atij publiku për të cilin unë kam punuar me çdo qelizë të qenies sime gjatë gjithë 16 viteve të punës sime si prokurore!

Të atij publiku të cilit unë i kam përkushtuar vite të gjatë ditë-netësh jashtëzakonisht të vështira të një pune shumë serioze në mënyrë që të bëja gjithçka varej nga unë që të vendosej drejtësia!

Të atij publiku të cilin unë e mbaja brenda meje për të më dhënë forcë shpirtërore në të gjitha betejat jashtëzakonisht sfiduese në luftën  kundër kriminelëve të rrezikshëm!

Të publikut, të qytetarëve shqiptarë, interesin e të cilëve kam respektuar, pa përjashtim, e nuk e kam shkelur kurrë, duke punuar ndeshmërisht, pa u ndikuar nga interesat e kujdo, në një vend si ky yni ku korrupsioni, fatkeqësisht, mbretëron!

Qytetarëve shqiptarë, vëllezërve e motrave të  mija, bashkëqytetarëve të mi të zakonshëm e të thjeshtë, mbështetja, konfirmimi e mirënjohja e të cilëve më ka dhënë çdo ditë kurajo të ndjek paluajtshmërisht ligjin, e vetëm ligjin, për të siguruar barazinë e të gjithëve para tij!

Qytetarëve shqiptarë, babait e nënës sime e bashkëfshatarëve të tyre fermerë, puna e ndershme e të cilëve,  për të siguruar jetesën e përditshme më ka pajisur me një mburojë të padepërtueshme nga nënqeshjet, jo të rralla, përreth meje për “naivitetin” e “paaftësinë” time për të përfituar nga “benefitet”  e profesionit dhe për të bërë të “natyrshmen”, “përmirësimin e kushteve” të mija personale e familjes sime nëpërmjet favoreve të natyrave të ndryshme të fituara lehtë!

I nderuar publik! Të shumënderuar Qytetarë Shqiptarë! Të dashur bashkëqytetarë!

Unë,  Antoneta Sevdari, qëndroj sot këtu përpara jush me dhimbje, indinjatë e shqetësim të thellë por, krenare dhe e vendosur!

Kam luftuar fort! Kam sakrifikuar! Jam përplasur e i kam bërë qëndresë kujtdo që është përpjekur të më pengojë në misionin tim kundër kriminalitetit për sigurimin e paqes e drejtësisë në vendin tonë! Nuk e kam shkelur premtimin  e dhënë! Nuk jam zmbrapsur! Nuk jam lëkundur!

Ju kam shërbyer, ashtu siç u betova solemnisht, me transparencë, me ndershmëri, me profesionalizëm të lartë por, më e rëndësishmja, me devotshmëri dhe me ndjenjë të lartë përgjegjësie personale.

Të nderuar Zonja dhe Zotërinj!

Duke gjykuar nga rasti im, kam arsye të forta për të dyshuar nëse procesi i Vetting-ut po i shërben qëllimit, i cili unë besoj se është: “Largimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar dhe profesionalisht të paaftë dhe sigurimi i kushteve që prokurorët dhe gjyqtarët  me integritet dhe profesionalisht kompetentë të vazhdojnë t’i shërbejnë drejtësisë shqiptare ashtu siç kanë bërë deri tani”.

Kur procesi i Vettingut filloi, unë,  personalisht, u mbusha me shpresë, sepse besoja që  drejtësia do të vihej në vend. Në rastin tim, faktkeqësisht, nuk ndodhi kështu.

Mos po shndërrohet edhe  ky në  një proces të korruptuar,  në një vegël në shërbim të hakmarrjes prej kriminelëve të cilët gjyqtarët dhe prokurorët, që i nënshtrohen këtij proçesi,  i kanë çuar përpara drejtësisë?

Mos ndoshta po përdoret  edhe ky proces, si një vegël në shërbim forcash politike të cilat, jo rrallë, fatkeqësisht, u shërbejnë interesave të tyre të ngushta politike dhe jo interesave kombëtare?

Të nderuar Zonja dhe Zotërinj!

Gjatë këtyre ditëve jam përpjekur të kuptoj një vendim të pakuptueshëm. Në analizën time të fakteve dhe ngjarjeve kam arritur në konkluzionin se shkarkimi im, u bë për një nga këto dy arsye:

·         Ose si rezultat i profesionalizmit të dobët në gjykim nga anëtarët e trupës së Kolegjit të Apelimit, që votuan për shkarkimin;

·         Ose (dhe ky rast është edhe më  flagrant,  sa i përket të ardhmes së drejtësisë shqiptare) ai ishte një shkarkim i urdhëruar, në shërbim të interesave me të cilat unë në punën time si prokurore jam përballur.

Unë Ju ftoj të investigoni dhe të merni të gjitha masat e mundshme në mënyrë që populli shqiptar të mos zhgënjehet edhe këtë herë. Kjo do të na kushtonte besimin e shqiptarëve në reformimin e sistemit të drejtësisë  dhe në proceset demokratike për zhvillimin e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Të dashur bashkëqytetarë shqiptarë!

Unë nuk linda Prokurore. Unë zgjodha të bëhem. Si e tillë u kalita çdo ditë nëpër betejat gjatë procesit të hetimit si dhe në sallën e gjyqit duke  punuar që paqja dhe siguria në jetët tona të mos kërcënohen.

Unë isha, jam dhe do të mbetem një prokurore krenare.  Beteja ime nuk përfundon këtu. Unë jam betuar solemnisht t’Ju shërbej dhe do ta bëj këtë, edhe më e fuqishme, edhe më e guximshme!

Ju falenderoj për besimin dhe mbështetjen gjatë gjithë këtyre viteve dhe, në veçanti, gjatë këtyre ditëve.

Sinqerisht Juaja!

Antoneta Sevdari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat