‘Protesta e zisë’ në 8 mars, aktivistet: Ka ardhur koha për një ‘shkundje’ të shoqërisë e institucioneve

Shqipëria

‘Protesta e zisë’ në 8 mars, aktivistet: Ka ardhur koha për një ‘shkundje’ të shoqërisë e institucioneve

Më: 6 mars 2019 Në ora: 17:42
Vasilika Laçi

Viti 2019 për gratë në Shqipëri ka qenë i dhimbshëm dhe i përgjakshëm. Gati çdo 7 ditë është vrarë një grua që nga fillimi i këtij viti. Nisur pikërisht nga kjo situatë, një grup vajzash ka vendosur ta shpallë këtë 8 mars një ditë zie, por jo një ditë për të vajtuar e mbajtur zi në mënyrën tradicionale të zisë, por për një ditë për të ngritur zërin.

Të ftuara në emisionin “Rreze Dielli” në Report Tv, aktivistet Vasilika Laçi dhe Entenela Ndrevataj janë shprehur se ka ardhur koha për një “shkundje” të shoqërisë shqiptare, por sidomos të institucioneve përgjegjëse.

Mendojmë që situata ka ardhur në një pikë që është kthyer vërtetë në një epidemi ajo që po ndodh me gratë në Shqipëri, vrasja. Për këtë arsye, të frymëzuara edhe nga protesta të tjera që kanë ndodhur, menduam që ka nevojë për një shkundje të madhe dhe të fortë të shoqërisë, kryesisht të institucioneve në lidhje me këtë çështje. Ne duam ti japim një koncept të ri zisë. Në rradhë të parë duam  të respektojmë jetët e atyre personave. Zija këtë nënkupton që ti respekton dhe vajton në një farë mënyre humbjen e thellë që ke patur. Në këtë masë për të respektuar edhe ato vajza dhe gra që kanë humbur jetën dhe për të thënë që ato nuk janë harruar, jeta e tyre nuk ishte pa kuptim . nga ana tjetër është edhe protesta e zërit, sepse duam që çdonjëra nga ne të ketë zë dhe të flasë.

Vasilika Laçi, aktiviste

E pyetur se përse kjo ditë duhet të mbajë pikërisht këtë emër, ditë zie, Ndrevataj tha se nëpërmjet kësaj proteste synohet dënimi i heshtjes institucionale dhe ngritja e zërit për të gjitha viktimat si pasojë e dhunës.

Ne e menduam si protestë të zisë duke qenë se viti 2019 ishte realisht i kobshëm. Duket sikur jemi zgjuar çdo ditë duke pritur se kush do të jetë viktima e rradhës, për fat të keq është bërë si e parashikueshme. Nëse vritet një grua duket sikur është bërë diçka zinxhir dhe pasohemi nga vrasje të njëpasnjëshme në forma të tmerrshme. E menduam si ditë zie pasi gratë nuk janë thjesht statistika , por po vriten çdo ditë dhe thjesht po kalon në numra. Realisht si shoqëri duhet të ndërgjegjësohemi dhe të ngremë zërin ndaj dhunës që po ushtrohet ndaj vajzave dhe grave. Si protestë zie e menduam që do të kishte impakt edhe në shoqëri. Nëpërmjet kësaj proteste , me aktet simbolike qe ne duam të paraqesim, tregojmë që dënojmë shumë heshtjen institucionale që po u bëhet këtyre vrasjeve të njëpasnjëshme ku shumicën e rasteve, viktimat e kanë dënoncuar agresorin, kanë shkuar disa herë në polici , por ashtu si shoqëria ka heshtur edhe institucionet kanë heshtur.

Entenela Ndrevataj, aktiviste

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat