Haxhinasto në Gramsh: Vendi ka nevojë për ndryshim

Shqipëria

Haxhinasto në Gramsh: Vendi ka nevojë për ndryshim

Më: 9 mars 2019 Në ora: 14:39
Edmond Haxhinasto

Ish-deputeti i LSI, Edmond Haxhinasto zhvilloi sot një takim ne strukturat e partisë në Gramsh. Në fjalën e tij, Haxhinasto u shpreh se protestat e opozitës kanë qëllim zgjedhjet e lira, prej të cilave varet dhe mënyra e qeverisjes dhe zhvllimit i vendit. “Ne kërkojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme, që do të thotë që ju dhe banorët e tjerë të Gramshit, të gjithë Shqipërisë të bëjnë zgjedhjen e tyre të lirë, për ata njerëz që kanë besim, për ata njerëz që ju keni besimin që do ti bëjnë gjërat më mirë. Që do të bëjnë edhe zhvillimin ekonomik më të shpejtë, më të fortë, që do të ulin taksat, që ju do të përfitoni nga zhvillimi ekonomik”,- deklaroi Edmond Haxhinasto.

Fjala e plotë e Edmond Haxhinastos:

Të dalësh forcë e dytë politike, aq më tepër në një bashki të tillë siç është edhe Gramshi, tregon që kemi fituar besimin e qytetarëve të kësaj bashkie dhe jam i bindur që ky besim do të vazhdoj të rritet edhe në të ardhmen për ti kthyer njerëzve një mundësi për ti ndryshuar gjërat për të bërë jetën e tyre më të mirë.

Ne ndonjëherë kur flasim kështu për jetën e qytetarëve apo për ti përmirësuar jetën qytetarëve, na kundërvihen, “filloi ky me fjalë të mëdhaja dhe fjalë politike”. Por në fakt në fund të ditës kjo është arsyeja pse ekziston politika. Për çfarë ekziston politika? Ja mendojeni një moment, për çfarë ekzistojmë ne që vijmë këtu si politikanë dhe ju flasim? Për çfarë? Për të ardhur dhe për t’ju bërë takime? Për të dal në TV dhe për të folur? Jo! Arsyeja pse ekziston politika, qeverisja, Parlamenti është që politika ti përmirësojë jetën qytetarëve. Jo për të marr rroga atje. Rroga të mira deputetësh. Ky është thelbi dhe në qoftë se kjo nuk ndodh, atëherë politika ka humbur thelbin e vet.

Çdo mazhorancë që nuk arrin ti përmirësojë jetën qytetarëve të vet, ka humbur arsyen pse është në mazhorancë dhe duhet të largohet. Çfarë të mirash keni parë këto vite? E keni jetën më të mirë? I keni pagat më të larta? I keni taksat më të ulëta? Është arsimin më i mirë? Është shëndetësia më e mirë? Jeni të gjithë bashkë si familje apo ju kanë ikur vëllezërit, motrat, fëmijët në emigracion dhe thonë që nuk duam t’ja shohim fytyrën këtij vendi edhe shkojnë gjejnë çfardollojë pune atje? Bëjeni këtë analizë edhe pastaj vendosini notën politikanëve.

Ajo çfarë ndodh në fakt në Shqipëri dhe veçanërisht edhe Gramshi nuk përjashtohet nga kjo, është se pushteti trajtohet si qëllim në vetvete. Hajde bëjmë ç’është e mundur të marrim pushtetin dhe nuk e dinë, ose nuk e kuptojnë ata që sillen kështu që pushteti është një mjet për të përmirësuar jetën e njerëzve. Këtu pushteti përdoret për gjëra të tjera në fakt. Këtu për ty fryrë, për të treguar se sa të fuqishëm jemi kur vijmë këtu me makina luksoze apo duke ju imponuar njerëzve, që duhet ta kesh mirë me këta të rëndësishmit, me këta të mëdhenjtë që të sigurosh një punë edhe të jetosh. Se po nuk e pate mirë me këta njerëzi, këta të mëdhenjtë, mund të mos kesh as punë, mund të mos kesh mundësi as për shkollë, as për shëndetësi, mund të mos kesh mundësi edhe të jetosh.

Prandaj ju them edhe një herë, reflektoni. Shikoni si sillen njerëzit. Ata që ju ose ata si ju, i kanë mbështetur dhe i kanë bërë kaq të fuqishëm, ose në dukje, kaq të fuqishëm. Pra ata janë të fuqishëm sepse qytetarët i votojnë. Shpeshherë njerëzit gabojnë. Shpeshherë njerëzit i japin votën, sepse i marrin thesin e miellit. Për shumë shqiptarë të varfër ai thesi i miellit është shumë i rëndësishëm,sepse shtyjnë një javë me të. Çfarë ndodh? Ndryshon jeta e shqiptarëve? Ndryshon jeta e familjes se morën një thes miell? Jo!

Për të përmirësuar gjithë këto gjëra, qoftë qeverisjen, qoftë mënyrën se si sillen të mëdhenjtë e mazhorancës, ka një institucion në Shqipëri që quhet institucioni i Zgjedhjeve të Lira dhe të ndershme. Prandaj opozita ka marrë këtë vendim ekstrem, që ta konfirmojë pushtetin te zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Sepse ai që është në mazhorancë nuk do zgjedhje të lira dhe të ndershme, por do shfrytëzojë të gjithë tarafin që krijon, gjithë frikën që mund të kenë njerëzit se mund të ikin nga puna po nuk i mbështetën, dhe mbi këtë të ndërtojë vazhdimësinë e pushtetit.

Ne kërkojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme,që do të thotë që ju dhe banorët e tjerë të Gramshit, të gjithë Shqipërisë të bëjnë zgjedhjen e tyre të lirë, për ata njerëz që kanë besim, për ata njerëz që ju keni besimin që do ti bëjnë gjërat më mirë. Që do të bëjnë edhe zhvillimin ekonomik më të shpejtë, më të fortë, që do të ulin taksat, që ju do të përfitoni nga zhvillimi ekonomik.

Thuhet që ka 6 vjet që rritet ekonomia nga 3-4% në vit. Po ti mbledhësh të gjitha bashkë bëjnë 13-14%. Pagat tuaja janë rritur 14%? Jo! Për çfarë duhet rritja ekonomike pastaj? Për statistika? Për të dalë në televizor? Ku reflektohet kjo rritja ekonomike? Pra duhet të ndryshojmë mentalitetin porsa i takon tifozllëkut politik. Nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, duhet të zgjidhni ata njerëz që mendojnë për ju, mendojnë se si të rrisin ekonominë, mendojnë si ju ta keni jetën më të mirë. Si ta keni shëndetësinë më të mirë, arsimin më të mirë dhe në fund të fundit, si të na çojë në Europë. Se në Europë duam të shkojmë me dinjitet. Nuk duam të jemi qytetarët e dorës së dytë në Europë, që të bëjmë punët e pista të Europës. Duam të jemi qytetarë të barabartë. Nuk kemi pse bëhemi shërbëtorë të gjermanëve, francezëve, italianëve. Ne duam të jemi dinjitozë kur të shkojmë në Europë, por duhet ta ndërtojmë këtu standardin e jetesës dhe aktualisht standardi jonë i jetesës është shumë larg Europës, shumë larg, kemi shumë për të bërë në Shqipëri dhe prandaj Kryetarja me të drejtë tha që kjo qeveri është e dështuar, sepse ka dështuar që ti përmirësojë jetën qytetarëve , përkundrazi me mijëra janë shqiptarët që ikin nga vendi për arsye të kësaj situate. Dhe për më tepër mazhoranca sillet me arrogancë, i bëj unë këto gjëra nuk kam nevojë për opozitën, si nuk ke nevojë për opozitën, ja pra ti nuk po i bën, nuk po i bën dot, me këtë parlament, me këtë shumicë që e ke marrë ashtu si e ke marrë duke blerë vota, duke angazhuar të fortët dhe kriminelët, nuk po  e bën.

Atëherë të fillojmë edhe një herë lojën, të shkojmë në zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe pastaj të shikojmë se kush mendon më shumë për qytetarët. Secili prej jush duhet ta kuptojë këtë, me njëri tjetrin, me të njohurit që keni, Shqipëria ka nevojë për një ndryshim, për mënyrën se si i nxjerr përfaqësuesit e vet, si e nxjerr qeverisjen dhe si i bën politikat për mirëqenien e qytetarëve. Nuk mund të shkojmë në Europë me këtë lloj politike, nuk mund të shkojmë në Europë me këtë lloj dialogu politik, në Europë shkohet kur të gjithë bashkëpunojnë. Ne duhet të jemi dinjitozë në Europë, kemi shumë rrugë për të bërë, por gjithçka fillon tek institucioni më i rëndësishëm i demokracisë që janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Prandaj çdo angazhim, çdo sakrificë për tu angazhuar në zgjedhje të lira dhe të ndershme, është mision shumë më i madh edhe se mandatet e deputeteve, dhe unë prandaj e shpreha me mirënjohje, sepse edhe unë edhe Kryetarja ishim deputetë me votën tuaj dhe kemi detyrimin të shprehim vazhdimisht mirënjohjen për besimin që ju keni shprehur ndaj nesh dhe këtë besim ne e kemi shumë të shenjtë dhe nuk e shpërdorojmë asnjë sekondë të jetës tonë, por me këtë besim kemi marrë edhe aktin e lënies së mandatit, se vetëm kështu mund ta kthejmë vendin në normalitet, duke shkuar edhe një herë tek sovrani, tek qytetari, tek zgjedhësi, i cili duhet të konfirmojë se kush do të jetë në Parlament dhe cili do ta qeverisë atë. Ju falënderoj edhe njëherë edhe jam i bindur se Gramshi do  të vazhdojë ndryshimin e mentaliteti për mënyrën se si i gjykon partitë, mënyrën si i gjykon politikanët, me shumë maturi, me shumë zgjuarsi dhe me shumë atdhedashuri për Shqipërinë sepse këtu flasim edhe për jetët tona personale, por flasim edhe për të ardhmen e Shqipërisë dhe të vendit. Faleminderit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat