Kryemadhi- Ramës: Pervers, vajzat dhe gratë shqiptare s’janë ato që përdor si struktura eskorte

Shqipëria

Kryemadhi- Ramës: Pervers, vajzat dhe gratë shqiptare s’janë ato që përdor si struktura eskorte

Më: 2 prill 2019 Në ora: 15:39
Edi Rama dhe Monika Kryemadhi

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka shpërthyer ndaj kryeministrit Edi Rama pas fjalëve që ai tha nga Prrenjasi për kryebashkiaken e LSI-së Miranda Rira e cila është bërë nënë për herë të dytë pak ditë më parë.

Ajo e cilëson kryeministrin pervers, që sipas saj nuk ka respekt për gratë e vajzat në përgjithësi e as për ato që i shërbejnë. Kryemadhi e shikon deklaratën e Ramës si diçka që përdor për të tërhequr vëmendjen nga kriza.

“Me perversitetin që e karakterizon, me pasionin për të poshtëruar gratë dhe vajzat që nuk i binden dëshirave dhe presionit të tij, Edi Rama ka guxuar paturpësisht të përflasë edhe Kryetaren e Bashkisë Prrenjas, e cila sapo është bërë nënë për herë të dytë.

Miranda Rira ka pak ditë që është bërë nënë, por as në fjalosjet më banale shqiptare, as në kohët më të vështira, si asnjëherë kryeministri ka përfolur një grua që sapo është bërë nënë.

Kjo ndodh jo vetëm për mungesën e respektit që ai ka për gratë e vajzat në përgjithësi, as për ato që në veçanti i shërbejnë dhe nuk guxojnë t’i kthejnë fjalë, nuk ndodh as sepse ai përdor çdo gjë për të prodhuar lajm e për të tërhequr vëmendjen nga kriza”, shprehet Kryemadhi.

Më tej ai thekson se e gjithë kjo përbuzje për gratë vjen prej formimit të tij, prej mënyrës si e ka ndërtuar jetën dhe karrierën ku gratë kanë qenë të keqpërdorura prej tij.

“Duke harruar se vajzat dhe gratë shqiptare nuk janë ato që Edi Rama mendon apo përdor si struktura eskorte, nuk janë ato që presin që jetën dhe karrierën tua ndërtojë ekipi i rilindjes. Vajzat dhe gratë shqiptare janë dinjiteti i shoqërisë dhe forca e familjes. Janë ato që sot më shumë se kurrë e kuptojnë dhe luftojnë për një jetë më të mirë për veten dhe familjen dhe për më shumë dinjitet në një shoqëri të marrë peng nga qeverisja e bandave. Shqipëria shtëpia juaj”, përfundon kryetarja e LSI.

Ky reagim i saj vjen pasi ditën e sotme Kryeministri Edi Rama, shigjetoi kryebashkiaken e Përrenjasit, Miranda Rira, e zgjedhur nga radhët e LSI, gjatë një takimi të mbajtur në Rrajcë..

“Jam i keqardhur për mungesën e kryetares së bashkisë. I uroj edhe 100 bebes së sapolindur të Mirandës. Kam besim dhe bindje që do t’i krijojmë mundësinë Mirandës që të fokusohet më shumë të bebja pas 30 qershorit”, u shpreh Rama.

Miranda Rira, u bë nënë për herë të dytë më 27 mars dhe kjo ka bërë që të jetë me leje lindje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat