Jo vetëm në kafene, sondazhi zbulon si po e “humbasin” kohën të rinjtë shqiptarë - Bota Sot
Jo vetëm në kafene, sondazhi zbulon si po e “humbasin” kohën të rinjtë shqiptarë

Shqipëria

Jo vetëm në kafene, sondazhi zbulon si po e “humbasin” kohën të rinjtë shqiptarë

Më: 4 prill 2019 Në ora: 08:48
Ilustrim

Që nga koha e kaluar në kafene deri te sporti, përdorimi i internetit dhe vullnetarizmi, këto janë aktivitetet kryesore që kryejnë të rinjtë shqiptarë. Sipas një studimi të kryer nga Fondacioni “Friedrich Ebert” në Tiranë, të rinjtë shqiptarë harxhojnë çdo ditë mesatarisht, 2.3 orë duke parë Televizor, si dhe 3.9 orë online.

Por nuk janë këto aktivitetet e vetme. Kafenetë zënë një pjesë të konsiderueshme të jetës së të rinjve shqiptarë. Sipas studimit në fjalë, të publikuar së fundmi, Gjysma e të rinjve të pyetur e kalojnë shumë shpesh kohën e lirë duke frekuentuar kafene dhe lokale, ndërkohë që 21 për qind e bëjnë këtë me raste.

Faktor i fuqishëm në këtë çështje është, sigurisht, edhe statusi ekonomik i të rinjve: 8 për qind e të rinjve nga grupi më i varfër ekonomikisht nuk del kurrë, krahasuar me mesataren kombëtare, që është vetëm 1 për qind, citon studimi i FES.

Gjinia është faktori kryesor që vendos zgjedhjen e aktivitete-ve të të rinjve për kohën e lirë: djemtë luajnë videogames, dalin më shpesh dhe praktikojnë sporte, ndërkohë që vajzat, më së shumti, lexojnë libra

Shpenzimi i kohës së lirë nga të rinjtë është i rëndësishëm, sepse tregon elemente të tjera të jetës së tyre, si dhe të planeve për të ardhmen. Aktivitetet më të zakonshme, që të rinjtë bëjnë shpesh në kohën e lirë, çdo ditë ose disa herë në javë, janë dëgjimi i muzikës (85 për qind e bëjnë këtë shumë shpesh) , dalja me miqtë (70 për qind e bëjnë shumë shpesh), shikimi i filmave (72 për qind), relaksimi dhe kalimi kohës me familjen e tyre (92 për qind e bëjnë këtë mjaft shpesh).

Kryeson kafeneja

Gjysma e të rinjve të pyetur e kalojnë shumë shpesh kohën e lirë duke frekuentuar kafene dhe lokale, ndërkohë që 21 për qind e bëjnë këtë me raste.

Megjithatë, 15 për qind e të rinjve pohojnë se nuk shkojnë kurrë në kafene dhe lokale në kohën e lirë, kurse 18 për qind prej tyre i frekuenton ato shumë rrallë. Shqipëria, së fundmi, është renditur si vendi me numrin më të lartë të kafeneve për numrin e popullsisë duke ia kaluar dhe Spanjës, që ka pasur për shumë vite rekordin.

Kafenetë shqiptare, sidomos në kryeqytet, janë të mbushura plot me të rinj në çdo ditë të javës. Ndaj është me shumë interes të eksplorohet profili i të rinjve, që shkojnë shumë rrallë ose nuk shkojnë kurrë në kafene dhe në bare. Shumica e këtyre të fundit janë femra dhe i përkasin grupmoshës më të re (14- 17 vjeç). Po ashtu, një ndër katër të rinj, nga grupi më mundësitë më të ulëta ekonomike, thotë se nuk shkon kurrë në kafene ose lokale. Vetëm një e treta e të rinjve shpenzon rregullisht kohë të lirë duke lexuar libra, 19 për qind e bëjnë këtë vetëm me raste, ndër-kohë që gjysma tjetër e tyre lexon shumë rrallë (28 për qind) ose nuk lexon kurrë (22 për qind). Ndarja gjinore është e dukshme dhe e shpeshtë në analizën e modeleve dhe e prirjeve që kanë të rinjtë për kohën e lirë. 28 për qind e femrave, krahasuar me vetëm 5 për qind të meshkujve, nuk dalin kurrë me miqtë ose e bëjnë këtë gjë shumë rrallë. Po ashtu, dalja me miqtë është më e rrallë në zonat rurale se sa në ato urbane.

A lexohet më libra?

Të lexuarit e librave risjell në vëmendje një ndarje të madhe gjinore. Ndërkohë që 20 për qind e vajzave lexojnë shumë rregullisht vetëm 8 për qind e djemve e bën këtë gjë. Po ashtu vetëm 12 për qind e vajzave thonë se nuk lexojnë kurrë, ndërkohë që këtë e pohojnë 31 për qind e djemve. Leximi i gazetave dhe revistave është një aktivitet që shpesh, bëhet vetëm nga 10 për qind e të rinjve, ndërkohë që nga 80 për qind e tyre bëhet rrallë ose s’bëhet aspak. Përqindja në këtë rast rritet në grupin e të diplomuarve nga universiteti, nga të cilët 18 për qind i lexojnë gazetat dhe revistat rregullisht.

Sportet dhe arti

Një situatë e kundërt vihet re aspektin gjinor në praktikimin e sporteve dhe të aktivitetit fizik, ku djemtë janë në krye. 46 për qind e djemve dhe 28 për qind e femrave praktikojnë sporte apo ushtrime shpesh ose shumë shpesh. Megjithatë, në përgjithësi, 41 për qind e të gjithë të rinjve shqiptarë nuk ushtrohen fizikisht, duke praktikuar sporte rrallë ose asnjëherë. Djemtë preferojnë të luajnë me videogames shumë më shumë se vajzat. 37 për qind e tyre e bëjnë këtë shumë shpesh krahasuar me vetëm 13 për qind të vajzave. Ndërkohë 62 për qind e vajzave, dhe 24 për qind e djemve pohojnë se nuk luajnë kurrë vide-ogames. Marrja me aktivitete krijuese, veçanërisht në fushën e artit, vlerësohen gjithnjë e më shumë në Botë si aftësi e domosdoshme për angazhimin e ardhshëm profesional të individëve. Megjithatë, gjysma e të rinjve shqiptarë nuk merret kurrë me veprimtari krijuese, kurse 17 për qind e tyre e bën këtë rrallë. Rreth 12 për qind e të rinjve e bëjnë këtë me raste, ndërkohë që 19 për qind e bëjnë këtë shpesh. Duke qenë se numri i qendrave rinore në Shqipëri është shumë i vogël, edhe përqindja e të rinjve, që shpenzojnë kohë në to është shumë e vogël. 2/3 e gjithë të rinjve nuk kalojnë kurrë kohë në një qendër rinore. 17 për qind e atyre, që i kanë frekuentuar këto qendra shpesh ose me raste, banojnë shumica në zona ur-bane. Numri i vogël i qendrave rinore është një mundësi zhvillimi e munguar për rininë, se dihet që ato janë vende ku ndërtohet ndjesia e komunitetit, përftohen aftësi të vlefshme dhe inkurajo-het pjesëmarrja qytetare.

Vullnetarizmi

Vullnetarizmi në projekte të ndryshme sociale apo organizata të ndryshme është një tjetër indikator i ndjenjës qytetare dhe i përgjegjësisë të të rinjve ndaj komunitetit. Në 2017, 16 për qind e të rinjve u angazhuan vullnetarisht në aktivitete të ndryshme disa herë. Vullnetarët e shpeshtë ishin pak. Në 2014, një grup prej 21 për qind ishin vullnetarë së paku disa herë ndërkohë që shifra ishte po 16 për qind në vitin 2011. Duket se vullnetarizmi mbetet sporadik tek të rinjtë. Meditimi, praktikimi i jogës dhe aktiviteteve të tjera të ngjash-me me to, si leximi i librave mbi spiritualitetin dhe rritjen personale pothuajse nuk njihen nga të rinjtë. 87 për qind e tyre nuk i praktikojnë dhe ata pak të rinj që i njohin dhe i ushtrojnë jetojnë shumica në kryeqytet.

Shopping-u

Të bërit pazar (Shopping) është një aktivitet, që një e treta e të rinjve e kryen regullisht. Në këtë veprimtari kryesojnë vajzat me 45 për qind, krahasuar me 25 për qind të djemve. Një në dhjetë djem pothuajse nuk shkon kurrë për pazar, duke ia lënë këtë angazhim anëtarëve të tjerë të familjes me shumë gjasë të gjinisë femërorë.

Interneti

93 për qind e të rinjve shqiptarë, krahasuar me 85 për qind të tyre në sondazhin e kaluar kanë akses të rregullt në Internet. Për atë minoritet të vogël, që nuk ka akses të tillë, faktori vendimtar është statusi ekonomik. 1 në 10 të rinj nga grupi me mundësi më të kufizuara ekonomike nuk ka akses në Internet. Të rinjtë shqiptarë kalojnë një kohë mbresëlënëse online, rreth 3.9 orë në ditë. Për meshkujt kjo kohë është dhe pak më e madhe tek 4.1 orë në ditë. Ky trend është në një rritje të vazhdueshme nga 3.2 orë të shpenzuara online në vitin 2014 dhe 2.9 orë në 2011. Sasia e kohës e shpenzuar online dikton shumë elemente të jetës së të rinjve pasi ata e përdorin Internetin për shumë qëllime. Përdorimet më të shpeshta të Internetit janë: Rrjetet socia-le (87 për qind e përdorin shumë shpesh për këtë qëllim) Komu-nikimi përmes platformave falas si Skype/ Viber (85 për qind i përdorin shumë shpesh), dëgjimi i muzikës (70 për qind) dhe ndarja e fotove dhe videove me të tjerët (67 për qind).Këto ndiqen nga shkarkimi i filmave (49 për qind); marrja e informacionit të duhur për detyrat dhe projektet e shkollës (48 për qind) dhe lojrat online (38 për qind). Përdorimet utiliare të Internetit janë të rralla dhe jo fort të njohura nga të rinjtë: shopping online dhe veprimet bankare on-line janë në shifrat e ulëta 5-10 për qind, madje, dhe emaili, si formë më serioze komunikimi, përdoret vetëm nga 25 për qind e të pyeturve. 51 për qind e të rinjve e përdorin Internetin për tu informuar dhe për të lexuar lajmet mjaft shpesh. Një tjetër grup prej 37 për qind, po ashtu, informohet dhe dëgjon lajmet online me raste. Të rinjtë e moshave pak më të pjekura e përdorin Internetin më shpesh për t’u informuar për lajmet se sa adoleshentët. Kjo ndër-varje kaq e spikatur për të marrë lajmet nga Interneti duhet ana-lizuar më tej. Një raport rajonal ka treguar se vendet e Europës Juglindore, e në veçanti, Shqipëria janë shumë të pambrojtura nga rreziku i lajmeve të rreme dhe influencave të ngjashme, duke qenë se niveli i njohjes së medias dhe funksionimit të saj (media literacy) aty është mjaft i ulët, shkruan ‘monitor’.

Rrjetet sociale përdoren gjerësisht nga të rinjtë, të cilët kanë një preferencë në rritje për to. 21 për qind e të rinjve të pyetur thonë se kanë deri në 50 miq në këto rrjete, ndërkohë që 37 për qind thonë se kanë deri në 200 miq dhe, 30 për qind kanë deri në 500 miq nga rrjetet sociale. Grupi me më shumë sesa 500 miq online përbën 11 për qind të të rinjve. Megjithatë kur iu kërkohet të rinjve se sa prej këtyre miqve virtualë do t’i konsideronin si miq në jetën reale, numrat fillojnë të bien ndieshëm. Mesatarisht, të rinjtë thonë se, nga numri i miqve të tyre në rrjete sociale, vetëm 29 prej tyre janë miq në jetën e përditshme, me të cilët ata kanë vërtet kontakt. Për meshkujt ky numër është 31, ndërkohë, që për femrat është 25. Vihet re një hendek i madh midis numrit të miqve në botën virtuale dhe atyre në jetën e përditëshme. Të rinjtë janë pyetur nëse kanë besim që rrjetet sociale i për-dorin të dhënat e tyre personale me përgjegjësi, pra, e mbrojnë privatësinë e tyre. Ky sondazh u zhvillua përpara zbulimit të skandalit të Cambridge Analytica, i cili ndezi një debat global mbi sasinë e madhe të të dhënave personale, që kompani si Google apo Facebook posedojnë dhe për mënyrat se si ato përdoren për përfitime komerciale. Rreth 46 për qind e të rinjve nuk kanë besim ose kanë fare pak besim te rrjetet sociale në lidhje me të dhënat e tyre. Rreth një e katërta i beson shumë ose plotësisht, ndërkohë që 29 për qind ndihen deri diku besues, por jo plotësisht. Femrat duken më skeptike sesa meshkujt për këtë çështje.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...