Pse opozita nuk e dëgjon Presidentin Meta!

Shqipëria

Pse opozita nuk e dëgjon Presidentin Meta!

Më: 4 prill 2019 Në ora: 22:11
Foto ilustruese

Duke qenë se kjo deklaratë bëri aq bujë sa i kaloi kufijtë e Shqipërisë dhe e sigurtë është se do kujtohet duke e tejkaluar edhe mandatin e Ilir Metës si President i Republikës, u la fillimisht në hije dhe tani është zhytur edhe në harresë, një pjesë tjetër e deklaratës së tij, e cila lidhet më mënyrën sesi ai e sheh të paktën publikisht, aktin e opozitës për djegine e mandateve Parlamentare.

“Akti i opozitës për djegjen e mandateve ka qenë i papranueshëm për mua si President i Republikës,- tha Meta. Djegia e mandateve nga opozita shqiptare ka sjellë një krizë të rëndë përfaqësimi në institucionin themelor të Republikës, në Kuvendin e Shqipërisë.”

Nëse fokusohemi vetëm tek kjo pjesë e deklaratës së tij, atëherë gjithkush që nuk e njeh qasjen konkrete dhe reale të kreut të shtetit në këtë situatë, nis e mendon se edhe Ilir Meta mendoka në mos si mazhoranca, të paktën si të gjithë ndërkombëtarët që janë prononcuar deri më sot për këtë çështje. Qofshin ata në Uashington, apo edhe në Bruksel a gjetkë në kryeqendrat e tjera të rëndësishme të vendimarrjes politike në Bashkimin Europian.

Por e bukura qëndron pikërisht në faktin se Presidenti i Republikës së Shqipërisë shikon si fajtor të vetëm për “aktin e papranueshëm të opozitës shqiptare që ka sjellë një krizë të rëndë përfaqësimi në Parlament”, vetëm dhe vetëm mazhorancën.

Meta në të njëjtën ditë kur deklaroi se do vriste veten, tha se “kriza e thellë e përfaqësimit nuk mund të zgjidhet, as me dhunë, as me metoda policore, dhe as me mjete financiare, por vetëm me dialog politik, për të rivendosur legjitimetin e përfaqësimit në Kuvendin e Shqipërisë.”

Ajo që nuk kuptohet është se ku e ka parë kreu i shtetit dhunën, metodat policore dhe mjetet financiare? Nëse ka prova për këto, pasi ai mund të ketë shumë më tepër informacion se qytetarët e zakonshëm, mediat dhe politikanët e thjeshtë, atëherë përse nuk i bën ato publike? Përse nuk i denoncon në media? Dhe në fund të fundit, përse nuk i dorëzon provat dhe faktet për akte të tilla kaq shumë të rënda për një demokraci, në organet kopetente: Në polici, në prokurori, në gjykatë, para anëtarëve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, tek përfaqësuesit e trupit diplomatik në Tiranë dhe tek vendet partnere të NATO dhe aleatët tanë strategjikë?!

Në gjithë këtë histori, nuk mund të ketë dy të vërteta, dy palë njëlloj të fajshme, dy fajtorë, dy bashkvuajtës dhe dy bashkautorë. Por, një dhe vetëm një. Ose mazhoranca është duke përdorur dhunë, metoda policore dhe mjete financiare? Ose opozita ka bërë një akt politik të papranueshëm,- siç thotë ai. Pra, ose njëra, ose tjetra.

Duke qënë se Presidenti I Republikës Ilir Meta, përshëndeti edhe trupat e forcave tona të armatosura në ceremoninë e 10 vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, u kuptua se frika për instalizimin e një junte ushtarake nga ana e mazhorancës, paska rënë ose është tejkaluar tashmë. Kështu që mbetet që qëndron në këmbë, vetëm opsioni se akti I opozitës për djegien e të gjitha mandateve dhe dalja nga Parlamenti, është e papranueshme.

Çfarë ka bërë deri më sot Presidenti Ilir Meta për këtë? A e ka thirrur Kryetarin e PD Lulzim Basha? A e ka thirrur Kryetaren e LSI Monika Kryemadhi? A i ka thirrur veç e veç ose të gjithë bashkë, liderët e partive të opozitës së bashkuar? Me sa dimë ne JO. Atëherë ose Presidenti nuk ka vullnet për ta ndërmarë këtë hap, ose ai ka testuar dhe e ka kuptuar se opozita nuk e dëgjon fare kreun e shtetit?

Pyetja naive që do të shtronte gjithkush pas kësaj është: Përse opozita jonë nuk e dëgjon fare shqetësimin e thellë të Presidentit të Republikës Ilir Meta?!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat