Safet Gjici, kandidat për kryetar bashkie në Kukës

Shqipëria

Safet Gjici, kandidat për kryetar bashkie në Kukës

Më: 5 prill 2019 Në ora: 17:14
Pamje nga takimi

Kryeministri Edi Rama prezantoi sot Safet Gjicin, si kandidat për kryetar bashkie në Kukës për zgjedhjet e 30 qershorit.

“Ka ardhur koha që bashkinë të na e jepni ne, si detyrë për të bërë për Kukësin shumë gjëra që duhet të ishin bërë me kohë dhe nuk janë bërë dhe për të dalë nga një situatë sa sekëlldisëse, edhe qesharake”, tha në një takim me banorët e Kukësit Kryeministri Rama.

Rama tha se ka ardhur koha për një moment ndryshimi të madh për Kukësin dhe ky ndryshim duhet të shoqërohet me këtë ndryshim në bashki.

“Janë përputhur të gjitha gjërat për mirë dhe është vetëm paksa vëmendje për gjithë kuksianët, sepse kandidatin për kryetarin e bashkisë nuk e sollëm ne, por e gjetëm mes jush. Dhe e gjetëm kampion, ose pretendent për kampion, por të paktën po nuk fituat kampionatin fitoni bashkinë”, tha Rama.

Kryeministri shprehu keqardhjen që kundërshtarët politikë janë jashtë forme. “Sado skuadër e mirë të jesh kur duhet të luash me një skuadër jashtë forme, vështirë të luash në mënyrë të shkëlqyer. Kundërshtari të motivon, në të kundërt shpërqendrohesh”, tha Rama.

Ai solli në vëmendje momentin kritik me banorët e Kukësit, kur u vendos tarifa e Rrugës së Kombit. Kryeministri pranoi se qeveria ishte gabim dhe banorët e Kukësit kishin të drejtë.

“Deri dje Kukësi dhe gjithë Shqipëria kishin një qeveri e cila gabonte shumë, mendonte pak dhe nuk reflektonte kurrë. Ndërkohë që sot, ne jemi qeveri që gabon herë pas here, mendon shumë dhe reflekton kur gabon. Ne nuk jemi të rënë nga qielli, të pagabueshëm, pasi duke u përpjekur të bëjmë sa më shumë punë e kemi të pamundur t’i shmangim gabimet. Ai nuk ishte gabim i vogël, pasi shqetësoi një komunitet të tërë por ne jemi të vetëdijshëm dhe u japim të drejtë njerëzve, kur kanë të drejtë”, tha Rama.

Kryeministri tha se qeveria reagoi dhe sot po sjell investime duke adresuar rreziqet dhe plotësuar njërën anë të Rrugës së Kombit.

“Siç lanë rrugëve rrugët e Shqipërisë, sot ata lanë dhe veten rrugëve. Ne i kemi mundur edhe kur zgjedhjet kanë qenë kohën, kur ata kanë qenë në qeveri dhe nuk nxirrej dot vota jonë nga kutitë e votimit”, – tha Rama.

Ne do ta fitojmë Kukësin, tha Rama, duke shtuar se Tropojën do ta diskutojmë, jo se është Luli më i fortë në Tropojë, por sepse PS nuk është organizuar aq mirë sa duhet atje.

“Unë besoj se nëse socialistët janë të organizuar si duhet, fitojnë në çdo kuti votimi sepse ne jemi të mirë edhe për demokratët. Ne i shërbejmë njësoj të dyja palëve. Mos shkoni pas atyre, sepse i bini vetes. Ata nuk sjellin zgjedhje të parakohshme, nuk e luajnë parlamentin nga vendi, por dëmtojnë vetëm ekonominë dhe turizmin”, – tha Rama.

Kryeministri shprehu bindjen se Safet Gjici do të jetë kryetar bashkie në Kukës, ku shumë gjëra janë bërë dhe shumë të tjera akoma më mirë duhen bërë. “Por nuk diskutohet se ka vetëm një forcë që mund t’i bëjë gjërat, PS”, – tha Rama.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat