Gjonaj: Rikthejmë ligjin për amnistinë e të burgosurve, opozita pengoi procesin

Shqipëria

Gjonaj: Rikthejmë ligjin për amnistinë e të burgosurve, opozita pengoi procesin

Më: 19 prill 2019 Në ora: 19:34
Foto ilustruese

Ministrja Gjonaj u shpreh se ligji për amnistinë shumë shpejt do të kthehet për diskutim në Kuvend, për t’u rivotuar së bashku me deputetët e rinj të opozitës.
“Amnistia ka qenë gati që në muajin nëntor të vitit 2018 për t’u miratuar nga qeveria, por për shkak se nuk kemi patur vullnetin e opozitës së atëhershme për të miratuar amnistinë, e cila është shumë e nevojshme, për sa kohë ka më shumë sesa 1 vit e gjysmë që nuk kemi një amnisti të re, nuk u arrit dot që të miratohej dhe nuk kishte shumicën e cilësuar të Parlament për t’u votuar. Në këtë situatë ku kemi një opozitë, pra deputetë të rinj të opozitës në Parlament, po shikojmë mundësinë që ta dërgojmë sërish për miratim nëpërmjet kalimit nga qeveria, duke krijuar dhe duke pasur parasysh edhe ndikimin që mund të ketë në fushatën elektorale. Amnistia po ripunohet, për shkak se treguesit dhe të dhënat janë dinamike, pra ndryshojnë muaj pas muaji dhe grupi i punës është rimbledhur përsëri për të parë se si shkojnë shifrat dhe cilët janë personat që duhet të përfshihen në këtë amnisti”, – theksoi Gjonaj.
Gjonaj gjatë prezantimit të marrëveshjes për zbatimin e masave alternative të shmangies nga ndjekja penale për të miturit në konflikt, u shpreh se marrëveshja synon një tjetër formë trajtimi të të miturve që kanë probleme me drejtësinë.
“Fakti që sot jemi në këtë qendër, tregon gjithashtu edhe marrjen e masave konkrete, që këtë marrëveshje që ne do ta firmosim sot të fillojë të zbatohet menjëherë për kategorinë e të miturve në kontakt me organet e drejtësisë. Kjo është marrëveshja e 12-të që Ministria e Drejtësisë po nënshkruan me bashkitë lidhur me trajtimin e të miturve. Reforma në drejtësinë penale për të miturit është sot shembulli më i mirë për të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe unë besoj se kjo duhet të jetë jo vetëm në aspektin legjislativ, por edhe në aspektin e zbatimit, me qëllim që të shërbejë jo vetëm si model i mirë, por edhe si lider në dhënien e eksperiencës tonë në Ballkanin Perëndimor. Në këtë qendër do të trajtohen të gjithë ata të mitur të cilët kanë nevojë për një shërbim më të specializuar, me qëllim që ata të mos qëndrojnë më në institucionet ekzekutive penale, burgjet, apo vende të tjera të izolimit. Janë pikërisht këto qendra një alternativë, një mënyrë që do të japë mundësinë që këta të mitur të trajtohen në mënyrë multidisiplinare, me qëllim rikthimin në shoqëri dhe në familjet e tyre. Jemi në fazën ku po ngremë qendrën e re, e cila është për parandalimin e kriminalitetit të të miturve, që do të japë një trajtim ndryshe për të gjithë ata që kanë marrë një vendim nga gjykata si të dënuar, me qëllim që ata të trajtohen dhe që të mos jetë një drejtësi e ftohtë dhe e ngurtë përballë të miturve, por të jetë një drejtësi miqësore. Instituti Multidisiplinar i të Miturve do të japë mundësi që të mos qëndrojnë më në burgje, por të qëndrojnë në institute rehabilituese, me qëllim trajtimin e tyre”, – vijoi ajo.

Lidhur me të miturit që kanë qenë apo janë pjesë e IEPV Vlorë, ministrja Gjonaj ka thënë se tashmë në këtë paraburgim prej pak kohësh nuk ka më të mitur në pritje vendimi. Këta të mitur janë transferuar në paraburgimin e Kavajës.
“Të miturit e paraburgosur janë të vendosur në Institutin e posaçëm të Kavajës. Me një urdhër të ministrit janë vendosur të gjithë ata të mitur të paraburgosur, i cili ofron mundësi ndryshe për të gjithë të paraburgosurit. Është e vërtetë që më parë ka pasur një trajtim jo siç i takonte një të mituri të paraburgosur, por sot që flasim me zbatimin e këtij urdhri të gjithë të miturit janë të mbledhur në Institutin e posaçëm të Kavajës. 2 janë me vendim të formës së prerë dhe 18 janë të paraburgosur që qëndrojnë sot në këtë institut”, – theksoi Gjonaj.
Ndërkaq, kryebashkiaku Leli ka thënë se vëmendja institucionale e pushtetit vendor dhe lokal është gjithëplanëshe dhe në favor të atyre që kanë më tepër nevojë.
Në përfundim të takimit, ministrja Gjonaj dhe kreu i bashkisë VLorë, Dritan Leli nënshkruan marrëveshjen  për zbatimin e masave alternative që do të shmangin nga ndjekja penale të miturit në konflikt me ligjin, e cila do t’u japë mundësinë të miturve në kontakt me ligjin që kanë kryer vepra të lehta penale, të trajtohen, këshillohen, informohen dhe udhëzohen pa u privuar nga liria.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat