Rrëfimi i Anisa Markarian: E mësova mjekësinë me trupat e djemve të pushkatuar nga regjimi

Shqipëria

Rrëfimi i Anisa Markarian: E mësova mjekësinë me trupat e djemve të pushkatuar nga regjimi

Më: 6 maj 2019 Në ora: 16:32
Anisa, mjekja në fjalë

“15 ditë prilli” është e para herë e aktores që ka studiuar për Mjekësi, që vendos të botojë. Mirëpo, rrëfimet e kësaj here janë më të shtruara, më të pasura e veç të gjithave, për herë të parë, zbardhin në një mënyrë, ca të vërteta që diku janë parë, diku janë dëgjuar, në absurdin e një kohe si ajo që Anisa jetoi në Shqipëri, kur ishte studente Mjekësie dhe ca vite më pas.

Ndryshe nga të gjitha koleget e saj aktore e mbase edhe nga ato mjeke, hebreo-shqiptaria Markarian, ka ndjerë gjithnjë nevojën t’i flasë të vërtetat e kohës së saj. Duke tjetërsuar ca rrethana, vendngjarje e mbase personazhe, ndihen në të gjitha ditët e rrëfimeve, çmenduritë e një kohe që autorja i ka zbutur me humor, por edhe i ka ngjeshur me një gjuhë të pasur.

“E ndërgjegjshme që, falë origjinës së dyfishtë, kam trashëguar një përvojë historike, shpirtërore e kulturore të përveçme, dëshirën për të rrëfyer ‘epokën time’, e kam përjetuar si nevojë të brendshme për të mos humbur rrënjët.”15 ditë prilli” nuk është një libër autobiografik. E megjithatë, jam studentja e Mjekësisë, që e mësoi anatominë mbi trupa djelmoshash të pushkatuar; jam qytetarja që u përball me pabesinë dhe absurditetin, jam banorja e dashuruar në qytetin bunker; jam intelektualja e asfiksuar nga despotizmi ideologji; jam artistja e dënuar për evazion ëndrrash… Shtyjeni portën pa frikë!”. Sot kemi në dorë romanin e saj të parë, por jo krijimet e saj të para.

Anisa ka shkruar që në moshë të re tregime që janë botuar në vëllimet “Stina e gonxheve” (përzgjedhje me proza nga autorë të rinj, Sh. B. “Naim Frashëri”, 1990) dhe “Jetë tjetër” (antologji me krijime nga autorë mjekë, “Neraida”, 2001). Në vitin 1999 botoi librin e parë, “Sënduku i kujtimeve”, përmbledhje tregimesh (Botime Çabej). Në moshën 16-vjeçare interpretoi rolin e Dhuratës në filmin “Vajzat me kordele të kuqe”, dy vjet më vonë fiton kupën e Festivalit të 4-t të Filmit Artistik Shqiptar si interpretuesja më e mirë në një rol kryesor femëror (roli i Zanës në filmin “Në çdo stinë”). Në dy filmat që pasuan, “Pranvera s’erdhi vetëm” (1988) dhe “Ngjyrat e moshës” (1990), është skenariste dhe interpretuese e personazhit kryesor. Romani “15 ditë prilli”, botuar nga Çabej, rrëfen mjeshtërisht ngjarje të një kohe që duket si e pakohë, por që i referohet qartë kohës së një sistemi totalitar, siç ishte Shqipëria e një të shkuare të afërt: nëpërmjet elementeve bashkëkohore, përfshirë nga autorja vendngjarja mund të ishte Shqipëria, po edhe cilido vend tjetër i një kohe të përjetshme, ku e tashmja dhe e shkuara bashkëjetojnë e përsëriten fatalisht. Romani shtillet si një kronikë ngjarjesh që ndodhin brenda 15 ditëve, ngjarje të ngritura mbi groteskun, të cilat me gjithë zymtinë e përgjithshme, të bëjnë të veshë buzën në gaz me notat e humorit që ka fund e krye.

Situatat surreale të çojnë ndër mend romanet e realizmit magjik. Personazhet kryesore të romanit: Ida, studentja e Mjekësisë, ëndërrimtare dhe rebele, Vladi, shkrimtari më i rëndësishëm i vendit në kërkim të guximit për të qenë vetvetja, Teo, pacient i “Kosheres”, spitalit për sëmundje të papërcaktuara, dhe Bulëza, balerina e hajthme e tragjike, e shoqërojnë lexuesin në vende të trilluara, si Kosherja, Kalaja me Zyra apo Vargmalet e Urthit, por që jehojnë njëherësh të mirënjohura në kujtesën e lexuesit shqiptar. “15 ditë prilli” është një roman i fortë, që të mbërthen që në faqet e para e të lë brenda vetes pikëpyetje të rëndësishme për mënyrën si e kemi jetuar të shkuarën e si po e projektojmë të ardhmen. Stili i mprehtë i autores, me shqipen aq të pasur e karakteristike të saj, të fut në një botë, e cila të shfaqet përpara syve sikur një film.

PJESË NGA LIBRI

Leksioni i fundit kishte mbaruar në orën 15:30. Meqenëse tani e tutje i ndalohej të studionte në bibliotekë, Ida kishte marrë më këmbë rrugën e kthimit për në Qytezën Universitare. Do të studionte në dhomën e saj. Ecte dhe mendonte për Vladin. -Vlad Krela…-ia gërmëzoi emrin me një mall të papërjetuar ndonjëherë më parë. Një sëmbim i ngrohtë i përshkoi kurmin, trazuar me marramenthin e shkaktuar nga ngjarjet e fundit. Kujtimi i orëve të kaluara me të i krijoi bindjen se magjitë ekzistonin.

Më saktë, magjistarët. Ajo kategori fatlumësh që kanë studiuar aftësitë mbinatyrore të realizojnë ëndrrat. Jo të tyret. Ato të njerëzve, të cilëve u afrohen. Ida Raez ishte njëra prej tyre. Më tepër se një ëndërr. I kishte plotësuar një mangësi intelektuale. Nevojën për t’u shprehur çlirët. Nuk i kishte ndodhur me askënd. As me Leksin. Kufiri i mirëkuptimit të tyre e si rrjedhojë dhe i mundësisë për të diskutuar lirshëm me njëri-tjetrin ndalonte përkëtej linjës së pashkelshme të fjalëve dhe të temave tabu. Qëndrimi i Leksit ishte i qartë dhe i prerë: cilido shtetas që fliste kundër regjimit çonte ujë në mullirin e armikut, prandaj duhej shpallur tradhtar. Të njëjtin parim zbatonte edhe me Idën. Sipas tij, “Njeriu i ri” nuk mund t’u përvidhej normave dhe rregullave të moralit komunist qoftë edhe në prani të të dashurit apo të së dashurës së vet. Ishte thjesht e pakonceptueshme. Ishin të shumtë ata që mendonin si Leksi. Prej dekadash tashmë, pjesa dërrmuese e popullsisë së vendit ishte mbyllur në një memecëri të rrezikshme.

Gjuha amtare kërcënohej të shuhej. Të parat do të vdisnin fjalët e mosbindjes e të guximit qytetar. E pak nga pak, në mënyrë të pashmangshme, do të harroheshin edhe të tjerat. Do të mbijetonin veç fjalët e lejuara e të këshilluara. Fjalë pompoze e shkëlqimtare. Kishin për mision të forconin optimizmin e detyrueshëm popullor e t’i kallnin tmerrin armikut. Me to shkruheshin parullat e deklamuara gjer në neveri nga pushtetarët; me to përmbyteshin gazetat, revistat, radiokronikat, reportazhet televizive e dokumentarët; me to demaskohej çdo pëllëmbë e lirë muri, fasadë pallati a godine qeveritare, faqe kodre e mali. *** Objekti i përçarjes ishte një fletërrufe e nderuar si çarçaf në hyrje të Qytezës. I drejtohej qytetares Ida Raez.

Ndër të tjera, thuhej: “Për shkak të mangësive të theksuara në formimin ideo-politik, mangësi që shoqet dhe shokët e saj nuk qenë të aftë t’i zbulonin e t’i korrigjonin, I.Raez ra naivisht në kurthin e armikut të brendshëm që kishte planifikuar ta përdorte si zjarrvënëse të revoltës studenore. Dobësitë organizative në gjirin e Bashkimit të Rinisë Universitare që shkaktuan uljen e vigjilencës në radhët e anëtarëve të saj, u shfrytëzuan nga agjentët e fuqive imperialiste për t’i vënë shkopinj në rrota revolucionit tonë proletar.

Me çfarë merrej ndërkohë Byroja Politike e BRU-së? Përse nuk u përlesh me mbeturinat e mendësisë mikroborgjeze që propagandonte I.Raez?

Në pritje të shpalljes zyrtare të dënimit për veprimtari subversive, studentes I.R i ndalohet hyrja në të gjitha bibliotekat e Republikës, frekuentimi i sallave të teatrove, të kinemave, të koncerteve e të ekspozitave dhe pjesëmarrja në aktivitete sportive. Çdo të diel, gjer në fund të vitit shkollor, studentët e të gjitha fakulteteve do të japin kontributin e tyre vullnetar në pastrimin e stallave të lopëve në fshatrat rrotull kryeqytetit dhe në grumbullimin e plehut të çmuar.

Ftojmë të dyja palët t’i përgjigjen publikisht fletërrufesë në formë autokritike”. Tekstin e shkruar me germa të mëdha shtypi e shoqëronin dy karikatura. Në të parën ishte përfaqësuar simboli i Mjekësisë: një gjarpër rrotull një shkopi. S’kishte një, por dy koka. Që të dyja me tiparet e Idës. Gojët e çapëlyera me gjuhëzat e gjata e të bigëzuara të gjarprit derdhnin vrer mbi një luledielli që po fanitej e helmuar. Karikatura e dytë ishte edhe më e shëmtuar. E frikshme, madje. Paraqiste figurën alegorike të vdekjes veshur me pelerinën e zezë me kapuç duke kositur koka studentësh me libra ndër duar. Skeleti i Kositëses kishte fytyrën e Idës. -Erdhi plehra!,-lajmëroi sulmuesja sapo dalloi Idën. E zënë në befasi, Ida nuk arriti të ndërronte rrugë.

U gjend ballë për ballë me grupin e studentëve kundërshtarë që marshonin drejt saj me fytyra të egërsuara. Do ta paguante shtrenjtë njollën e turpshme që i kishte vënë organizatës së tyre. Kishte çnderuar një brez të tërë të rinjsh revolucionarë! Për fajin e saj, tash e tutje, do t’i kalonin të dielat duke larë e dezinfektuar stallat e lopëve e duke mbushur thasë me bajga. -Agjente e fëlliqur! -Bëzhdilë e shoqërisë! -O skorie! E kishin rrethuar nga të gjitha anët e përparonin drejt saj më të vendosur se kurrë. Njëri prej studentëve rrëmbeu një gur, kolegu i tij një thupër… U armatosën edhe të tjerët….

*** Sapo vuri këmbët në oborrin e burgut, Vladi e kuptoi që gjërat kishin ndryshuar. Oficeri, i ngarkuar ta shoqëronte kudo, ishte zhdukur si me magji. Me shumë mirësjellje iu lutën t’i sinjalizonte në fund të ditës që po largohej, siç duket që të mos e harronin brenda, dhe të firmoste regjistrin e hyrje-daljeve. Asgjë tjetër. Ishte i lirë të qarkullonte, të takonte kë të donte, të bënte pyetjet që mendonte. -Kam dëshirë të vizitoj qelinë e ish-të burgosurit Vilson Ashiku,- u kërkoi.

Nuk ia prishën. Madje, i kërkuan ndjesë që nuk kishin bërë në kohë ta pastronin. -Qelitë e armiqve të popullit janë të gjitha bosh, -e njoftoi shoqëruesi i veshur me uniformën e zezë me spaleta të verdha tek nxirrte nga xhepi një radhor me çelësa. -Pak nga pak, e boshatisëm të tërë krahun ‘politik’ të burgut. Uff, shyqyr! Një rrezik më pak në vigjilje të ditëlindjes së madhe. Ishte si një minë me sahat në zemër të kryeqytetit. Sipas shpjegimeve të tij, në Pallatin e tyre Ndëshkimor tash e tutje do të strehonin vetëm të burgosurit ordinerë.

Të dënuarit për krime ndaj Republikës- agjentët e shitur, tradhtarët, sabotatorët, puçistët, komplotistët, ishklerikët, të burgosurit për agjitacion e propagandë ose për tentativë arratisjeje, jashtë kufijve të atdheut, do ta vuanin dënimin në kampin e Urthit. -Kur të mbaroni punë, mjafton të tërhiqni derën. S’është nevoja ta rimbyll me çelës. Ç’të ruajmë? Të përmjerat e kriminelëve? Qelia kutërbonte erë amoniaku. E errët, e lagësht, e ftohtë. Dritaret, të ngushta e të trishta si frëngji bunkerësh, ishin pranë tavanit. Ajo pak dritë që arrinte të hynte rripohej si me thikë nga hekurat e mprehtë prej xhamave.

Muret i kishte mbuluar një shtresë e trashë pisllëku që ua bënte ngjyrën fillestare të papërcaktueshme. Përdhe, gjatë murit përballë portës, katër dyshekë të ronitur, të vënë rresht, njëri pas tjetrit, kishin shpërvjelur të përbrendshmet: shtëllunga kashte të kalbur. Dyshemeja ishte e betonuar shkel e shko, me gunga e me gropa. I ngjante sipërfaqes së një planeti të brendshëm, në krateret e të cilit mund të thyeje qafën e kërbishtet bashkë. Në njërën nga gropat kishte ngecur një këpucë me thembrën të shtypur si të ishte pantofël. Të jepte përshtypjen se zoti ishte zhytur picingulthi aty brenda në kërkim të daljes së tunelit të fshehtë që, me siguri, lidhte qelinë me bërthamën e tokës. -Og, Vili! Vili im i shtrenjtë…Si ike pa më treguar asgjë?,!-rënkoi Vladi dhe provoi të përfytyronte aty brenda. E pabesueshme! Një intelektual sqimatar si Vilson Ashiku në atë ahur derrash?!…

** Në gjysmëterrin e përshtatshëm mbretëronte qetësia e nevojshme dhe kutërbimi i athët karakteristik. Katër tavolina mermeri, të larta e të gjera si sarkofagë, zinin pothuajse të gjithë hapësirën qendrore. Sirtarët e konservimit të kufomave ngjiteshin gjer në tavanin e morgut. Një shkallë e lëvizshme, e pajisur me një platformë metalike si ballkon, lejonte zhvendosjen vertikale të trupave në pritje të kryerjes së autopsisë apo të njohjes nga familjarët. Në sallën kryesore stivonin të vdekurit e rëndomtë. Kufomat mësimore, të mbyllura në këllëfë mushamaje, i ruanin në një kthinë pa dritare. -Mos harro! Çelësi i madh është për drynin e portës kryesore,-i kishte shpjeguar roja i morgut, lehtësisht kapitullues përpara shishes me uiski dhe faqores me raki që i kishte zgjatur Ida. -Ky tjetri hap derën e frigoriferit të kadavrave, -dhe ishte tërhequr në kabinën e tij për t’iu gëzuar qylit.

Pak minuta pasi hyri brenda- koha e nevojshme që sytë të shquanin objektet në dritëhije, Idës i tërhoqi vëmendjen një sirtar pjesërisht i hapur nga zgjateshin një palë kërcinj mashkulli të mbështetur në hava. Në njërin prej tyre ishte lidhur një etiketë kartoni e damkosur me një varg germash shtypi: PRNDRTR. Detaji më mbresëlënës ishin këmbët shputëmëdhaja. Të mbathura me atlete të bardha, i përngjanin fletëve të një helike avioni. U mat t’i afrohej derës së sallës së vogël, por e tuti kuisja e papritur e portës…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat