Vendimi për Balilin, 10 vjet burg

Shqipëria

Vendimi për Balilin, 10 vjet burg

Më: 7 maj 2019 Në ora: 19:10
Klement Balili gjate dhenies se vendimit

Në Shqipëri gjykata për krimet e Rënda dënoi sot me 15 vit burgim Klement Balilin, një nga emrat më të përfolur për trafikun ndërkombëtar të drogës. Për shkak të gjykimit të shkurtuar Balili, të cilin gjykata e shpalli fajtor për 4 vepra penale, do të vuajë vetëm 10 vite, në një burg të sigurisë së lartë

Po për shkak të gjykimit të shkurtuar dhe procesi ndaj tij u mbyll brenda një kohe shumë të shkurtër, që nga momenti kur në Janar të këtij viti, në momentin që prokuroria kishte mbyllrë hetimet ndaj tij, Kement Balili u dorëzua vullnetarisht.

Gjykata e gjeti atë fajtor për të 4 akuzat e ngritura nga Prokuroria:“Trafikim të lëndëve narkotike, i kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal”, “Pjesmarrje në grupin e strukturuar kriminal”, “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive”, si dhe për “Pastrim parash”.

Balili e priti qetësisht vendimin, ndërsa avokati i tij gjatë fjalës së mbrojtjes kishte deklaruar se prokuroria nuk kishte sjellë sipas tij asnjë provë që e implikon të mbrojturin prej tij në trafikun e drogës nga Shqipëria drejt Greqisë.

Emri i tij, doli gjatë një hetimi i cili u finalizua në fillim të muajit maj të vitit 2016, me një operacion të ndërmarrë nga autoritetet greke në bashkëpunim me DEA-n amerikane, ku u sekuestruan mbi 670 kilogram marijuhanë në ishullin Zakintos në Greqinë lindore. Një numër i madh anëtarësh dhe drejtuesish të organizatës e cila dyshohej se drejthej nga Balili u arrestuan në Greqi dhe në disa vende të tjera europiane, ndërkohë që ai vetë vetë mundi të shpëtojë.

Fillimisht ai u shfaq publikisht në Sarandë, duke mohuar akuzat, ndërsa më pas u zhduk pa lënë gjurmë. Emri i tij, për shkak dhe të nofkës me të cilën e pagëzuan mediat greke si "Eskobari i Ballkanit", shkaktoi shumë zhurmë edhe për shkak të dyshimeve se gëzonte mbështetje politike.

Balili ishte drejtor i Drejtorisë rajonale të Transportit në Sarandë, i emëruar në 2014. Njëri nga nipat e Balilit ishte zgjedhur në atë kohë kryetar i Bashkisë së Delvinës, në jug të vendit, nën siglën e LSI-së, ndërsa një vëlla i tij ka qenë gjithashtu koordinar i LSI-së po në Jug të vendit.

Vëllezërit Balili kanë patur aktivitete të shumta tregtare që nga transporti te ato të sigurisë së objekteve, apo peshkimit. Ndërsa në 2015 inauguruan një investim mjaft të shtrenjtë duke kthyer ish Kampin e punëtorëve në Sarandë në një hotel luksoz. Në ceremoninë e organizuar morën pjesë dhe zyrtarë të lartë shtetërorë të kohës./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat