Avramopoulos: Dua ta shoh Shqipërinë anëtare të familjes evropiane

Shqipëria

Avramopoulos: Dua ta shoh Shqipërinë anëtare të familjes evropiane

Më: 21 maj 2019 Në ora: 12:08
Dimitris Avramopoulos

Gjithmonë kam dashur ta shoh Shqipërinë që të jetë edhe më afër Evropës si anëtare e familjes evropiane, deklaroi sot komisionari për Migracionin, Punët e Brendshme dhe Shtetësinë të Bashkimit Evropian, Dimitris Avramopoulos.

I pranishëm në ceremoninë e organizuar në Tiranë me rastin e nisjes të punës operacionale të misionit FRONTEX në Shqipëri, komisionari Avramopoulos e konsideroi këtë një arritje dhe ngjarje të rëndësishme dhe një etapë të re si për Shqipërinë edhe për BE-në.

“Marrëveshja statusore e nënshkruar 6 muaj më parë në Tiranë për bashkëpunim në menaxhimin e kufirit mes Shqipërisë dhe FRONTEX, e cila hyri në fuqi vetëm 3 javë më parë është e para dhe e vetmja e këtij lloji me një vend fqinj. Ky është operacioni i parë në botë me një vend jo shtet anëtar të BE-së”, tha ai.

Kjo, sipas Avramopoulos, jo vetëm shënon një fazë të re të bashkëpunimit kufitar mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, por gjithashtu është edhe një hap më tej përpara për vetë agjencinë.

Duke u ndalur te sfidat e sigurisë që po hasen sot, Avramopoulos tha se “duhet të punojmë ngushtësisht së bashku si fqinj dhe partnerë, pasi ajo që ndodh në Shqipëri dhe në vendet  e Ballkanit Perëndimor prek BE-në dhe anasjelltas”.

Shqipëria, tha komisionari Avramopoulos, është vendi i parë në Ballkanin Perëndimor me të cilin BE po shkon përpara me këtë kapitull të ri të rëndësishëm për menaxhimin e kufiri.

“Ky bashkëpunim është burim krenarie si për Shqipërinë edhe për BE-në si dhe është një hap i rëndësishëm që na bashkon më shumë teksa situata e përgjithshme përgjatë rrugëkalimit të Ballkanit Perëndimor mbetet stabil, me nivele në ulje të ardhurish krahasuar me 3 vjet më parë, por gjithsesi ne duhet të jemi vigjilent”, tha ai.

Sipas Avramopoulos, “lëvizja pa viza është një arritje madhore që sjell të mira për të gjitha palët ndaj duhet ta ruajmë si të tillë”.

Ai nënvizoi se “bashkë me Rojën Kufitare shqiptare, skuadrat evropiane do të jenë të afta të kryejnë kontrolle dhe vëzhgime kufitare për të luftuar kriminalitetin ndërkufitar, por Shqipëria mbetet përfundimisht përgjegjëse për ruajtjen e kufirit të saj”.

“Nuk ka asnjë pikë dyshimi sa i takon sovranitetit. Skuadrat evropiane vetëm mund të kryejnë detyra nën instruksionin dhe praninë e Rojës Kufitare të Shqipërisë. Kur vjen fjala për ruajtjen e kufijve tanë, sfidat me të cilat hasemi i kemi të përbashkëta dhe e tillë duhet të jetë edhe përgjigjja jonë”, tha ai.

Në përfundim, Avramopoulos uroi që kjo marrëveshje të përmbyllet edhe me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor sa më shpejt që të jetë e mundur”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat