Gjykata e Lartë mund të vihet ne funksion me delegimin e gjyqtarëve të përkohshëm. Kjo është zgjidhja që japin juristët në lidhje me situatën e krijuar në këtë institucion, e cila ka mbetur vetëm me dy anëtarë dhe ku 32 mijë dosje presin të shqyrtohen.
Dalja jashtë funksionit e Gjykatës së Lartë, e cila ka mbetur vetëm me dy anëtarë mund të zgjidhet me delegimin e gjyqtarëve të përkohshëm. Ky është mendimi i juristëve, të cilët propozojnë ndërhyrjen e parlamentit dhe të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Bashkim Nikolla, avokat: Kjo mund të zgjidhet dhe elementët e zgjidhjes i ka. Që nga KLGJ, i cili edhe me vendimmarrjen që ka marrë para disa muajve, iu ka dhënë hapësirë, sikundër ishte gjyqi që kishim sot tek krimet e rënda, ka marrë gjyqtarë nga dhoma penale dhe ka krijuar trupin gjykues. Kemi rastet kur mund t'i çojë 3 muaj, 6 muaj në një vend ku ka vakancë të trupit gjykues. Në këtë mënyrë mund të operojë edhe këtu.
Juristët shprehen se kjo është një situatë e paprecedente dhe kërkojnë vënien në veprim të mekanizmave që t'i japin një zgjidhje të përkohshme deri ne emërimin e gjyqtareve me mandate të plota.
Bashkim Nikolla, avokat: Ka dhe zgjidhje të tjera, kur ligjvënësit i dalin përballë, kësaj që duhet ti kishin dalë përballë pa ndodhur ky kolaps. Zgjidhjen e ka kompetencë KLGJ dhe mund të nxjerrin instrumente të tjera. Kuvendi mund të marrë vendime ekstra për një kohë tranzitore.
Aktualisht në Gjykatën e Lartë janë në pritje të gjykimit afro 32 mijë dosje ndërsa dy gjyqtarët e mbetur nuk mund te kryejnë as shqyrtimin e masave te sigurisë për shkak të mungesës së kuorumit.