Presidenti Meta takon shefin e NATO-s, bisedohet për bazën në Kuçovë dhe ushtrinë e Kosovës - Bota Sot
Presidenti Meta takon shefin e NATO-s, bisedohet për bazën në Kuçovë dhe ushtrinë e Kosovës

Shqipëria

Presidenti Meta takon shefin e NATO-s, bisedohet për bazën në Kuçovë dhe ushtrinë e Kosovës

Më: 2 qershor 2019 Në ora: 17:03
Pamje nga takimi

Presidenti i RepublikësIlir Meta priti në takim, Sekretarin e Përgjithshëm të NATO, z. Jens Stoltenberg.

Presidenti Meta shprehu kënaqësinë e veçantë që vizita e Sekretarit të Përgjithshëm përkon me 10-vjetorin e anëtarësimit të vendit në NATO, objektivin strategjik të të gjitha qeverive shqiptare të pas ‘90-ës, të të gjithë grave dhe burrave të Forcave tona të Armatosura, dhe mbi të gjitha të të gjithë shqiptarëve kudo ndodhen.
 

Image

Kreu i Shtetit theksoi se ndan plotësisht vizionin e Sekretarit Stoltenberg se është  detyra dhe përgjegjësia e çdo aleati të forcojmë Organizatën duke investuar çdo përpjekje dhe kontribut në shërbim të mbrojtjes kolektive dhe njëkohësisht të çdo vendi anëtar.

Në këtë kuadër, Presidenti do të vazhdojë të mbështesë dhe inkurajojë rritjen e buxhetit për mbrojtjen në 2% brenda 2024, jo vetëm si detyrim por edhe si përgjegjësi për ndarjen e barrës.

Presidenti Meta çmoi investimin e NATO-s në Bazën Ajrore të Kuçovës si një aset për sigurinë e vendit, rajonit dhe Aleancës.

Kreu i Shtetit theksoi se Shqipëria e pret me entuziazëm anëtarësimin e afërt të Maqedonisë së Veriut në NATO.

Ky ishte vendimi i duhur në kohën e duhur, që shpërbleu zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe falë angazhimit konstruktiv të drejtuesve më të lartë të Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, si dhe falë bashkëpunimit të pazëvendësueshëm mes ShBA-ve dhe BE-së.

Presidenti Meta vuri në dukje rolin e jashtëzakonshëm dhe jetik në mbështetje të këtij objektivi strategjik nga shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.

Kreu i Shtetit theksoi se zgjerimi dhe prania e NATO-s në rajonin tonë janë kyç për konsolidimin e sigurisë, paqes dhe stabilitetit të Ballkanit Perëndimor.

“Prania e NATO-s në Kosovë, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet e Kosovës dhe BE, kontribuon për një mjedis më të sigurtë në terren, dhe është njëkohësisht thelbësore për tërësinë territoriale të Kosovës dhe stabilitetin në rajon”, – u shpreh Presidenti Meta.

Image

Më tej Kreu i Shtetit u shpreh se Shqipëria mbështet të drejtën legjitime dhe sovrane të Kosovës për një tranzicion gradual të FSK në ushtri multietnike, dhe në ndërveprim të plotë me NATO-n.

“Integrimi europian dhe euro-atlantik përbëjnë të vetmen garanci të besueshme për konsolidimin e paqes, sigurisë dhe begatisë në rajon, bazuar mbi vlerat e përbashkëta, dhe përparimi në këto organizata ia vlen çdo sakrificë dhe punë të palodhur”, – theksoi Presidenti Meta. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...