Anëtarët e majtë të KQZ-së refuzojnë shtyrjen e zgjedhjeve

Shqipëria

Anëtarët e majtë të KQZ-së refuzojnë shtyrjen e zgjedhjeve

Më: 11 qershor 2019 Në ora: 08:21
Kryetari i KQZ-së, Klement Zguri

Debatet/ Kryetari i KQZ-së, Klement Zguri deklaron se vendimi i Presidentit nuk mund të refuzohet. Anëtarët e PS nuk njohin vendimin e Metës për të shtyrë zgjedhjet. Miratohet rendi i ditës. Nuk ka vendimmarrje për dekretin

Lindita Bushgjokaj

Të gjithë juristët e njohur të vendit, kanë komentuar së fundmi se dekreti i Presidentit për rrëzimin 30 qershorit mund të gjykohet për vlefshmërinë e tij vetëm nga gjykata Kushtetuese. Në të njëjtën linjë ka qenë edhe kryetari i KQZ-së Klement Zguri, por jo anëtarët e majtë të Komisionit të Zgjedhjeve. Pas debateve për vendimin e Metës, Zguri ka braktisur mbledhjen dje, por 4 anëtarët e tjerë, kanë zgjedhur linjën e kryeministrit Edi Rama, për të mos e lëvizur 30 qershorin. Me 3 vota kundër dhe një pro, nën drejtimin e nënkryetarit Denar Biba, anëtarët kanë miratuar tre pikat e rendit të ditës, që kishin të bënin me shpërndarjen e fondeve për partitë e regjistruara në zgjedhje; listën shumëmërore të shtetasve të cilët mund të emërohen anëtarë të KQV-ve si dhe lirimin e emërimin e disa anëtarëve të KZAZ-ve. Ndërkohë, përveç debateve, për dekretin e Presidentit Meta, nuk pati vendimmarrje. Partia Socialiste dhe KQZ e cilësuan të pavlefshëm vendimin e Presidentit për të shtyrë zgjedhjet, duke vijuar normalisht punën përgatitore të procesit zgjedhor. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka zhvilluar dje një mbledhje urgjente pas vendimit të Presidentit Ilir Meta që firmosi para kamerave dekretin për zhdekretimin e zgjedhjeve dhe anulimin e tyre në një afat të pacaktuar. Kreu i KQZ-së Klement Zguri e quajti një sfidë, pasi nga njëra anë ka dekretin e Presidentit të cilin është i detyruar ta zbatojë, dhe nga ana tjetër kërkesën e dy anëtarëve të KQZ-së për ta shpallur të pavlefshëm dekretin e Metës për të anuluar zgjedhjet. Zguri kërkoi t’i bashkëngjiteshin në këtë vendim edhe kolegët e tjetër të KQZ, por asnjë nuk u ngrit nga tavolina duke bërë që mbledhja të vijojë nën drejtimin e Denar Bibës.

Largimi

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri e quajti një situatë mjaft të vështirë, një sfidë vënien në tryezën e KQZ-së të dekretit të presidentit Meta për të anuluar zgjedhjet e 30 qershorit, dhe për të detyruar këtë institucion ta zbatojë dekretin. Duke e cilësuar një situatë të rëndë, dhe që mund të ngjallë debat të fortë, kreu i KQZ-së ka braktisur mbledhjen. “Duket si një lloj sfide nga një anë kam një dekret që zhdekreton datën e zgjedhjeve përmes një dekreti dhe tjetra kërkesa e dy kolegëve, sfida në raport me vlefshmërinë e dekretit Ka një hierarki ligjore, personalisht në 22 vite që kam, e them dhe një herë nuk më ka rastisur të ndodhem në një situatë të tillë. të vëmë në diskutim një dekret të presidentit. Ka ndodhur e njëjta gjë edhe më parë, janë tre raste që presidentët kanë zhdekretuar dekretet e tyre dhe kanë vendosur një datë tjetër”, theksoi Zguri.

Akti

Nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba u shpreh se akti i presidentit për anulimin e zgjedhjeve është i pavlefshëm. “Me të marrë vesh ardhjen e dekretit ne vendosëm ta shtynim me dy orë për ta analizuar atë. Nuk ka hierarki mes nesh dhe presidentit. Ne jemi organe të ndryshëm. Presidenti ka nxjerrë dekretin për zhvillimin e zgjedhjeve “Zgjedhjet të zhvillohen më 30 qershor 2019″. Kodi zgjedhor detajon se data e zgjedhjeve përcaktohet nga presidenti i Republikës, zgjedhjet zhvillohen njëherësh në të gjithë territorin e vendit. Sot vetëm 20 ditë para datës së zgjedhjeve presidenti vendos shfuqizimin e dekretit për anulimin  e zgjedhjeve. Ky dekret i dytë është një akt i pavlefshëm sipas kodit të procedurës civile. Praktikisht dekreti i ri bie ndesh me parimin e ligjshmërisë ku thuhet se organet publike ushtrojnë detyrat brenda kompetencave të tij. Nxjerrja e dekretit është brenda kompetencave të presidentit, por ai nuk mund të anulojë apo të mos caktojë fare një datë zgjedhjesh. Pasi duke anuluar zgjedhjet e 30 qershorit Shqipëria është sot pa një datë zgjedhjesh. Duke e lënë vendin pa datë zgjedhjesh presidenti refuzon të përmbushë detyrimin që organi publik ia ka kaluar për ta ushtruar. Shfuqizimi i dekretit është një shkelje e hapur sepse lë vendin pa datë zgjedhjesh. Unë vlerësoj se KQZ ka detyrimin të vijojë me organizimin e zgjedhjeve për 30 qershor”, tha Biba.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat