Dushaj: Engel, një personalitet i shquar amerikan, që ka bërë shumë për kombin shqiptar

Shqipëria

Dushaj: Engel, një personalitet i shquar amerikan, që ka bërë shumë për kombin shqiptar

Nga: Besnik Dushaj Më: 5 korrik 2019 Në ora: 23:33
Eliot Engel në Tropojë

Të dashur miq, sot, krahas shumë personaliteteve të Shqipërisë dhe Kosovës, ku ishte i pranishëm dhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta, mikpritëm në Qafë Morinë të Tropojës mikun e madh të shqiptarëve, Kryetarin e Komisionit të Politikës së Jashtme në Kongresin Amerikan, Eliot Engel, një personalitet i shquar amerikan, që ka bërë dhe vazhdon të bëjë shumë për Shqipërinë, Kosovën dhe kombin shqiptar.

Bashkia Tropojë organizoi këtë aktivitet me rastin e dhënies së titullit “Qytetar Nderi” të Tropojës Kongresmenit Engel dhe me rastin e emërtimit të rrugës Tropojë-Gjakovë, “Eliot Engel”, në shenjë nderimi dhe mirënjohje për këtë mik të madh të shqiptarëve.

Në qytetin e Bajram Currit, Kongresmeni amerikan, Eliot Engel dhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta kryen nderime te memoriali i tribunit të demokracisë, Azem Hajdari.

Po ndaj me ju fjalën time dhe disa foto të aktivitetit të mbajtur sot.

Fjala e mbajtur në aktivitetin e organizuar nga Bashkia Tropojë me rastin e emërtimit të rrugës Tropojë-Gjakovë, “Eliot Engel”

I nderuar President i Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Meta!

I Nderuar kongresmen, z. Eliot Engel!

E Nderuar znj. Engel!

E nderuar e ngarkuar në detyrë në ambasadën e SHBA-së në Tiranë, znj. Leyla Moses-Ones!

I nderuar kryetar i komunës Gjakovë, z. Ardian Gjini!

Të nderuar deputetë të Shqipërisë dhe Kosovës!

Të nderuar zotërinj Harry Bajraktari dhe Rrustem Geci, “Nderi i Kombit”!

I nderuar përfaqësues i familjes Jashari, z. Rifat Jashari!

Të nderuar zonja e zotërinj!

Mirë se erdhët në Tropojë, këtu në Qafën e Morinës, në Qafën e historisë, në vendin simbol të shqiptarëve në të dyja anët e kufirit!

Jemi sot këtu, për të përjetësuar veprën e një personaliteti të shquar amerikan dhe mik i madh i popullit shqiptar, Kongresmenit Eliot Engel, nëpërmjet dhënies së emrit të tij rrugës nacionale Tropojë-Gjakovë, e cila bashkon Republikën e Shqipërisë me Republikën e Kosovës.

Emri i Kongresmenit Eliot Engel është i njohur për çdo shqiptar.

Ka 30 vjet që është anëtar i organit më të lartë legjislativ të SHBA-së, Kongresit Amerikan. Po aq, pra plot 30 vjet ka edhe miqësia e tij me shqiptarët.

Që në mandatin e tij të parë, në Dhomën e Përfaqësuesve, Kongresmeni Engel bashkësponsorizoi një rezolutë në mbrojtje të Kosovës dhe të drejtës së saj për vetvendosje.

Në fillim të viteve ‘90, kur të tjerët nuk po kujtoheshin për Kosovën, miku ynë i madh e mbajti gjallë kauzën e saj të lirisë.

Ishte ndër të parët që kërkoi goditjen e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviçit dhe që loboi fuqishëm tek Presidenti Klinton për realizimin e ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në pranverën e viti 1999 për të parandaluar spastrimin etnik të shqiptarëve nga dhuna shtetërore serbe.

Pas çlirimit të Kosovës, Kongresmeni Eliot Engel u bë ndër lobuesit dhe mbështetësit më të zjarrtë të pavarësimit të saj.

Sot, në funksionin e lartë të Kryetarit të Komitetit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, Eliot Engel është kthyer në zëdhënës të fuqishëm të viktimave të luftës në Kosovë, duke kërkuar me këmbëngulje vënien e fajtorëve para drejtësisë dhe duke kushtëzuar integrimin europian të Serbisë me pranimin, nga Beogradi, të përgjegjësisë për krimet e luftës.

I pazëvendësueshëm është kontributi i këtij burri të shquar për Shqipërinë.

Si Kongresmen dhe si Kryetar i Grupit të Kongresit për çështjet shqiptare, ai forcoi më tej dhe konsolidoi themelet e miqësisë së pathyeshme shqiptaro-amerikane, duke lënë gjurmët e tij të pashlyeshme në të gjitha fazat e transformimit demokratik të Shqipërisë, që nga shembja e komunizmit, zhvillimi i demokracisë, forcimi i shteti ligjor, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe anëtarësimi i Shqipërisë në NATO.

Në prag të zgjedhjeve të 30 qershorit, miku ynë i sinqertë demokrat, Eliot Engel, kërkoi që mosmarrëveshjet politike të zgjidhen vetëm me dialog dhe u bëri thirrje të gjitha palëve që të qëndrojnë larg çdo akti dhune.

I ndjeshëm dhe i dukshëm është kontributi i Kongresmenit Engel për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve edhe në hapësirat e tjera ballkanike.

Në qoftë se do të përpiqeshim që ndihmës, solidaritetit dhe humanizmit të pashoq amerikan ndaj shqiptarëve t`u jepnim një fytyrë, atëherë, padyshim kjo do të ishte fytyra e mikut tonë të madh e të sinqertë, Eliot Engel.

Janë të gjitha këto arsye që Bashkia Tropojë e ka nderuar me titullin “Qytetar Nderi” të Tropojës dhe në bashkëpunim me Komunën e Gjakovës vendosëm që rrugës Tropojë-Gjakovë t`i jepet emri i këtij personaliteti të spikatur dhe mik i madh i shqiptarëve, “Eliot Engel”.

Me këtë akt, emrin dhe veprën madhështore të këtij burri të shquar e ngulitim në mendjen dhe zemrën e brezave të sotëm, por ua përcjellim edhe brezave që vijnë, të cilët do të udhëtojnë me Eliot Engel, do të flasin për të, do t`i thurin këngë, ashtu siç e meritojnë vetëm miqtë e vërtetë dhe personalitetet e përmasave të tij.

Urimet më të mira i dashur Kongresmen Engel për ju dhe familjen tuaj!

Ju jemi shumë mirënjohës dhe ju falenderojmë nga zemra për gjithçka ke bërë për Kombin shqiptar!

Faleminderit për vizitën tuaj në Tropojë sot!

Rroftë miqësia shqiptaro-amerikane!

Zoti e bekoftë Amerikën!

Zoti e bekoftë Shqipërinë, Kosovën dhe gjithë kombin shqiptar!

Faleminderit!

Image
Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat