PD kallëzon anëtarët e KQZ dhe komisionerët e PS

Shqipëria

PD kallëzon anëtarët e KQZ dhe komisionerët e PS

Më: 20 korrik 2019 Në ora: 18:44
KQZ

Partia Demokratike ka kallëzuar në Prokurori anëtarët e KQZ, komisionerët e Partisë Socialiste dhe të tjerë zyrtarë të lartë.

Ata akuzohen për krime të kryera para,gjatë dhe pas 30 qershorit, të pretenduara nga selia blu.

PD i kërkon  Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku, të mos pengojë hetimet për krimet zgjedhore duke i shërbyer axhendës së saj personale për t’u emëruar Kryeprokurore dhe regjimit kriminal të Edi Ramës.

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi thotë se organi i akuzës në Republikën e Shqipërisë, jo vetëm nuk po heton seriozisht dosjet e vjetra 184/2016 dhe 339/2017, por nuk ka nisur asnjë hetim për asnjë prej shkeljeve të rënda ligjore që u konstatuan gjatë procesit antikushtetues të 30 Qershorit.

Kujtojmë që është vënë në dijeni edhe shefja e Misionit të ODIHR, Audrey Glover, nëpërmjet një letre të datës 12 korrik.

Letra e numrit 2 të PD-së shpreh hapur mosbesimin e opozitës për PPP Arta Marku, për shkak të zgjedhjes së saj antikushtetuese nga qeveria e Edi Ramës.

“Që prej emërimit tuaj antikushtetues si Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme, kontrolli i qeverisë mbi prokurorinë është çimentuar, duke sjellë, njëkohësisht, çimentimin e kulturës së pandëshkueshmërisë ndaj zyrtarëve të lartë shtetërorë. Gjatë drejtimit tuaj, asnjë zyrtar i lartë i qeverisë, asnjë politikan, asnjë funksionar i lartë publik nuk ka dalë para drejtësisë për krimin e korrupsionit apo të krimeve zgjedhore, megjithëse denoncimet publike kanë qenë me qindra”, thuhet në letrën e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat