Tentoi të vrasë 48 vjeçarin në Korçë, vetëdorëzohet në polici autori

Shqipëria

Tentoi të vrasë 48 vjeçarin në Korçë, vetëdorëzohet në polici autori

Më: 11 shtator 2019 Në ora: 09:41
Foto ilustrim

Policia e Korçës njofton se autori i dyshuar i tentativës së vrasjes me armë zjarri të 48-vjeçarit, ngjarje e ndodhur katër ditë më parë, në lagjen nr.6 të qytetit të Korçës është vetëdorëzuar.

Sekuestrohet arma e dyshuar e krimit, të cilën e posedonte pa leje.

Në vijim të punës për kapjen e autorit të dyshuar të ngjarjes, kontrolleve të shumta të ushtruara nga ana e Policisë Korçë, si edhe falë bashkëpunimit me familjarët dhe avokatin e autorit të dyshuar, u bë e mundur që gjatë mbrëmjes së djeshme shtetasi J.H., 28 vjeç, banues në Korçë, të vetëdorëzohet në ambientet e Komisariatit të Policisë Korçë, i shoqëruar nga avokati i tij.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja me paramendim, mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve e municionit”, në lidhje me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e datës 07.09.2019, ku për motive të dobëta, shtetasi J.H., ka tentuar të vrasë me armë zjarri tip kallashnikov shtetasin I.H., (i cili për pasojë ka mbetur i plagosur) dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes me një automjet në përdorim të tij.

Gjatë marrjes në pyetje nga Specialistët për Hetimin e Krimeve, shtetasi J.H., ka treguar edhe vendin ku kishte hedhur armën e krimit, e cila iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin tip “BMW”.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet e mëtejshme procedurale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat