Lleshaj lançon nismën nga Shkodra: "Gjurmët" në mbështetje të familjeve të policëve të vrarë

Shqipëria

Lleshaj lançon nismën nga Shkodra: "Gjurmët" në mbështetje të familjeve të policëve të vrarë

Më: 13 shtator 2019 Në ora: 19:44
Pamje nga takimi

Nga Shkodra ku vizitoi familjen e inspektorit të ndjerë të policisë së shtetit, Kolë Ndreshaj, i vrarë me 29 gusht të 2010, Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj premtoi se dosjet e policëve të vrarë do të hapen dhe autorët do të mbajnë përgjegjësi.

Shpresën për këtë e ka te drejtësia e re.

Lleshaj: Policia e shtetit sigurisht që ka për të luajtur rolin e saj në mënyrë që të gjitha dosjet e vjetra, por sidomos dosjet për policët e vrarë në detyrë për të cilët ende nuk është bërë zbardhja  e tyre, të gjejnë përgjigje dhe ata që kanë llogari për të dhënë të japin llogari para drejtësisë.

Përveç se me humbjen e nejrëzve të dashur, shumë prej familjarëve të policëve të rënë në krye të detyrës përballen me vështirësi të mëdha.

Shtëpia e ish-efektivit Ndreshaj në Shkodër është pasqyra. Ndaj nga aty Ministri Lleshaj ka lancuar dhe nismën e re të mbështetjes ndaj tyre.

Lleshaj: Asnjë nga ne nuk mund të rrijë i qetë përsa kohë familja e një njeriu që ka dhënë jetën për atdheun, për ne, jeton në kushte jo dinjitoze.Fondacioni "Gjurmët" që është një fondacion i ndërtuar prej fëmijëve të punonjësve të policisë që kanë dhënë jetën në detyrë do të jetë ai institucion i cili do ta shtyjë përpara këtë proces.

Vetë mbështetësit e nismës, fëmijë të policëve të rënë në krye të detyrës, e quajnë këtë hap të ndërmarrë të rëndësishëm për integrimin e këtyre familjeve pas ngjarjeve të rënda që kanë përjetuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat