Beteja për Kopshtin Botanik, Koni: Kalimi në pronësi të bashkisë i papranueshëm dhe arbitrar

Shqipëria

Beteja për Kopshtin Botanik, Koni: Kalimi në pronësi të bashkisë i papranueshëm dhe arbitrar

Më: 19 shtator 2019 Në ora: 17:51
Mynyr Koni

Heqja e Kopshtit Botanik nga asetet e Universitetit te Bashkia konsiderohet vendim i padrejtë prej rektorit, Mynyr Koni. Për Ora News ai thekson se nuk do të lejojë cënimin e autonomisë dhe se do të ndjekë të gjithë hapat.

Rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, e konsideron arbitrar dhe të padrejtë vendimin e qeverisë për kalimin e Kopshtit Botanik në varësi të bashkisë së Tiranës.

Për Ora News ai shprehet se ky vendim cënon rëndë autonominë dhe lirinë akademike, si dhe bie ndesh me ligjin e arsimit të lartë.

Koni: Kemi një situatë që ky mjedis ka kaluar në pronë të pushtetit lokal. Në këto kushte kur VKM parashikon ndërtimin e një marrëveshje, por në momente të caktuara i bie që misioni mësimor dhe kërkimor të zhvillohet në një mjedis që nuk është në përgjegjësi të Universitetit të Tiranës. Është cënim i rëndë i autonomisë së institucionit të arsimit të lartë, cënim i Kushtetutës. Minimalisht duhet një bashkëbisedim paraprak midis institucionit të propozuar që është Ministria e Arsimit në lëvizjen apo ndryshimin e një prone.

Koni shprehet i vendosur për të ndërmarrë të gjitha hapat për anulimin e kësaj VKM-je në mbrojtje të Kopshtit Botanik, si aset kombëtar kërkimor dhe mësimor, ndërsa thotë se ka ngritur dhe një padi në gjykatë.

Koni: I jam drejtuar Ministrisë së Arsimit që ka propozuar aktin për daljen e kësaj VKM-je për të cilën ne nuk kemi asnjë lloj reagimi nga Ministrja e Arsimit. Në këto kushte, drejtoria ligjore ka bërë padi në Gjykatën Administrative të Apelit dhe jemi në pritje të saj. Unë si rektor i Universitetit dhe të gjithë autoritetet përkatëse jemi në pritje të vendimit për këtë VKM.

Më herët nga bashkia e Tiranës është bërë e ditur se Kopshti Botanik do të duhet të bashkohet me atë Zoologjik për të krijuar një hapësirë më të madhe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat