Armela Krasniqi zgjidhet në bordin drejtues të Aleancës Evropiane të Agjencive të Lajmeve

Shqipëria

Armela Krasniqi zgjidhet në bordin drejtues të Aleancës Evropiane të Agjencive të Lajmeve

Më: 21 shtator 2019 Në ora: 12:41
Armela Krasniqi

Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Telegrafike Shqiptare, Armela Krasniqi u zgjodh anëtare e bordit drejtues të Aleancës Evropiane të Agjencive të Lajmeve, (EANA), ku ATSH është anëtare me të drejta të plota.

EANA zhvilloi në datat 18-20 shtator në Pragë, asamblenë e përgjithshme për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të bordit drejtues.

Në votimin e zhvilluar për anëtarët e rinj të bordit, kishin të drejtë vote vetëm drejtorët e përgjithshëm ose presidentët e agjencive të përfaqësuara në këtë asamble.

Në Aleancën Evropiane të Agjencive të Lajmeve bëjnë pjesë agjenci prestigjioze lajmesh të vendeve të Bashkimit Evropian si AFP Francë, ANSA Itali, Keystone Zvicër apo DPA Gjermani, EFE Spanjë, PAP Poloni etj.

Zgjedhja e drejtoreshës së përgjithshme të ATSH-së në bordin drejtues të EANA-s, është ndër rastet e pakta kur në këtë bord janë zgjedhur përfaqësues nga vende joanëtare të Bashkimit Evropian.

Anëtarët e asamblesë së përgjithshme të EANA-s, kishin përpara për dy vendet vakante të bordit drejtues, drejtoreshën e përgjithshme të ATSH-së, Armela Krasniqi, shefin ekzekutiv të agjencisë britanike të lajmeve, Press Assotiation, Clive Marshall, si dhe Branka Gjukiç, drejtoreshë e agjencisë serbe të lajmeve TANJUG.

Asambleja zgjodhi me 20 vota pro Armela Krasniqin dhe 20 vota pro Clive Marshall, si anëtarë të bordit për tre vitet në vazhdim, ndërkohë që Gjukiç mori vetëm 4 të tilla.

Së bashku me Jiri Majstr, drejtor i përgjithshëm agjencisë çeke të lajmeve CTK, Krasniqi dhe Marshall përbëjnë bordin drejtues të EANA-s, në të cilin president është Peter Kropsh i DPA-së gjermane.

Aleanca Evropiane e Agjencive të Lajmeve ishte grupi që propozoi dhe shtroi të drejtën e autorësisë si një problem në Parlamentin Evropian legjislaturën e kaluar. Këmbëngulja dhe argumentet e Aleancës bënë që ligji për të Drejtën e Autorit përballë Facebook apo Google të miratohej me shumicë votash.

Bordi i Aleancës kryesoi dhe mbështeti këtë proces. Implementimi i ligjit ka nisur tashmë në vendet e BE-së.

EANA, e themeluar më 21 gusht të vitit 1956, është platformë profesionale që shërben për të rritur bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacioneve midis agjencive evropiane të lajmeve duke organizuar çdo vit konferenca për të diskutuar problemet dhe perspektivat e ardhshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat