Nënë e bijë u mbytën/ Vajza e madhe i gjeti pa shenja jete, familja Mazelli në vështirësi të mëdha ekonomike. I ati…

Shqipëria

Nënë e bijë u mbytën/ Vajza e madhe i gjeti pa shenja jete, familja Mazelli në vështirësi të mëdha ekonomike. I ati…

Më: 7 tetor 2019 Në ora: 15:37
Ilustrim

Hyri për të shpëtuar vajzën, mbyten në gropën e ujit nënë e bijë. Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e së dielës në fshatin Alarup në Pogradec, teksa nënë e bijë janë mbytur në një gropë uji që shërbente për vaditjen e tokave.

Paditen e djeshme, Liri Mazelli, 34 vjeçe, nënë e katër fëmijëve, kishte shkuar për të punuar në tokat e familjes dhe kishte marrë me vete vajzën 10- vjeçare.

Teksa gruaja ishte duke punuar, vajza dyshohet se aksidentalisht ka rrëshqitur dhe ka rënë brenda gropës me ujë. Britmat e vajzës së mitur kanë alarmuar nënën, e cila po punonte pak metra më tutje. 34-vjeçarja ka vrapuar për t’i ardhur në ndihmë së bijës dhe dyshohet se në përpjekje për të shpëtuar vajzën e saj, është mbytur edhe vetë.

Të shqetësuar nga vonesa, disa orë pasi ishin larguar dhe nuk po ktheheshin në banesë, njëra nga vajzat e tjera ka shkuar te tokat për të kërkuar motrën dhe nënën e saj, ndërsa është përballur me ngjarjen e tmerrshme.

Vajza ka parë të mbytura në gropën rreth 2 metra të thellë nënën dhe motrën 10- vjeçare, ndërsa ka vrapuar përsëri në shtëpi për të kërkuar ndihmë. Ajo ka sinjalizuar gjyshin e saj, pasi i ati ndodhej në emigrim për të punuar dhe për të siguruar të ardhurat për familjen. Ka qenë pikërisht vjehrri i Lirisë ai që ka nxjerrë trupat e pajetë nga gropa, ndërsa edhe banorë të tjerë të fshatit të alarmuar kanë shkuar për ta ndihmuar, por nënë e bijë kishin ndërruar jetë.

Familja Mazelli, sipas banorëve të fshatit, nuk ndodhet në gjendje të mirë ekonomike dhe kjo e detyronte 34-vjeçaren që të dilte çdo ditë në punë, duke mos pasur kohë për t’u kujdesur për fëmijët. Pikërisht gjatë kohës mamaja po punonte, 10-vjeçarja është shkëputur nga vëmendja e së ëmës dhe ka rënë aksidentalisht në gropën e ujit. Gropa nuk ka ndonjë diametër të madh dhe thellësia e ujit nuk i kalon 2 metra. Mirëpo, dyshohet se 34- vjeçarja në momentin që ka hyrë në ujë për të shpëtuar vajzën, është zhytur në llucë dhe kjo e ka penguar të dalë, duke u mbytur bashkë me vajzën e mitur.

Në arën ku ndodhi ngjarja janë dy gropa të tilla, të cilat përdoren për të ujitur parcelën. Kjo është një mënyrë rrethanore e krijuar prej banorëve të kësaj zone, në mungesë të ujit për vaditje. Të tronditur thellë nga kjo ngjarje, familjarët nuk kanë lejuar as ambulancën në banesën e tyre, e cila ka shkuar për të marrë trupat dhe për t’i dërguar në morg për kryerjen e ekspertizës mjeko-ligjore. Fqinj të familjes Mazelli, duke parë gjendjen e dobët financiare të tyre, bëjnë apel që pushteti lokal dhe ai qëndron t’u gjenden pranë në këtë tragjedi që u ra.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat