Gjermania apel BE-së për negociatat: Më 15 tetor të mbajmë zotimet

Shqipëria

Gjermania apel BE-së për negociatat: Më 15 tetor të mbajmë zotimet

Më: 13 tetor 2019 Në ora: 14:59
Michael Roth

Gjermania paralajmëron se moshapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut rrezikon të shfrytëzohet aktorë si Rusia, Kina apo Turqia për të shtrirë ndikimin e tyre në rajon. Sipas kryediplomatit gjerman, Michael Roth, dy vendet kanë kryer detyrat e kërkuara dhe meritojnë të shpërblehen.

Franca dhe vendet e tjera europiane javën e ardhshme duhet të heqin dorë nga skepticizmi për negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Në një intervistë për të përditshmen gjermane "Velt am Zontag", ministri i Jashtëm gjerman, Michael Roth, i bëri apel partnerëve të mos shkelin fjalën e dhënë.

Roth: "Më 15 tetor duhet të japim sinjalin e duhur duke i dhënë dritën jeshile hapjes së negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Dy vendet kanë përmbushur detyrat dhe kjo duhet shpërblyer. Kemi marrë zotimet tona, dhe tani duhet t'i mbajmë."

Socialdemokrati gjerman thekson se përpos dëmit që do i sillte gjithë rajonit, refuzimi për të disatën herë mund të shfrytëzohej nga aktorë të huaj politikë.

Roth: "Një tjetër kthesë do rrezikonte seriozisht kredibilitetin e BE-së, paqen dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Po të krijojmë një vakuum politik, atë do e mbushin pa shumë ceremoni aktorë si Rusia, Kina, Turqia apo Lindja e Mesme."

Gjermania ka kushtëzuar avancimin e bisedimeve me Shqipërinë me funksionimin e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, dhe miratimin e reformës zgjedhore.

Procesi i negociatave me BE-në në tërësi rrezikohet më së shumti nga Franca dhe dyshimet për ritmin e reformave në dy vendet ballkanike.

Rezervat për zbatimin e ligjit i kanë mbështetur edhe vende si Holanda, Danimarka apo Spanja, por sipas medieve gjermane një veto e Parisit do mjaftonte për ta shtyrë procesin për një kohë të pacaktuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat