Integrimi, Haxhinasto: Duhet pakt kombëtar, abc-ja janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme

Shqipëria

Integrimi, Haxhinasto: Duhet pakt kombëtar, abc-ja janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme

Më: 21 tetor 2019 Në ora: 15:53
Edmond Haxhinasto

Për ish-ministrin e Jashtëm dhe ish-deputetin e LSI, Edmond Haxhinasto procesi i integrimit evropian të Shqipërisë kërkon një pakt kombëtar.

I ftuar në studion e lajmeve në Ora News, Haxhinasto u shpreh se integrimi evropian nuk është një çështje për tu llogaritur si fitore apo humbje e dikujt. Ai tha se ata që humbin janë shqiptarët.

"Mendoj se një sinjal u dha nga Bundestagu gjerman, nga partnerët tanë të cilët janë mbështetës të jashtëzakonshëm për integrimin e vendit. Mendoj që ishte kambanë e fundit që ra për të ndryshuar përqasjen, për të zgjidhur atë problematike të madhe që nuk mund të bëhet në mënyrë partizane, pra nuk mund të bëhet nga njëra anë e politikës. Po domosdoshmërish  kërkon një pakt kombëtar, një angazhim kombëtar të të gjitha anëve të politikës. Kërkon një ndryshim të mentalitetit. Nuk mund të jetë integrimi evropiane një çështje për tu llogaritur si fitore apo humbje e dikujt, ata që humbin janë shqiptarët", u shpreh Haxhinasto.

Haxhinasto tha se abc-ja janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Ndërsa theksoi se kushdo parti që pretendon se ka bërë apo jo detyrat e shtëpisë duhet të japë llogari para sovranit.

"Është momenti ku duhet të ketë reflektim nga të gjithë faktorët përgjegjës. Është momenti për të ndryshuar përqasjen ndaj BE dhe duhet filluar tek abc-ja. Tani na i kanë vënë në dukje edhe partneret tanë gjermanë që janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Kjo është rruga më e sigurt që qytetarët të marrin vendimet përkatëse. Ata janë sovrani dhe mund të vlerësojnë përgjegjësitë e kujtdo forcë politike. Kushdo forcë politike që pretendon  se ka bërë detyrat duhet të japë llogari para qytetarëve. Aty fillon gjithçka për të ringritur një sistem që është i rrënuar dhe i paaftë për ta çuar vendin drejt BE", deklaroi në Ora News, Edmond Haxhinasto.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat