Deputetja Rudina Hajdari: Jam kërcënuar me jetë në Kuvend, Gramoz Ruçi merrni masa

Shqipëria

Deputetja Rudina Hajdari: Jam kërcënuar me jetë në Kuvend, Gramoz Ruçi merrni masa

Më: 28 tetor 2019 Në ora: 10:31
Rudina Hajdari

Gjatë seancës së sotme plenare, deputetja demokrate, Rudina Hajdari u shpreh se e kanë kërcënuar me jetë.

Ajo kërkoi nga kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi të marrë masa ndaj saj pasi anëtarë të tjerë të parlamentit e kanë kërcënuar.

“Zoti kryetar para pak ditësh ju kam dërguar një shkresë në lidhje me një kërkesë që të siguroni ambientet e Kuvendit të Shqipërisë. Gjithashtu ju kam kërkuar të siguroni ambientet e Kryesisë së Kuvendit.

Nuk mund të ndodhë sot që në 2019 deputetët të kërcënohen. Është e papranueshme që një femër të kërcënohet.

Kam pasur raste që persona kanë ardhur në zyrën time dhe më kanë kërcënuar. Nuk mundet që kjo të ndodhë më, ka ikur ajo kohë. Ju lutem, zoti kryetar merrni masa para se të kemi një viktimë këtu në Parlament.

Ju kërkoj edhe njëherë se siç janë masat këtu në Kuvendin e Shqipërisë të jenë të njëjtat masa edhe në Kryesinë e Kuvendit.

Asnjë deputet nuk duhet të hyjë pa u kontrolluar mirë, asnjë deputet nuk duhet të marrë përforcime me persona të tjerë dhe të shantazhojë deputetët e tjerë. Duhet të jemi serioz. Ju lutem zoti kryetar më duhet një përgjigje në lidhje me atë shkresë dhe të merren këto masa sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Hajdari.

Kujtojmë që vite më parë para vrasjes babai i saj Azem Hajdari është plagosur me armë në sallën plenare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat