Një 58-vjeçar nga Pojani, baba i dy fëmijëve ka ndërruar jetë në spitalin e Korçës ku po trajtohej prej dy ditësh. Familjarët e tij kanë ngritur akuza për neglizhencë ndaj mjekëve, ndërsa spitali thotë se për reagimin duhet pritet ekspertiza mjekoligjore.
Vdekja e një 58-vjeçari nga Pojani në spitalin e Korçës ka vënë nën akuzë për neglizhencë nga familjarët e viktimës bluzat e bardha të spitalit juglindor.
Telka Kelo, ndërroi jetë mëngjesin e së mërkurës në spital, ku është trajtuar për dy ditë.
Siç thonë familjarët, 58-vjeçari është ankuar për dhimbje barku e koke, por spitali thotë se pas analizave ai ka rezultuar gur në tëmth.
Spitali i Korçës thotë se gjendja e tij është përkeqësuar mëngjesin e sotëm dhe pas dy orëve në Reanimacion ka ndërruar jetë.
Familjarët pretendojnë se kanë kërkuar dërgimin e 58-vjeçarit në Tiranë për mjekim të specializuar, por sipas tyre mjekët e spitalit të Korçës e kanë parë si të paarsyeshme këtë lëvizje.
Ndërsa pas vdekjes, familjarët e Kelos i akuzojnë mjekët për neglizhencë.
Por spitali rajonal Korçë, thotë se pacientit i është dhënë ndihma maksimale nga personeli i spitalit sipas protokolleve, ndërsa është në pritje të ekspertizës që do të kryhet nga një ekspert nga Tirana.
Pas marrjes së njoftimit, prokuroria e Korçës thotë se ka nisur një hetim për shkakun dhe rrethanat e vdekjes së 58-vjeçarit.