Konflikti për “Kushtetuesen”, Avokati i Popullit për KED: Nuk mund t’u imponohet organeve të tjera

Shqipëria

Konflikti për “Kushtetuesen”, Avokati i Popullit për KED: Nuk mund t’u imponohet organeve të tjera

Më: 19 nëntor 2019 Në ora: 09:05
Foto

Për konfliktin mbi Gjykatën Kushtetuese që ka nisur prej ditësh midis Presidencës dhe Kuvendit ka reaguar edhe Avokati i Popullit. Në reagimin e publikuar sot bëhen publike gjetjet paraprake të raportit mbi veprimtarinë e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, institucion që bën vlerësimin dhe renditjen e kandidatëve për në Gjykatën Kushtetuese.

Avokati i Popullit thekson se KED dhe aq më pak një anëtar i vetëm i saj nuk mund të ngushtojë mundësinë e Presidentit, Kuvendit apo Gjykatës së Lartë për të përzgjedhur gjyqtarët për në Gjykatën Kushtetuese. Sipas AP, çdo institucion duhet të ushtrojë funksionet e veta pa iu imponuar institucioneve të tjera dhe se renditja e KED për kandidatët nuk është detyruese për përzgjedhjen përfundimtare.

“Nga ana tjetër, as KED si organ kushtetues dhe aq më pak një anëtar i vetëm i saj nuk mund të ngushtojë mundësinë e përzgjedhjes të organeve të emërtesës, të cilat janë të sanksionuara si të tilla nga Kushtetuta. Kurrësesi rënditja e KED nuk është detyruese, përveçse kur është rasti i përdorimit të mekanizmit zhbllokues. Por a mund të jetë i justifikuar apo legjitim përdorimi i mekanizmit zhbllokues si qëllim për të kufizuar (madje parapërcaktuar) përzgjedhjen e organeve të emërtesës? Në gjykimin e institucionit të Avokatit të Popullit, çdokush duhet të ushtrojë funksionet e veta si anëtar i një të tëre, i strukturës së shtetit, pa imponuar vullnetin e tij në zgjedhjet që u takojnë organeve të tjera. Bashkëpunimi dhe bashkërendimi institucional dhe jo e kundërta, janë në themel të Shtetit të së Drejtës dhe jo konflikti i pandërprerë”, theksohet në reagimin e Avokatit të Popullit.

Dhe në përplasjen me KED dhe mazhorancën, presidenti Ilir Meta pretendon pikërisht për kufizim të vullnetit të tij dhe madje përpjekje për të paracaktuar dhe për t’ju imponuar kandidatura që ai duhet të zgjidhte për në Gjykatën Kushtetuese.

Ndërkohë, sa i përket dërgimit të listave përfundimtare me kandidatët e pikëzuar, Avokati i Popullit thekson se nuk ka asnjë arsye objektive që listat Kuvendit t’i dërgoheshin me 6 ditë vonesë, në krahasim me ato të dërguara Presidentit të Republikës.

“Për të tërë pjesëmarrësit në këtë proces, nuk ka asnjë shpjegim të asnjë lloji (as publik dhe as në mbledhje pa praninë e të tretëve), se çfarë shkaktoi dërgimin e listave përfundimtare për te organet e emërtesës gjegjësisht ditë pas datës 21.9.2019, (pra pas 15 ditësh Presidentit të Republikës dhe 21 ditësh Kuvendit të Republikës së Shqipërisë).

Për më tepër të dyja vakancat e Kuvendit, kishin më pak kandidatë në listë se ato të Presidentit të Republikës dhe secila prej kandidatëve në listat e Kuvendit ishte edhe në ato të Presidentit. Pra nuk rezulton të ketë asnjë mundësi, që të mos jenë të njëjtat materiale të listuara dhe vendime të arsyetuara, që tregon se nuk ka asnjë arsye objektive që listat Kuvendit t’i dërgoheshin me 6 ditë vonesë, në krahasim me ato të dërguara Presidentit të Republikës”, thuhet në reagim.

Avokati i Popullit paralajmëron se procesi i vetting-ut dhe ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë po dobësohet pikërisht nga përplasja institucionale. Për këtë arsye u bëhet thirrje institucioneve përgjegjëse që të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën për përfundimin e reformës në drejtësi.

“Pikërisht për këtë arsye jemi të mendimit se puna mjaft e madhe e bërë nga shumë institucione shtetërore, si për proçesin e vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ashtu edhe atë të ngritjes së institucioneve të reja të parashikuara nga legjislacioni i Reformës në Drejtësi, po dobësohet pikërisht nga përplasjet institucionale të ndodhura gjatë proçesit për ngritjen dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, thekson Avokati i Popullit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat