Procedimi i gjyqtarëve/ KLGJ sqaron: Ankesat ia kemi kaluar Inspektorit të Lartë të Drejtësisë

Shqipëria

Procedimi i gjyqtarëve/ KLGJ sqaron: Ankesat ia kemi kaluar Inspektorit të Lartë të Drejtësisë

Më: 21 janar 2020 Në ora: 13:11
Foto nga takimi

Këshilli i Lartë i Gjyqësorit njofton se i ka kaluar Inspektorit të Lartë të Drejtësisë të gjitha kërkesat apo ankesat e ardhura në adresë të këtij institucioni për gjyqtarët.

KLGJ sqaron se Kushtetuta e përcakton ILD si organin kushtetues i cili fillon procesin e kryerjes së verifikimit të shkeljeve disiplinore dhe të procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve.

“Referuar dispozitave kushtetuese dhe atyre për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor rithekson se nuk mund të ushtrojë kompetencat e verifikimit të ankesave ndaj veprimtarisë së gjyqtarëve, pasi këto i përkasin Inspektorit të Lartë të Drejtësisë”, thuhet në deklaratë.

Kuvendi dje zgjodhi dje, në seancën e parë plenare për vitin 2020 kreun e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Me 98 vota pro është zgjedhur në këtë post Artur Metani vëllai i deputetes socialiste, Eglantina Gjermeni, e cila nuk ka marrë pjesë në votim, për shkak se ndodhej në kushtet e konfliktit të interesit.

DEKLARATA E PLOTË

Duke marrë shkas nga disa zhvillime të kohëve të fundit dhe në vijim të kërkesave të përsëritura nga individë dhe institucione shtetërore në adresë të tij, Këshilli i Lartë Gjyqësor sqaron opinionin publik në lidhje me procedimin disiplinor të gjyqtarëve.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë e përcakton Këshillin e Lartë Gjyqësor si organin përgjegjës për sigurimin e pavarësisë, përgjegjshmërisë dhe mbarëvajtjes së pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë, për vlerësimin etik dhe profesional të gjyqtarëve, si dhe për marrjen e masave disiplinore ndaj gjyqtarëve të të gjitha niveleve.

Në lidhje me këtë të fundit, neni 147/d i Kushtetutës parashikon se Inspektori i Lartë i Drejtësisë është përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin me nismë të shkeljeve dhe fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve. Pra, nuk është Këshilli i Lartë Gjyqësor, por Inspektori i Lartë të Drejtësisë, organi kushtetues i cili fillon procesin e kryerjes së verifikimit të shkeljeve disiplinore dhe të procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve.

Kompetencat dhe përgjegjësitë respektive të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë rregullohen më hollësisht edhe në Ligjin nr.115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.

Referuar dispozitave kushtetuese dhe atyre për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor rithekson se nuk mund të ushtrojë kompetencat e verifikimit të ankesave ndaj veprimtarisë së gjyqtarëve, pasi këto i përkasin Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Për rrjedhojë, të gjitha kërkesat e depozituara pranë KLGJ nga individë dhe institucione shtetërore në të cilat ngrihen pretendime lidhur me shkelje disiplinore të gjyqtarëve, janë administruar rregullisht dhe do t’i përcillen Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, menjëherë me krijimin e këtij institucioni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat