Vetëm dy muaj nga 2020, 4 gra të vrara nga bashkëshortët ose familjarët

Shqipëria

Vetëm dy muaj nga 2020, 4 gra të vrara nga bashkëshortët ose familjarët

Më: 26 shkurt 2020 Në ora: 21:25
Ilustrim

Edhe pse kanë kaluar vetëm dy muaj nga 2020, numërohen 4 viktima gra të vrara nga bashkëshortët ose familjarët e tyre .

Vrasja e grave në Shqipëri vazhdon të mbetet një plagë për shoqërinë dhe sfidë për shtetin shqiptar. Viti 2020 hyri i përgjakur me vrasjen e Enkelejda Çapokut në Paskuqan. Nëna 38-vjeçare u masakrua nga kunati i saj, Erdet Çapoku për shkak të mosmarrëveshjeve mes tyre.

Manjola Çuko, 33 vjeçe u qëllua për vdekje nga bashkëshorti i saj, Lulzim Çuko në Xhafzotaj të Durrësit. Shkak i këtij krimi të rëndë brenda familjes ishte xhelozia e vazhdueshme e bashkëshortit.

Esmeralda Filopati, 36 vjeçe së bashkë me vëllain e saj 34-vjeçar u qëlluan ditën e djeshme me një breshëri automatiku në Kodër Rrëshen të Mirditës nga ish-bashkëshorti i së ndjerës. Fatmir Kolecaj ishte dënuar më parë me 15 muaj burg për dhunë në familje. E gjithë kjo ngjarje e rëndë dyshohet se ka ardhur për shkak të mosmarrëveshjeve pas divorcit.

Pa kaluar ende 24 orë nga vrasja në Rrëshen, në qytetin e Durrësit Hajdie Tosuni, 59 vjeçe u vra nga bashkëshorti i saj Ruzhdi Tosuni. Shkak i vrasjes duket se kanë qenë mosmarrëveshjet mes çiftit.

Shumë gra të tjera vijojnë të përjetojnë dhunë në heshtje dhe rrezikojnë të jenë viktima potenciale.

Sa gra të dhunuara kanë marrë urdhër mbrojtjeje në 2019-2020

Në vitin 2019 në Tiranë, janë shqyrtuar gjithsej 150 raste me objekt lëshimin e urdhrit të mbrojtjes, ku një nga partnerët ka kërkuar urdhër mbrojtje. Zakonisht urdhrat e mbrojtjes janë kërkuar pas dhunës se ushtruar ose nga kërcënimet për jetën. Nga këto 150, 62 janë pranuar, pra gjykata ka dhënë urdhër mbrojtje.

48 raste janë refuzuar ose 32% të rasteve, 6 janë pranuar pjesërisht dhe 34 çështje janë pushuar, pra ose është tërhequr kërkesa ose palët kanë arritur në një marrëveshje pajtimi

Po ashtu në vitin 2019, janë trajtuar 803 raste me objekt Urdhër i Menjëhershëm Mbrojtje, nga të cilat 357 raste janë pranuar ose 44%, 174 raste janë pushuar ose 22%, pra është gjetur një marrëveshje pajtimi ose është tërhequr padia, 239 raste ose 30% janë rrëzuar dhe 33 raste janë pranuar pjesërisht

Për vitin 2020, për këto dy muaj të këtij viti, janë trajtuar 25 çështje me objekt lëshim të urdhrit të mbrojtjes, ku nga këto 12 janë pranuar pra gati 50%, 8 janë pushuar, 2 janë rrëzuar dhe 1 është pranuar pjesërisht dhe 2 janë refuzuar ose nuk kanë shkuar fare në gjykim

Për sa i përket çështjes urdhër i menjëhershëm i mbrojtjes, për vitin 2020, deri ditën e djeshme janë shqyrtuar 102 raste nga të cilat 51 janë pranuar, ose 50%, 22 janë pushuar, 11 janë rrëzuar, 8 janë pranuar pjesërisht dhe 10 janë refuzuar që do të thotë nuk kanë shkuar deri në gjykim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat