Mesazhet e koduara të Tahirit, si paralajmërim për Ramën

Shqipëria

Mesazhet e koduara të Tahirit, si paralajmërim për Ramën

Më: 11 qershor 2020 Në ora: 23:28
Tahiri dhe Rama

Ka qenë ministri më jetëgjatë në ministrinë e Brendshme dhe jo vetëm i socialistëve.

Në fillimet e karrierës politike konsiderohej si “ylli në ngjitje” i Edi Ramës, deri në vitin 2016, por pas akuzave zyrtare të Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe më pas vendimit të Gjykatës së shkallës së parë, Saimir Tahiri është një politikan, jo thjesht i paragjykuar, por i gjykuar dhe i akuzuar.

Sot ai ka bërë të ditur se nuk është larguar në asnjë ditë nga politika, duke bërë të ditur se nëse gjykata e Apelit do ta shpallë të pafajshëm do të rikthehet sërish.

“Saimir Tahiri nuk ka ikur. Historia e politikës nuk më tundon, ashtu si kur ika për t’u përballur me drejtësinë. Do ta pranoj vendimin e gjykatës. Ai është për t’u pranuar dhe për t’u zbatuar. Nëse do e quaj të drejtë do e them pasi ta shoh. Çmimi i jetës sime nuk kalon nga çmimi i karrierës së tyre”, u shpreh Tahiri.

Realisht qëndrimi i Tahirit është korrekt, ai pret verdiktin gjyqësor dhe pas atij, do të ndërmarrë hapat e duhura.

Po në cilën politikë do të kthehet? Në PS-në ku e kanë braktisur shokët e tij? Në qeverinë e Edi Ramës ku pasardhësi i tij i bëri gropën duke deklaruar se krerët e policisë kanë lejuar kanabizimin? Në PS-në e Tiranës ku pas ikjes së Saimir Tahirit janë emëruar vetëm emra pa peshë politike, pa një fuqi në bazë?

Saimir Tahiri ka pësuar një goditje të rëndë politike pas akuzës zyrtare, pasi për veprën penale është i pari zyrtar i lartë i ndëshkuar me atë dispozitiv.

Por nëse del i larë ligjërisht, ai ka një sfidë përpara: nuk mund të kthehet thjesht duke trokitur derën si një i “liruar”, por do të duhet të hapë thesin e të vërtetave që e ka premtuar disa herë or deri tani nuk se e ka bërë.

Ndonëse u shpreh se nuk ka ikur kurrë politike, Tahiri nuk ngurroi të shtonte se “Historia e politikës nuk më tundon”, por se këto mesazhe të koduara janë edhe si një paralajmërim edhe ndaj Ramës, i cili u kujtoi se ishte ministri i Brendshëm më i mirë se pasardhësit e tij, si Xhafaj dhe Lleshaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat