52-vjeçari vetëvaret në ambientet e paraburgimit, policia zbardh detajet e ngjarjes - Bota Sot
52-vjeçari vetëvaret në ambientet e paraburgimit, policia zbardh detajet e ngjarjes

Shqipëria

52-vjeçari vetëvaret në ambientet e paraburgimit, policia zbardh detajet e ngjarjes

Më: 3 gusht 2020 Në ora: 07:40
Policia shqiptare

Mbrëmja e së shtunës, shënoi për vendin tonë një tjetër ngjarje të rëndë, ku një 52-vjeçar nga Durrësi mbeti i vdekur pasi u vetëvar në ambientet e paraburgimit pranë DVP Durrës, teksa shoqërohej nga dy efektivë policie. Burime nga policia bëjnë me dije se, viktima është 52-vjeçari i identifikuar me emrin Tonin Tuci banues në Durrës.

Mësohet se Tonin Tuci i ka dhënë fund jetës mbrëmjen e së shtunës teksa ai ishte shoqëruar nga policia, pasi familja e kishte denoncuar për dhunë. Ngjarja e rëndë mësohet të ketë ndodhur në momentin kur familjarët e tij po shpjegonin në polici rrethanat e ngjarjes për dhunën në familje, ku më pas me vetëdije, 52-vjeçari i ka dhënë fund jetës me lidhësen e tutave sportive në qelinë e izolimit në Komisariatin e Drejtorisë së Policisë Vendore të Durrësit. Burime nga policia gjithashtu bëjnë me dije se Tuci ka qenë nën efektin e pijeve alkoolike, dhe dyshohet se ka qenë ky shkaku kryesor pas së cilës 52-vjeçari, vendosi të vrasë veten. Ndërkohë menjëherë pas ngjarjes së rëndë, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave ka proceduar dy punonjës policie, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre. Sipas policisë, tashmë dy punonjësit që u ngarkuan me përgjegjësi për menaxhimin e situatës në momentin që e futën në dhomat e shoqërimit 52-vjeçarin, po hetohen nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave. Konkretisht, në hetim për shpërdorim detyre janë vendosur; A.Ç. në funksionin e ndihmësspecialistit në Zyrën e Informacionit në DVP Durrës dhe G.B. me detyrë Specialist i Policimit në Zonë. Ndërkohë Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit vijon hetimin disiplinor për të nxjerrë përgjegjësit në zbatimin e procedurave standarde.

Detaje nga ngjarja, njoftimi i policisë

Lidhur me ngjarjen e djeshme ka reaguar edhe policia me anë të një deklarate të plotë ku edhe janë zbardhur të gjitha detajet e ngjarjes. Pasditen e të shtunës datë 01.08.2020 familjarët kishin denoncuar dhunën e 52-vjeçarit, nëpërmjet një telefonate në numrin unik 112 dhe policia kishte ndërhyrë menjëherë. “Durrës , SHÇBA procedon 2 punonjës policie për shpërdorim detyre, pasi një i shoqëruar për dhunë në familje u vetëvar në paraburgim. Në datën 1 gusht, në mbrëmje, në ambientet e dhomave të shoqërimit të DVP Durrës, nga personeli policor u gjend i vetëvarur shtetasi T.T. Ai ishte shoqëruar për rreth 3 orë, si i dyshuar për veprën penale “Dhunë në familje”, nga policia lokale. Familjarët kishin denoncuar dhunën e 52-vjeçarit, nëpërmjet një telefonate në numrin unik 112 dhe policia kishte ndërhyrë menjëherë”, deklaron policia.

Viktima ka qenë nën efektin e pijeve alkoolike teksa ka vendosur më pas të vrasë veten. “Nga hetimet paraprake të SHÇBA, rezulton se viktima ka qenë nën efektin e pijeve alkoolike dhe akti është kryer në kohën kur familjarët e tij po shpjegonin në Polici, rrethanat e ngjarjes për dhunën në familje”, deklaron policia. Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, të pranishëm në vendngjarje dhe veprime proceduriale, vazhdojnë të kryhen hetime për të zbardhur të gjitha rrethanat dhe zbatimin e procedurave standarde nga punonjësit e policisë. Për punonjësit e policisë: A.Ç., në funksionin e ndihmës specialistit në Zyrën e Informacionit në DVP Durrës; G.B. me detyrë Specialist i Policimit në Zonë, si dhe struktura policore, të cilat sipas funksionit organik dhe procedurave standarde ngarkohen me përgjegjësi të veprimeve konkrete që lidhen me menaxhimin e kësaj situate, po kryhen hetime për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Ndërkohë Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit menjëherë ka nisur hetimin disiplinor për të nxjerrë përgjegjësit në zbatimin e procedurave standarde.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat