OFL i çoi letër për pasurinë, kush është i dënuari Ilir Nukaj që tentoi të vriste pronarin e lokalit 8 vjet më parë

Shqipëria

OFL i çoi letër për pasurinë, kush është i dënuari Ilir Nukaj që tentoi të vriste pronarin e lokalit 8 vjet më parë

Më: 7 tetor 2020 Në ora: 11:48
Foto Ilustrim

Forca e Ligjit ka shkuar dje në Fier, ku u ka dorëzuar formularët dy personave të dënuar për vrasje me paramendim, të mbetur në tentativë.

Policia e Shtetit njoftoi dje se në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL u ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve: Enea Pipa, banues në Fier, i dënuar për veprën penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë dhe Ilir (Ledjan) Nukaj, banues në Fier, i dënuar për veprën penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë.

“Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme. “OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special”, tha zyrtarisht Policia.

Njëri nga personat që mori dje formularin për të deklaruar pasurinë, Ilir Nukaj, i njohur edhe me emrin Ledja, është dënuar me 20 vjet burg për vrasje të mbetur në tentativë. Gjykatat kanë pranuar si të provuara këto rrethana të ngjarjes: Ilir Nukaj është banor i fshatit Povelc, Komuna Dermenas, Fier.

Ai për shume vite ka jetuar jashtë vendit, ndërsa kohët e fundit është kthyer në fshatin Povelc. Më datë 02.06.2012, rreth orës 01.00, Nukaj ka shkuar për të vjedhur në lokalin internetkafe, të shtetasit Helio Çela, i cili ndodhet ngjitur me banesën e tij.

Në momentin kur i pandehuri ka thyer xhamin e derës së lokalit, me qëllimin për t’u futur brenda, shtetasi Helio Çela ka dëgjuar zhurmë dhe ka dalë në oborrin e banesës së tij.

Meqenëse nuk ka mundur të shohë gjë, ka shkuar në drejtim të lokalit bashkë babanë e tij, shtetasin Ferrik Çela, ku kanë konstatuar se ishte thyer xhami i derës, ndërsa në një kanal që kalonte pranë lokalit, ata kanë parë që qëndronte i fshehur i pandehuri Ilir Nukaj, i cili është ngritur në këmbë dhe në dorë mbante një thikë.

Shtetasit Helio dhe Ferrik Çela e kanë kapur të pandehurin dhe duke përdorur edhe dhunë fizike, kanë bërë të mundur të neutralizojnë veprimet e tij. Në këtë moment, kanë mbërritur forcat e Policisë së Komisariatit të Policisë Fier, të cilat kanë bërë kapjen në flagrance të të pandehurit dhe kanë kryer veprimet e para hetimore për këtë ngjarje, duke përfshirë edhe arrestimin në flagrancë të tij.

Disa dite pas kësaj ngjarjeje, më datë 30.06.2012, rreth orës 19:00, i pandehuri Ilir Nukaj ka shkuar në lokalin e shtetasit Helio Çela dhe i ka kërkuar që t’i hapte një kompjuter për të luajtur.

Shtetasi Helio Çela, i cili ndodhej jashtë lokalit, i ulur në një stol bashkë me shtetasin Lavdosh Fejzaj, është futur brenda në lokal bashkë me të pandehurin. Ka hapur kompjuterin në tavolinën ku është ulur i pandehuri dhe ka dalë përsëri jashtë duke u ulur në stol, nën shoqërinë e shtetasit Lavdosh Fejzaj.

I pandehuri Ilir Nukaj ka qëndruar vetëm 2-3 minuta në lokal, më pas ka dalë jashtë duke shkuar në drejtim të të dëmtuarit Helio Çela, i cili ndodhej i ulur me kurriz nga ana e derës së lokalit, e ka sharë dhe e ka goditur me thikë katër herë në anën e majtë të kurrizit dhe një herë në supin e djathtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat