Marrëveshja e detit, Mitsotakis: Do çojmë me Shqipërinë në Hagë zgjerimin e Greqisë

Shqipëria

Marrëveshja e detit, Mitsotakis: Do çojmë me Shqipërinë në Hagë zgjerimin e Greqisë

Më: 27 tetor 2020 Në ora: 13:09
Kyriakos Mitsotakis

Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, tha në Parlamentin grek se e drejta e Greqisë që të zgjerohet me 12 milje në detin Jon është e padiskutueshme dhe e pakushtëzuar.

Duke iu drejtuar ish-Kryeministrit Aleksis Tsipras, Mitsotakis tha se Greqia dhe Shqipëria kanë arritur parimisht një marrëveshje që çështjen e kufirit detar ta zgjidhin në Hagë.

“Ju nuk mundët të arrinit një marrëveshje për zonat ekskluzive ekonomike me Italinë dhe Egjiptin. Vendi aktualisht ka një marrëveshje të nënshkruar për demarkacionin gjeografik me Italinë. Është e vështirë të negociohet marrëveshja e pjesshme e demarkacionit me Egjiptin. Dhe në parim ka një marrëveshje me Shqipërinë për të referuar çështjen e zonës ekskluzive ekonomike në Hagë, pasi Greqia ka zgjeruar ujërat e saj territoriale”, tha thënë Mitsotakis, shkruan “Protothema”.

Ai u ka dhënë përgjigje dhe akuzave të opozitës greke, teksa foli për çështje që lidhen me sovranitetin.  “Kam dëgjuar shumë për sovranitetin dhe të drejtat sovrane. Më lejoni të sqaroj edhe një herë: e drejta për të zgjatur 12 milje është një e drejtë e njëanshme e patjetërsueshme e vendit. Nuk diskutohet, nuk kushtëzohet. Qeveria e Demokracisë së Re ishte e para që e bëri këtë, duke filluar në Jon. Dihet gjithashtu pse ujërat territoriale në Egje nuk janë zgjatur nga asnjë qeveri. Kjo nuk do të thotë që vendi nuk ka të drejtë”, tha Kryeministri Mitsotakis.

DENDIAS

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, i pyetur nga media greke “Real News” për marrëveshjen me Shqipërinë për të çuar çështjen e delimitimit të kufijve detarë mes dy vendeve në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës tha se për sa kohë do të ketë vullnet, procesi nuk do të jetë problem. “Zgjidhja e kësaj çështjeje të ngelur pezull do të jetë e dobishme për të dyja vendet”, tha Dendias.

Duke iu referuar diskutimeve gjatë vizitës në Tiranë, ministri grek tha se “ekzistojnë, të gjitha arsyet për të ruajtur klimën e besimit dhe respektit të ndërsjellë, e cila u theksua nga të dyja palët gjatë vizitës sime të fundit, dhe për të forcuar axhendën pozitive në marrëdhëniet tona dypalëshe”.

Ministri i Jashtëm grek nuk e fshehu edhe në këtë intervistë qëllimin e Greqisë që përmes marrëveshjeve me Italinë, Egjiptin për detin, por dhe dakordësinë me Shqipërinë për të shkuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës për pikat e kontestuara për kufirin detar, se mesazhi i dërgohet direkt Turqisë, me të cilën ka mosmarrëveshje të forta në lidhje me kufirin detar në Mesdheun Lindor.

“Së pari, unë do të doja të theksoja se ashtu si me marrëveshjet me Italinë dhe Egjiptin, edhe në rastin e Shqipërisë, Greqia po provon në praktikë se mund të zgjidhë problemet, me busull të Drejtën Ndërkombëtare, dialogun konstruktiv dhe parimin e zgjidhjes paqësore të mosmarrëveshjeve. Me fjalë të tjera, ajo e di mënyrën e ndërtimit të marrëdhënieve ndërshtetërore dhe udhëhiqet nga ajo edhe në rastin e Shqipërisë, e cila po punon në mënyrë që të jetë anëtare e familjes europiane. Ne kemi rënë dakord me Shqipërinë për të punuar së bashku që të dorëzojmë çështjen e delimitimit të zonave detare në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, pas përfundimit të procesit të zgjerimit të ujërave territoriale të të dyja vendeve në 12 milje detare sipas Ligjit Ndërkombëtar te Detit”, tha ministri i Jashtëm grek.

Sipas tij, shprehja e vullnetit të Shqipërisë për të gjetur zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në Gjykatën e Hagës tregon se të dyja vendet po tentojnë të ruajnë një klimë besimi reciprok.

“Për sa kohë që ka vullnet, vlerësoj se procesi nuk do të jetë problem. Zgjidhja e kësaj çështjeje të ngelur pezull do të jetë e dobishme për të dyja vendet. Ekzistojnë pra të gjitha arsyet për të ruajtur klimën e besimit dhe respektit të ndërsjellë, e cila u theksua nga të dyja palët gjatë vizitës sime të fundit, dhe për të forcuar axhendën pozitive në marrëdhëniet tona dypalëshe. Greqia duhet të krijojë një marrëdhënie strategjike me Shqipërinë dhe mendoj se pala shqiptare është shumë pozitive në një drejtim të tillë”, u shpreh për gazetën “Real News” ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias.

 “Deti” në Hagë, Meta: Lojëra politike për spostim vëmendjeje

Presidenti Ilir Meta i cilësoi “lojëra politike për spostim vëmendjeje e krijim tensionesh artificiale” deklaratat për zgjidhjen e marrëveshjes së detit me Greqinë përmes Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës. Meta tha se pret nga qeveria dhe Kuvendi bashkëpunim.

“Sjellja ime për këtë çështje do të jetë gjithmonë shtetërore, kushtetuese edhe e përgjegjshme, larg lojërave politike për spostim të vëmendjes apo krijim tensionesh artificiale. Marrëdhëniet e mia janë të mirëdokumentuara me qeverinë tonë, institucionet, Kryetarin e Kuvendit, unë pres në respekt të atij bashkëpunimi të përgjegjshëm që kam treguar përgjatë kësaj periudhe të kem të njëjtin reagim e bashkëpunim”, tha Presidentit Meta i pyetur dje nga gazetarët.

Pas deklaratës së Kryeministrit grek në muajin gusht në Parlamentin e tij se Greqia do të zgjerohet në detin Jon me 12 milje, Presidenti Meta i dërgoi kërkesë zyrtare për informacion Kryeministrit Rama, për marrëveshjen e detit, duke vënë në dijeni edhe Kreun e Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Përmes kësaj kërkese, Presidenti i kërkon Kryeministrit Rama që të japë shpjegime në lidhje me komunikimet që ka pasur me zyrtarët grekë. Po ashtu, Meta ka kërkuar nga Rama informacion në lidhje me qëndrimin zyrtar të qeverisë shqiptare dhe pasojave që burojnë prej tij. Njëkohësisht, kreu i shtetit kërkon të dijë veprimet që planifikon të ndërmarrë qeveria shqiptare, për pasojat që mund të sjellë ky veprim i njëanshëm i shtetit grek.

“Kërkoj informacione të detajuara mbi: komunikimin që keni zhvilluar me Kryeministrin e Greqisë dhe/ose me zyrtarë të lartë të Greqisë mbi këtë çështje; qëndrimin zyrtar të qeverisë shqiptare ndaj një vendimi të tillë dhe pasojave, përfshirë ato ndërkombëtare që mund të rrjedhin prej tij; veprimet që planifikohen në ndërmerren nga qeveria shqiptare ndaj pasojave që mund të vijnë prej një akti të tillë të njëanshëm të Greqisë”, shkruhet në letër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat