Universitetet online/ Zhupa: Kosto e madhe. Studentët kanë paguar banesat dhe konviktet

Shqipëria

Universitetet online/ Zhupa: Kosto e madhe. Studentët kanë paguar banesat dhe konviktet

Më: 30 tetor 2020 Në ora: 12:39
Ina Zhupa

Vetëm pak ditë para nisjes së vitit të ri akademik, Komiteti Teknik i Ekspertëve për pandeminë ka marrë vendimin të propozojë mbylljen e universiteteve për 1 muaj.

Në një dalje për mediat, Kryetarja e këtij Komiteti, Mira Rakacolli njoftoi se mësimi në universitete duhet të zhvillohet vetëm online.

“Kemi vendosur unanimisht të propozojmë që universitetet të zhvillojnë vetëm mësim online, pra mësim vetëm ne distancë pa prezencë fizike të paktën për muajin e parë të hapjes duke vlerësuar situatën ne dinamike. Aulat dhe konviktet do të jenë të mbyllura deri në një vendim të dytë“, tha Rakacolli.

Ndërkohë nuk ka munguar as reagimi i zëdhënëses së PD, Ina Zhupa.

Sipas saj, ky është një dështim i menaxhimit të situatës, ndërsa shton se një vendim i tillë do të rëndojë xhepat e familjeve shqiptare.

Ina Zhupa: Dështim i menaxhimit të situatës së hapjes së universitete. Kosto e madhe për familjet dhe asnjë ndihmë nga shteti.

Njoftimi 3 ditë përpara i moshapjes së universiteteve tregon edhe njëherë kaosin dhe mungesën e përgjegjësisë së kësaj qeverie.

Studentët kanë marrë shtëpi me qera për të jetuar në Tiranë ose kanë paguar tarifat e konvikteve për të jetuar në Tiranë. Ndërkohë që edhe vitin e shkuar akademik paguan konviktet dhe nuk i shfrytëzuan dot dhe paratë e tyre nuk u kthyen nga shteti.

Si gjatë gjithë kësaj periudhe pandemie çdo kosto e vendimarrjeve të qeverisë ju bie qytetarëve, në këtë rast prindërve të studentëve që me sakrifica kanë harxhuar shuma të mëdha parash për të studiuar fëmijët në auditore dhe që nuk dihet a do ju shërbejnë më.

Mësimi online i vë familjet shqiptare përballë kostove të tjera, duke i bërë të paguajnë dyfish tashmë! Pagesa për internet, pagesa për një pajisje laptop ose pc që është mjet i domosdoshëm për të zhvilluar një pjesmarrje të kënaqshme në mësimin online. Po ashtu do paguajnë të plota tarifat e shkollimit në universitete.

Ndërkohë qeveria nuk ka asnjë plan mbështetje për studentët dhe familjet e tyre. Siç nuk ka asnjë plan për përballimin e pandemisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat