600 policë janë me Covid/ Zëvendësohen nga kolegët me orë shtesë

Shqipëria

600 policë janë me Covid/ Zëvendësohen nga kolegët me orë shtesë

Më: 18 nëntor 2020 Në ora: 15:57
Ilustrim

Që pas shpalljes së pandemisë në muajin mars, policia shqiptare kaloi në shërbim të përforcuar, më së shumti duke kontrolluar zbatimin e rregullave antiCovid, siç është së fundmi mbajta e maskës, apo edhe kontrolle në lokale për muzikë pas orës 8 të mbrëmjes.

Përveç kësaj, prej disa javësh prezente janë edhe postblloqet fikse.

Por a po kthen kontrollet dhe postblloqet në burime të infektimit për vetë policët? Aktualisht sot që po flasim janë rreth 600 efektivë policie të prekur me koronavirus, çka ka sjell alarm te shefat e tyre, për mënyrën se si do të organizojnë shërbimet, që përfshin rendin, krimin dhe parandalimin e ngjarjeve.

Mungesa e punonjësve të policisë është vënë re në disa komisariate të vendit, ku Top Channel, jo zyrtarisht mëson se ata zëvendësohen nga kolegët e tyre nëpërmjet orëve shtesë, duke u shtuar një ngarkesë më të madhe pune. Zyrtarisht policia e shtetit nuk e pranon këtë numër të lartë të efektivëve të prekur, por ata janë karantinuar në shtëpitë e tyre, ndërsa një numër shumë i vogël është dashur që të marrë trajtim mjekësor në spitalet Covid.

Kjo sëmundje, ishte fatale për dhjetë efektive policie, të cilët e humbën betejën e tyre në përballje me virusin, të cilën kryesisht e morën gjatë kryerjes së detyrës.

Pas mjekëve dhe infermierëve, shërbimet e policisë janë në vijën e parë të kontaktit me qytetarët, pasi u duhet të kontrollojnë respektimin e masave anticovid, të jenë në gatishmëri për të parandaluar ngjarjet kriminale apo edhe policia rrugore për kontrollet për parandalimin e aksidenteve, pa e ditur nëse personi që po përballen, mund të jetë mbartës i virusit apo jo.

Ashtu si të gjithë qytetarët e thjeshtë, edhe uniformat blu, në shumicën e kohës, duhet që maskën ta sigurojnë vetë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat